Nga Josif Papagjoni
Limozi sot eshte ne intubim... I shtruar ne nje spital ne Durres. Ndoshta ne paradhomen e... Mos qofte! E kush nuk e njeh Limozin! Me rrenje nga Delvina, por dhe i lidhur fort me Saranden, krenari e saj. Emer i madh i artit shqiptar. Qysh gjimnazist ne "Hasan Tahsini" Sarande, une e kam ne sy fytyren e tij, dinamizmin e tij duke hyre e dale sa nga nje salle ne tjetren, aty ne godinen e hershme te Shtepise se Kultures, ku ai po pergatiste nje ansambel te madh diku te 150 vete, me tri zera, kor e komplekse, qe e dhame edhe ne shkallet e teatrit antik te Butrintit ku festohej çdo 1 Maj. Behet fjale per vitet 1965-1967, kur Limozi punonte asohere ne Sarande. Une e doja shume muziken dhe si i ri gjimnazist qe isha, i ngjitesha Limozit aty ne dhomen e pare, poshte, ku kishte edhe pianon. Pianoja e tij me dukej nje magji. Apo gishtat e Limozit qene te tillet per mua?! Ai kishte qejf te kendonte kur kompozonte. Zakonisht kur punonte me korin, me shume i binte fisarmonikes dhe me tingujt e saj edhe dirigjonte. Gufonte i teri... Ky imazh u ngul thelle ne trurin tim dhe ashtu mbeti. Mbeten edhe shume e shume tinguj, zera, kengetime se toku, natyrisht. Nga me te bukurit tinguj te Limozit asaj kohe ishin ata te kenges "Shirat e vjeshtes", me nje poezi te kredhur mes nje tisi melankolie te thelle dhe shume te embel: "Ç'me vijne keshtu ne heshtje/ tinguj plot emocion/ T'i derdh si shira vjeshte,/ ne nje kenge mendoj..."
Oh, sa shume e kam kenduar kete kenge magjike te Limozit me kitare, here vetem e here me tim vella, Mitron! Sa shume hapesire qe ka! Çfare frushullime shirash e gjethesh, çfare vrapi poetik. Pikerisht kete motiv ai e beri me pas temen muzikore te filmit "Mesonjtorja" me zerin e te mrekullueshmit Gaqo Çako dhe vargjet naimiane te Qiriut. Dhe pastaj ato kenge-kantata te rralla, te paperseritshme qe ai kompozoi ne filmat "Malet me blerim mbuluar", "Rruge te bardha","Beni ecen vete", "Koncert ne vitin '36", "Qortimet e vjeshtes", "Perralle nga e kaluara". Kujtoni per pak se çfare madheshtie ka kenga "Keputa nje gjethe dafine". Po ajo kitara te filmi "Rruge re bardha", kur Deda i Rikard Ljares dhe Centralistja Zana, thajne robat e bera qull teksa avujt ngrihen e ngrihen lart si nje mjegull a pluhur yjor. Çfare embelsie! Sa dashuri njerezore ka e gjitha ajo... Mua me ka rrembyer muzika e Limozit. Perhere. Eshte si nje shkulme e shpirtit kombetar, nje cope dhe' qe lengon, qe frymon, qe mugullon.
Cikli "Kenget e tokes" eshte nje Shqiperi brenda meje, brenda teje, brenda te gjitheve ne. Simfonia e tij me variacionet harmonike te kenges "Do marre çiftene, do dale per gjah" ka brenda epiken dhe liriken, triumfin dhe ringjalljen, te buten dhe te shtruaren, pastoralen dhe folkloriken. Koncertet instrumentale, kantatat, kenget, muzika simfonike, muzika e dhomes, muzika skenike dhe ajo filmike, te gjitha si nje oktave e madhe, si nje areal tingujsh, jane vertet nje dimension muzikor i lakmuar prej nga kullon fryma dhe shpirti yne kombetar, permasa e relievit, monopati, pylli, klorofila, brenga, dashuria, nje "kulloshter" e tingullit epik te malit dhe te fushes, vendosmerise dhe meditimit, çastit poetik dhe trishtimit te embel, tretur te gjitha ne fryme e ne mish. Muzika e Limozit nuk klith, por dritheron, hyn drejt e ne lekure, behet ndjeshmeri, ti je qejf ta kendosh, ta fishkellesh, sepse ajo eshte e nje paradigme sa kombetare, aq universale; sa e madherishme e sublime, aq dhe lirike, e embel, lehtesisht e kendueshme, me nje vijezim melodik te qarte, pa destrukturime te qellimta dhe thyerje flagrante te melosit popullor prej nga frymezohet shpesh, sikunder dhe nga temat e tij burimore vetanake... Muzika e Limozit eshte e thjeshte, e qashter, e kthjellet. Ai nuk i ka qejf aspak "kokolepsjet" per te shprehur gjoja "modernitetin", muzike qe deperton, hyn drejtperdrejt ne shpirt...
Limozi rierdhi ne Sarande me nje mision kulturor diku nga fillim vitet 2000. Ai u be "perdorues" i godines se Kinoteatrit te qytetit te Ksamilit. Kur punoja ne Sarande si regjisor, kaq here beja prova me grupe teatrore te rrethit per festivalet teatrore qe organizonim aty. Njihja çdo skute te asaj godine. Si çdo godine kulturore, pas vitit 1990 edhe ajo nisi te degradonte pak nga pak nga pakujdesia, sido qe ishte nje ndertim i ri. Por ja, e mori Limozi ne kujdestari dhe ajo sikur mori fryme. Une kam shkuar disa here aty. Por s'e heq nga mendja kur shkova ne nje nga bujtjet e mia, dhe te dy me Limozin ia nisem ca kengeve te tij, ai ne piano e duke kenduar, une i thekur e pas kenges se tij. Nje mrekulli... Por nuk ishte kjo mrekullia e vertete. Mrekullia qe Limozi kishte bere me ate ngrehine te "plakur" para kohe ishte se tashme ai e kishte zbukuruar me mjedise, lule, peme, gjelberim, arredim te dhomave dhe studiove, krijimin e nje biblioteke me libra te dhuruar, pianot per mesimin e femijeve, valltaret e vogla dhe sidomos me rikonstruksionin e salles se madhe te shfaqjeve, me ndenjeset dhe aksesoret e skenes, te gjitha te mirembajtura. Te vinte t'i thoshe: "Bravo Limoz Dizdari per kete kujdes dhe pune te lavderueshme qe ke bere!" Kisha pare disa koncerte instrumentale, qe ne ate mjedis ende fshatarak te Ksamilit, ishin ku e ku me lart nga çfare mendja jote mund te parashihte.Gjithe kohes ai kishte ne koke projekte, enderronte te ringjallte ansambin e madh te kenges me orkester, kor e komplekse; donte te bente takime zonale te teatrit, estradave, ansambleve, gjer dhe foltore me natyre akademike ne rrahje temash te shumefarta, kryesisht me brendi e format dijeformues. Beme dhe nja dy projekte se bashku. Por bah! Nuk gjente mbeshtetje as nga Ministria e Kultures, as nga Bashkia Sarande. Dhe kjo e deshperonte pa mase...
Deshperimi iu rrit vit pas viti. Nje here i thash: "Pse nuk shkruan Limoz, muzika tende duhet te jete sot prijese, kunder kesaj tallavaje dhe vulgarizimi qe po na mbyt". Ai me pa ne sy dhe siç e kish zakon, ma keputi: "Perse te shkruaj, kenge per shalet e zbuluara e te pacipa, per injorantet, per llumin, per rakine, per rumba-dumblla, per çfare? Jo! Muziken sot e kane bere llum... llum..." Eh, muzika e Limozit, çfare kthjelltesie qe ka! Ai nuk mund te bente muzike per tollovite e seksualitetit banal si tema baze, as per hajgaret dhe dum-dumet shurdhuese. Shpirti i tij eshte poetik, ndjeshmerite e tij muzikore jane sublime. Nuk mund te ikje nga mali e te bije ne kenete...
I dhashe te drejte. E qepa.
Dhe tani kam nje peng timin...
Para thuajse nje viti, aty ne Sarande, tek rrija me nje mikun tim artist e po pinim nje kafe, erdhi dhe Limozi. Kishte kohe qe ishte i shqetesuar per fatin e Qendres se tij kulturore DEA - ish kinoteatri i Ksamilit. Donin t'ia merrnin, ta debonin prej andej, se kontrata e lidhur per perdorimin e mjediseve te saj kishte mbaruar. Duke biseduar, edhe duke i qare hallin sigurisht, une i thashe: Limoz, perveçse je nje artist i shquar, ti ke qene dhe nje personalitet politik i te majtes, deputet, kryetar i Lidhjes se Shkrimtareve dhe Artisteve, anetar i kryesise se LSI. Ti te duan, te respektojne. Besoj se ke miq plot, te cilet kane influence te PS dhe kryeministri, ua degjojne fjalen. "Te kush, te kush? - me nderpreu ai. - Vertet ti beson se une do t'i lutem atij, te gjatit, se do t'i perulem? Sa gabim po ben, Josif! Nuk e dua kete keshille nga ty". Une u ndjeva si i zene ne çark. I thashe, ne thelb, ne ate muhabet e qarje halli, pak a shume, se jeta keshtu rrotullohej, se ata qe e kishin ne dore ate pune ja qe e dashkan ndonje "perkedhelje" ne seder, ndonje mesazh dykuptimesh se nuk po i lufton e kundershton, se paku donin pasivitetin e tij, heshtjen, per te shmangur çdo meri dhe kapriçio, qe prishte pune... ishte, afermendsh, nje gjykim pragmatist dhe bizantinist i imi, duke e pare me sy kete dreq realiteti ku frymojme. Ne asnje menyre, ma preu ai. Une dua te drejten time, asgje me shume.
Pastaj mora vesh se Limozit po ia merrnin ate qender kulturore, qe ai e kishte ngritur me thonje dhe e kishte bere model hijeshie. E pashe ne ekrane dhe lexova per të ne shtyp se po bente protesta individuale gjer prane dyerve te Kryeministrise per ta kundershtuar vendimin e marrjes se Qendres. Kerkonte mbeshtetje nga njerezit, opinioni publik, ojq-te. Heshtje. Nje lodhje ndihej tej e tej mbi ta. Si perhere njerezit qene te ftuar te klithnin, te shaheshin dhe te boksonin ne tifozerite e politikes. Dhe ne nje nga keto dite, jo me larg se nje muaj, te kafe LIBRI, teksa pija kafen e mengjesit me dy miqte e mi, ia behu papritur Limozi. E ftova per nje kafe, por ai me tha se po e priste nje mik gazetar brenda, per t'i paraqitur problemin e tij. Ishte Skender Minxhozi. E pyeta se si po shkonte puna, me tha ca fjale, pastaj siç e kishte zakon, sahanet pa kapak, shtoi: Nuk ke shkruar asgje per mua dhe per shkaterrimin e Qendres Kulturore DEA. Eh, o Limoz, e kush ma var mua, ia ktheva, fol kot, gure ne hava, ku duan t'ia dine keta!... Jo, kembenguli ai, fjala jote peshon! Ok, vijova une, meqe e ke merak, do shkruaj diçka te forte...
Por nuk e shkrova dot. Gjithfare angarish dalin e futen neper kembe. Por çfare do kisha shkruar valle? Po ja...
Shtet shqiptar dhe politikane qe keni kyçet e gjithçkaje ne kete vend! I frytshem valle eshte veprimi juaj qe ate godine te bukur me mjedise te qendisura rreth e rrotull nga dora e Limoz Dizdarit, e quajtur ndryshe QENDRA KULTURORE DEA ne Ksamil t'ia hiqni nje artisti te madh si ai dhe ajo te bjere ne duart e nje organizate a ca njerezve pa emer, qe nuk e dime çdo bejne neser me te, siç u be me dhjetera e qindra ngrehina kulturore, salla kulture, teatri, kenemaje, muze, kinostudio etj, te cilat u zhvaten pa meshire, u shqyen, u molen per te fryre barqet e lloj-lloj militanteve e jesmeneve tuaj majtas e djathtas, te cilat per t'i kthyer ne burime parash dhe mbushje barqesh nderruan destinacion, dhe u prishen, dhe u bene shumekateshe etj?! A do jete nje e tilla edhe ajo, QENDER DEA neser apo do kthehet ne nje mejhane salçicesh e tymi me shume per te majmur ca zhvates te "institucionalizuar" sot, por qe neser nje zot e di se si mund te nderrojne lekuret. Edhe gjarpri, thone, nderron shtate lekure... A nuk ishte e dinjitetshme qe ate institucion ta mbante ne perdorim ky artist i madh, ky etalon i muzikes shqiptare, i lindur per art dhe qe e do artin, qe e ka shtepine e vet, jo nje bodrum?!!!...Boll pleherishte ka Shqiperia, ajo qe nhe lulishte. Dhe... dhe... me vjen keq t'ua them, por ia plaset shpirtin artistit tone, Limozit tone. E çfare ju kishte bere ai?! Veçse i dha ketij populli ndoca perla te rralla, kenge himne kombetare, nje muzike qe tingellon yjeve dhe dritheron shpirtit tone. Ia vrate shpirtin, o qeveritare, ia ndotet muziken, ia shqyet endrren e bukur qe kishte, ia bete pis ate strehez ku ai me siguri do te vijonte qe te buisnin zera dhe tinguj arti... Ia bete tallava...
Ja Limoz, ky ishte pengu im ndaj teje!
Comments