top of page
Search

Libri është liria shpirtërore / Gladiola Jorbus

Letërsia është imitim i jetës (?!).

Ky do të ishte një përkufizim pothuajse foshnjarak, sepse kur nis të lexosh, shpirti rreket t’u rikthehet episodeve sekrete, përjetimeve, silogjizmave, perceptimeve që shfaqen në dritë ndoshta pas shekujsh të tërë.


Një dhuratë kjo e studiuesve, shkrimtarëve, poetëve, dramaturgëve që nga antikiteti e deri më sot, të cilët e njihnin në thellësi, rëndësinë dhe vlerën e fenomeneve jetësore. Libri është përmbushje, vibrim, transmetim i lirisë shpirtërore, një liri që vjen në trajtën e dijes së fshehtë që dhe pse e kanë para syve, jo të gjithë e shohin.


Një libër të bëhet i dashur qoftë dhe prej një fraze të vetme, një fraze “ex voto” që flatron drejt mistikes dhe të mbinatyrshmes. Libri mbetet miku i heshtur që flet shumë, kapitali i vetëm i intelektualëve e artistëve të varfër. Gjithçka për të cilën shpreson, gjithëkrejt fshihet në ty, gjithçka agulluese gjen mishërim, ngushëllim e përsoset në libra. Emocioni i njeriut të thjeshtë shndërrohet në emnesë, sepse ajo që ne dimë është një bulëz uji, e çka nuk dimë, është krejt oqeani i jetës.


Një libër i trishtë në një kohë të trishtë rezonon një energji të re, e cila të maturon, të udhëheq, ndoshta të ndryshon jetën.Letërsia është tërësi e historisë, kulturës, imagjinatës, zbavitjes, stilit letrar, fjalorit të pasur, subjekteve mbresëlënëse e personazheve të paharrueshme.

Mjerisht, përkundër kësaj arkitekture letrare që frymon ndër mijëvjeçarë, po ngrihet një brez i alienuar letrar që reflekton flashkësi intelektuale deri në shterpëzim të plotë.

Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, shumë prej tyre me guximin e të marrit dhe kurajon e të paskrupulltit ndërmarrin inisiativa të tilla: si përkthimet e kryeveprave botërore, redaktimet, promovimet e librave, botimet e njëpasnjëshme që asfiksojnë më shumë se gazi karbonik. Ndjeshmëria, pritshmëritë dhe endja e madhe e lexuesve kritikë meritojnë vëmendje maksimale. Kjo letërsi e re, e varfëruar në shprehi, sintaksë, figuracion; përkthimi “ad litteram” që vetëm përkthim cilësor s’mund të jetë janë kërcënime konstant ndaj veprës letrare e letërsisë si koncept i përgjithshëm.

Përmes praktikës së leximit, mendja ushtrohet të ndërveprojë me më shumë fleksibilitet, në raport me botën e jashtme. Kështu që si konseguencë , sa më shumë që kujtesa të jetë e lidhur me analogjitë, metaforat, ose eksperiencat “e magazinuara” nga leximet, çdokush do të mund të tregohej më i aftë, me secilën nga përballjet që do t’i shfaqeshin në labirintet e jetës. Ndaj një këshillë për të gjithë prindërit, përfshirë mua: kujdesuni që në çantat e fëmijëve, përveç celularëve, patatinave e çokollatave të gjendet dhe një libër i mirë artistik, fantastiko-shkencor apo enciklopedik, i cili do t’u shërbente si udhërrëfyes a nxitës drejt shtigjeve të reja. Herë pas here, e ndiej të nevojshme t’i referohem aforizmit të një amerikani të famshëm e të mirënjohur të viteve ’20 -‘30, Will Rogers, i cili shprehej se: ”Njeriu mëson përmes dy mënyrave: njëra është përmes leximit, kurse tjera është përmes shoqërimit me njerëz të mirë”.

Comments


bottom of page