Kuptohet, numri i vëllimeve të publikuar nuk të bën poet te mirëfillt.
Perkundër, te kthen thjeshtë pyllprerës dhe druvar i dalluar, se dru në pyll sharrohen pèr të prodhuar letër.
Nisur nga vlerat që të përcjell krijimi poetik, ndien kënaqësi estetike kur të bie në dorë një libër i virtytshëm me pasuri mesazhesh e cilësi stilistike.
Pikërisht këtë përjetova dhe mendova në përfundim të leximit dhe rileximit të librit të gjashtë nga poeti Dashamir Malo.
Shkurt mendoj se poezitë e këtij vëllimi e thellojnë më shumë gërmimin dhe kërkimin e pesë sivëllezërve të më parshëm duke stabilizuar edhe më tej këndvështrimin poetik të këtij krijuesi të talentuar.
Cilësitë e poezive të Dash Malos janë të dukshme e të spikatura deri në gdhendje të admirueshme.
Të emocionon hijeshia e vargut, shkurtësia proverbiale e krijimit, nëntekstet e shumëfishta, figurat e mëvetësishme dhe origjinale, elrganca e dhenies së mesazhit, ndjeshmëria ylberore e të tjera vlera të lakmusra nga gjithëkush që tenton të shkruajë POEZI.
Faleminderit i nderuar poet Dashamir Malo që më falët kënaqësi të bukur estetike me lirikat tuaja aq të ndjera! Urime!...
Poezi nga Dashamir Malo
Ylberë të rremë
Cikël me poezi shkëputur nga vëllimi poetik “Fshehja e lotit”, botim i Shtepise Botuse “Milosao”, 2006
Gjoni
gjoni e nisi këngën e tij të vjetër
mbi një lis
tani që mbrëmja e vagullt po bie
nata sjell me vete një paqe të rreme
teksa vështron me sytë e të pabesit
dhe dëgjon me veshët e hajdutit
si mahmurr rri atje tej
mali plak
me një qiell të shpërfytyruar
mbi krye
dhe një hënë
që veten ha nga pikëllimi
kjo natë
që përbujt ankthin
i treti udhët tona në errësirë
një carcaf të grisur reje
si një flamur pas një betejë të humbur
e tund era e tërbuar e janarit ...
hesht!
kalon dikush
apo shiu këmbëzbathur qëmëton
nëpër gjethurina?!
shëët hesht!
dikush kalon…
po dhe në kaloftë
udhëhumbur do të jetë
Ylberë të rremë
Rekuiem
mbrëmjeve
dëgjonim një moshatar që qante
mëngjeseve gjithashtu
u rritëm
në sajë të urisë
shpresonim
kjo ishte e vetmja zgjidhje
që na kishte mbetur
dëshirat tona
ishin ylberë të rremë
që i treste koha
prisnim të ktheheshin zogjtë e ëndrrave
ata prej kohësh na kishin braktisur
pritëm
pritëm gjatë
nuk duhet të qanim
vetëm duhet të qeshnim
ndaj dhe qeshnim trishtueshëm
pastaj
pastaj u bëmë të belbër
forma sendesh morën qëniet tona
dita-ditës vdisnim pak e nga pak
dhe dyshonim
shumë e më shumë
Ikja e doktorit
(Kushtuar doktor V. Gjinit)
ika tinëz
pa ju lajmëruar
sepse ju o njerëzit e mi të shtrenjtë
me dashurinë tuaj
nuk do të më kishit lejuar
kurrësesi
të mërrja rrugën e moskthimit
vetëm Irisit të vogël i thashë:
gjyshi do të iki për pak kohë
larg
në Amerikë
të më falni…
të dielën time të fundit
u zgjova herët
pashë lindjen dhe perëndimin e diellit
cdo gjë e pergatita vetë
larjen e fundit
darkën e fundit
në një sirtar lashë disa receta
për të sëmurët që vizitova
së fundmi
lashë një shumë të hollash
për zyrën e shërbimeve funerale
pastaj vesha kostumin
që e kasha blerë për ditën e nesërme…
teksa muzgu ra e qyteti i ngjethur
tulatej
në mbremjen e fundit të dhjetorit
dola në rrugë
nëpër shtyllat elektrike ngjita njoftimet
dhe ju lashë takim për në orën 14
të ditës së hënë
Imazhi yt
tek eci i vetëm buzë mbëmjes
dehur prej flladit të luginës
më shfaqet befas para syve
hija jote që shkon tinëz
vërtet je ti që më ndjek pas
a ndoshta është imazhi i rremë
tek më shfaqet në një breg
tek më fshihet në një pemë
ky imazh më del përpara
nis më flet me emrin tënd
lëviz trupin si purtekë
më dalldis më josh më çmend
pastaj hop më ikën tutje
dhe zhvishet buzë liqenit
eja me mua më thotë
hidhi gradat e kapitenit
si hyjneshë duket zhduket
nëpër ujët krejt të qetë
prapë më thotë: nëse nuk vjen
çfarë kupton ti nga kjo jetë!?
por veten pyes: vallë si mund
të dashurohesh me një hije
jepu këmbëve kapiten
nata korb i zi po bie
Bie një shi vjeshte
rrugët krejt i lag
gjethet krejt i shtie
bie një shi vjeshte
një shi vjeshte bie
as gëzim më sjell
as trishtim më bie
bie një shi vjeshte
një shi vjeshte bie
udhës së përbaltur
të prisja të vije
bie një shi vjeshte
një shi vjeshte bie
iki pastaj muzgut
tinëz si një hije
bie një shi vjeshte
një shi vjeshte bie
nis këndoj me vete
një kënge vetmie
bie një shi vjeshte
një shi vjeshte bie
Një grua plakë
një grua plakë
zgjohet ndaj të gdhirë
nxitimthi del nga shtëpia
zgjat dorën
një copë gris prej yllit të mëngjesit
një copë
dhe si shami e lidh në kokë
një plakë çemberbardhë
me draprin e hënës në sup
shkon nëpër ara
të korri vetminë
mbjellë vite e vite më parë
Humbur ti e humbur unë
nata mbeti murgatore
pa një yll përmbi Dhëmbel
bregu i Vjosës në shelgjishte
gjethe pikëllimi çek
mbetën ëndrrat diku larg
si një re që i tret era
nëpër rrugët me gëzhoja
ndoshta vjen a s’vjen pranvera
dhe në zemrat plot lektisje
prilli vjen e sjell furtunë
pas mëngjesit mjegulluar
humbur ti e humbur unë
Fshehja e lotit
nënë
ma dërgove çajin
mbledhur me mundim
nëpër rrëpira,
unë i fsheh lotët
para vajzës
nga ky mall i beftë
nga ky dreq
që e martë
e mira!
Athinë 1999
Eh kjo vjosë!
kjo Vjosë
e ardhur
degë më degë
hakmarrëse ndaj gushtit
qe e shteri
ecën si e tërbuar
shkul
thyen
rrëmben
përplas
mbyt gjithcka
që i del përpara
eh kjo Vjosë
e papërmbajtshme
si një grua
e tradhëtuar
prej burrit!
Shkurtima
* * *
zogjtë e dashurisë
i nis korijeve
dhe bregoreve të tua
të ëmbla
e bashkë bëjmë pranverën
* * *
me dhimbje
shkoj
drejt dhimbjeve të mia
veç kthehem
më njerëzor
Gramatika e gjuhës shqipe
ah
të kasha
të kishe
të kishim!
ah
të isha
të ishe
të ishim!...
* * *
ullinj
nëpër kreshtat e kodrave
si udhëtarë mitikë
të palëvizshëm
që s’do të arrijnë
kurrë
për atje ku janë nisur
* * *
jam
çasti i mbetur
i një kohe
të vidhisur
e mbi vetë mbaj
dëshmi gjuhëprera
Miqësia jonë
miqësia jonë
gjelbërim që s’i bindet
vjeshtës
* * *
si kufomë jam këtu
tek valët e Jonit
shpirti më llapaçitet
athinë 2002
* * *
shprusheni hirin
e vatrës së shkretë
emrin aty do ma gjeni
* * *
sërish në Cajup
ndjej hapin e lehtë të një sorkadheje
e supit më ulet një harabel
* * *
s’u kthyen më dallandyshet
gjoni
vajton nëpër qarre
* * *
shumëngjyrëshe
kurmet e hurmave në vjeshtë
si gra
të përfshira
nga flakë pasioni
댓글