top of page
Search

Lulet - opinion nga Gladiola Jorbus

Lulet janë një thesar i çmuar i natyrës. Me ngjyrat dhe aromën e tyre, na gjallërojnë dhe na mbushin me lumturi.

Gjuha e tyre është autentike; floriografia vjen si një mjet komunikimi kriptologjik që zbërthen poliseminë e luleve, që aq shpesh kanë bërë të harrohen zënkat, mëritë, kanë ëmbëlsuar ethet e pritjes, kanë zbukuruar altarët, kanë shprehur dhembje në funerale e kanë përgëzuar arritjet e personale e shoqërore.

Të paqta, poetike, emocionuese dhe gjithpërfshirëse: lulet ju mundësojnë të hyni në kontakt të drejtpërdrejtë me natyrën, duke ju dhënë aromën e pakrahasueshme të trëndafilit, bukurinë marramendëse të tulipanit, madhështinë e lulediellit, ose modestinë e një lule vjollce. Lulet kanë pasur gjithmonë një rëndësi jetike në rrugën e komunikimit midis njerëzve, nga Lindja në Perëndim.

Gjatë shekujve, lulet kanë qenë mënyra më e mirë për të përcjellë mesazhe të veçanta. Është e bukur dhe e dobishme të njohim këtë trashëgimi simbolike, për të dhuruar lulet e duhura në çdo rast dhe për t'i dhënë vetes forcë në manifestimin e ndjenjave.

Lulet shërbejnë për të bërë deklarata dashurie, urime festive, për të shprehur pasion, xhelozi, posedim, butësi, miqësi etj. “Thuaje me një lule” është motoja e trashëguar nga brezi në brez, e cila ka rezultuar gjithnjë e suksesshme për të shprehur ndjenjat pa fjalë. Simbolika e luleve është një art më vete, sa i bukur aq dhe intrigues.



Të dhurosh lulet e duhura do të thotë të dërgosh mesazhin e saktë, i cili përkufizon plotësisht gjendjen tënde shpirtërore. Psh., ndjenja e zhgënjimit shoqërohet me karafilë të verdhë; dinjiteti me manjola; shkëputja me lule borë; dashurisë besnike i shkojnë për shtat margaritat; pritjes i korrenspondojnë - anemonat; miqësisë së sinqertë- akaciet e bardha; dashurisë së përjetshme - lulja mosmëharro; bukurisë së femrës- trëndafilët e kuq; pafajësisë – zambaku i bardhë; indiferencës, mosbesimit, krenarisë – gladiola; integriteti – aloe; lirisë – mimozat; gjallërisë – lulëkuqet; paqes – krizantemat; simpatisë-gardeniat; egoizmit – narcizi; sensualitetit, pasionit,sqimës – orkidea; fyerjes e zemërimit – petunia; tradhëtisë – lulja e shtogut; shpresës e mëshirës – lule pishe; mikpritjes – lule lisi; shenjë mbarësie – ylli i krishtlindjes etj.



Në se dëshiron të shqiptosh vetëm dy fjalë që përmbajnë esencën e të gjithë ndjenjës sate, pra “Të dua”, atëherë bëje me tulipanë. Ndoshta për shkak të legjendës më të lashtë (me origjinë persiane) që lidhet me këtë lule, e cila argumenton se tulipani ka lindur nga pikat e gjakut të një të riu, i cili është vetëvrarë nga një zhgënjim dashurie.



Dhe jo vetëm; ndryshe nga trëndafili, tulipani nuk ka gjemba, ndaj mund të asociohet shumë mirë me një dashuri që nuk ther si gjemb. Në se dëshironi të përçoni mesazhe e lajme të mira apo të uroni dikë që po ndërmerr inisiativa të rëndësishme, do t’ju duhen shumë irisë. Por bëni kujdes me ngjyrën e tyre !


Në se janë të verdhë, mbartin kuptimin “Po digjem nga pasioni për ty”! Dhe në letërsi, muzikë, pikturë, kinematografi etj., është tejet i lëvruar përdorimi i luleve. Shekspiri e përdor fjalën “lule” më shumë se 100 herë në veprat dhe sonetet e tij. S’mund të lëmë pa përmendur romanin e ekranizuar të John Galsworthy –t “Lulet e mollës”, poemën “Lulet e verës” të Naim Frashërit, “Lulet e ftohta të marsit” të Kadaresë; këngët e mirënjohura qytetare “Lulja e majit”, “Lule borë”; pikturën “Magnolia mbi kadifenë e kuqe” të Martin Johnson Heade apo motivet e magjishme floreale në tablotë e Gustav Klimt-it etj.


Për ta përmbyllur përimtimin tim rreth luleve,(nisur dhe nga simpatia për shkak të emrit që mbaj) s’mund të ketë frazë më të goditur se aforizmi i mëposhtëm për të shprehur vlerën e tyre:

Tri gjëra na kanë mbetur nga Parajsa: yjet, lulet dhe fëmijët.



コメント


bottom of page