top of page
Search

LIRIKA NËPËR TË CILAT LEXUESI SIKUR UDHËTON BASHKË ME NDJESITË E AUTORIT

NË VEND TË RECENSIONIT

Nga: Zoica GJOLLA POPI


Si bashkudhëtare në jetë me shumë fat e njoh mirë, jo vetëm karakterin brilant të një fisniku të rrallë, siç është Agimi, por dhe botën poetike shumë të pasur të tij! Kam dyzetë e gjashtë vite që i gëzohem talentit të tij e kjo e ka zbukuruar më shumë lidhjen tonë shpirtërore.

Kam ecur në udhën e jetës si një fëmijë që më kishte marrë një profesor përdore e më çudiste përherë e më shumë me thesarin e njohurive të grumbulluar si një mik i ngushtë e klasës e i librit!

Im, bashkëshort, Agimi, mua më ka mahnitur si me librin e aforizmave le titull: “Në dritën e mendimit”, në linjën letrare e filozofike, ashtu dhe me librin e tij të dytë me poezi “ Me varkë në det”. Të dy këto libra janë redaktuar nga poeti e shkrimtari i shquar i elitës së krijuesve në letërsinë shqiptare, prof. Mikel Gojani.


Të jetë ky bashkëpunim i shkëlqyer me vlera kulmore me të dy që lexuesit i jepet në dorë. Sa bukur e krenari kur vlera shkruan për vlerën e mbetet mbivlera duke e pasuruar nivelin e botimit të një libri interesant! E them këtë me bindje të plotë pasi edhe se i njihja poezitë një nga një; më ndodhi ajo tërheqje magjike para një libri poetik të një stili unik e të veçantë, siç është vetë autori.

Talenti në fushën e aforizmave e lëvruar nga pak autorë në letërsinë shqiptare, i barsoletave dhe i lirikës, i japin ngjyrën karizmatike. Ai bashkëbisedon lirshëm e çiltër me lexuesin duke u bërë pjesë e pandarë e tij. I jep në dorë shpirtin lexuesit duke e bërë atë ta gjejë veten në përjetimin si ai. Kjo është mjeshtri nga ana e autorit.

Autori, librin e ndan në katër kapituj duke i titulluar të njëjtë me poezinë si një strofë perlë:


“Flas me hënën”; “Bota sot”; “Një tufë lule” dhe “Me varkë në det”.


Me këto lirika lexuesi sikur udhëton bashkë me ndjesitë e autorit. Si thoni e bukur apo jo?


Të udhëtosh me “Me varkë në det” me magjinë e muzikalitetit poetik”, tek poezia “Gonxhja”:


E prekja me dorë, e ledhatoja

Të çelte gonxhja i këndoja,

La, Re, Mi, So...

Me zërin e lartë si tenor...


Është vërtet një ndjellje magjike për lexuesin e tij.


Do të veçoja poezinë të shkruar si emigrant në Greqi në një moment sfide me shëndetin tim. Mu duk sikur kjo poezi ishte motivi më i bukur për ta jetuar jetën me çmimin e saj:


“ Shoqja e jetës”.

Në flakën e dashurisë

“Si fitili zemra ime digjet.....”

E kur në këtë poezi do të lexoni një thirrje poetike të autorit.... të ngjallet optimizmi për jetën. Kjo është dhe stolia e poezisë me Ah ...e....Oh .....të shpirtit, ku Agimi e shpreh në tematikat e tij të shumëllojshme. Ai është një poet internacional. Shqetësimet e tij janë për të gjithë popujt e botës: Në poezinë e tij, “Bota sot”:


Ah të bëja një ilaç për dashurinë,

Gjithë njerëzit e botës ta pinë...


Është dëshira e autorit me një vizion për të ardhmen për dashuri e paqe njerëzore.

Ai me kulturën e thesarin e dijeve të tij e përdor vargun e bukur me rimë e metrikë në funksion sa të thjeshtë shoqëror, po aq shigjetar në veset negative të saj...


Agimi si një udhëtar i emigruar nga vendi i tij i kujton lexuesit ato momente të vështira që me gomone përcilleshin plot rreziqe për jetën , tragjeditë e ndodhura për një shpresë e jetë më të mirë kësaj udhe të paditur!


Agimi shkon më tej .... në lirinë e mendimit, të fjalës si dhuratë e çmuar për lexuesin e tij. Të gjitha këto përcillen tek lexuesi me figura letrare mahnitëse, metaforat dhe krahasimet sikur e ledhatojnë fjalën duke krijuar një djep përkëdhelës që lëkundet në shijen e ëmbëlsinë si ninulle e bukur.


Vëllimi poetik, “Me varkë në det”, botohet me rastin e 71- vjetorit të ditëlindjes së Agimi, një dhuratë e çmuar nga miku i tij i shtrenjtë Prof. Mikel Gojani për lexuesit po aq të dashur! I shprehim prof. Gojanit mirënjohjen tonë familjare për punën e tij të palodhur e me shumë nivel shkencor, estetik dhe letrar.


Të dy këto libra janë krijuar në momente të vështira me shëndetin që ka përjetuar Agimi duke na dhëne një mesazh të fuqishëm:

Krijuesit me talentin e tyre janë titanikë e me këtë dhunti çudisin shkencën e mjekësisë për të bërë të mundur të pamundurën në shërbim për të shëruar dhimbjen e tij e të jetë i devotshëm për familjen e shoqërinë. Mendoj që është një arsye më shumë për të mbetur e kujtuar si pasuri në letërsinë shqiptare bashkëkohore!


I uroj me dashurinë e shpirtit shëndet të plotë, suksese pa fund pendës e mendjes së tij të Artë edhe 100 vite të tjera në lumturi të përjetëshme mes nesh!

London, 17.6.2021

Comments


bottom of page