” Bija ime, Është natë. Nata e Krishtlindjes. Të gjitha rojet e kështjellës time të vogël i ka zënë gjumi. Flenë vëllai dhe motra jote. Edhe nëna jote tani fle.
Vetëm zogjtë, sapo u zgjuan dhe të përgjumur u mblodhën tek kjo dhomë gjysmë e ndriçuar. Sa larg jam nga ti! Do të më kishte kapluar gjumi, sikur portreti yt, qoftë edhe vetëm për një çast, do të më hiqej nga sytë. Ai është këtu në tryezën time, ngjitur me zemrën time. Ku je ti?
Larg, në Parisin e përrallave, në skenat e teatrove të mrekullueshme të Champs Elysees.
Unë i njoh mirë ato skena. Në qetësinë e natës dëgjoj hapat e tua dhe shikoj sytë që të shkëlqejnë si yjet në qiellin dimëror. E ndjej, si e luan ti rolin e Bukuroshes Persiane, robinë e Khanit të tartarëve, në këtë spektakël festiv të shkëlqyer.
Vazhdo të jesh e mirë dhe kërce! Vazhdo të jesh një yll dhe shkëlqe! Por, kur do të ndjesh se ovacionet dhe mirënjohja e publikut fillojnë të të dehin, apo kur aroma e kurorës me lule të freskëta do të ta mpijnë mendimin, ulu në një qoshe dhe lexo letrën time. Dëgjo zërin e babait tënd. Unë jam babai yt, Geraldina! Unë jam Çarli, Çarli Çaplin!
A e di ti sa net kam qëndruar tek shtrati yt, duke të treguar përralla për Bukuroshen e Fjetur dhe për dragonjtë, kur ti ishe fare e vogël ?
Dhe kur gjumi m’i rëndonte qepallat e plakura, unë qeshja dhe i thosha: “ Largohu! Gjumi im, këto janë ëndrrat e vajzës time! Unë fle me ëndrrat e saj!”
Unë i pashë ëndrrat e tua, Geraldina, pashë të ardhmen tënde, të pashë ty, sot. Unë pashë bijën duke kërcyer në skenë dhe si ajo u ngjit në qiell.
Dëgjova publikun të thoshte:”Ej, shikojeni këtë vajzë? Ajo është vajza e gaztorit plak.
E mbani mend, e quanin Çaplin?” Po, unë jam Çaplini! Gastori plak! Sot, është radha jote. Kërce! Unë kërceva me pantallona të gjera të shqyera, kurse ti kërcen me fustan të mëndafshtë princeshe.
Këto kërcime dhe duartrokitjet e forta, gati të ngjitin në qiell. Fluturo! Fluturo atje! Por, zbrit edhe në tokë! Ti duhet të shohësh jetën e njerëzve, jetën e atyre valltareve të rrugës, që kërcejnë kur dridhen nga të ftohtit dhe uria. Unë isha si ato, Geraldina. Ishin ato netë të magjishme, kur ti flije e nanurisur nga përrallat e mia, e unë rija zgjuar. Shikoja mbi tre fytyrëzat, dëgjoja goditjet e zemrave tuaja dhe pyesja veten :” Çarli, a thua se këto kotele të njohin sadopak?” Ti nuk më njeh, Geraldina.
Shumë përralla të kam treguar në ato netë të largëta, por përrallën time – kurrë.
Edhe ajo është interesante. Ajo është përralla e shakaxhiut të uritur, i cili këndoi dhe kërceu në lagjet e varfra të Londrës, dhe më pas mblidhte dashuri. Ja kjo është përralla ime!
Unë dija ç’është uria dhe ç’është të mos kesh çati mbi krye. Akoma më shumë, unë provova dhimbjen poshtëruese të kërcimtarit shakaxhi, në gjoksin e të cilit ngrihej stuhia e urrejtjes në një oqean krenarie. Dhe.. këtë krenari, dhimbshëm, e plagosnin monedhat që hidheshin. Megjithatë, unë jetova. Por, le t’i lëmë këto. Më mirë le të flasim për ty. Pas emrit tënd Geraldina, është mbiemri im, Çaplin.
Comments