top of page
Search

Madhështia e thjeshtësisë - opinion Gladiola Jorbus

Updated: Dec 29, 2019


Ajo konsiderohet një çrregullim psikopatologjik që karakterizohet nga mbivlerësimi i vetes, i aftësive, i dijes, i marrëdhënies me hyjninë, i cilësive, i pushtetit etj.

Filozofi anglez Bertrand Russell shprehet se” Megalomani ndryshon nga narcisisti, pasi ai dëshiron të jetë më shumë i fuqishëm, se sa i pashëm; kërkon ta kenë frikë, në vend që ta duan. Në këtë kategori bëjnë pjesë mjaft lunatikë dhe disa nga njerëzit më të mëdhenj të historisë”. Në pëgjithësi, deliri i madhështisë i ka rrënjët në mungesën e vetëvlerësimit dhe vetëbesimit që në fëmijërinë e hershme.

Kush impostohet duke mishëruar tipare që bien dukshëm në kontrast me sjelljen dhe kapacitetin e tij, lë përshtypje të paqena për veten dhe megalomania kryen funksionin e një mekanizmi mbrojtës. Ai që transformohet në një megaloman, e bën i nxitur nga dëshira për të qenë zot i vetes dhe jo viktimë e përjetshme e shoqërisë.

Ndoshta megalomania është një sjellje mendore e përdorur nga individi si një mënyrë për të mposhtur ankthin që lind nga frika e humbjes, braktisjes apo zhgënjimit të cilat janë pjesë e pandashme e jetës. Nisur nga ky këndvështrim, tek megalomania do të identifikoja një formë ekstreme vetëmbrojtjeje deri në persekutim, përkundrejt frikës së ndarjes nga (personi, objekti) që kanë përzemër. Për fat të keq, ai që vuan nga deliri i madhështisë, shpeshherë nuk shfaq as interesin më minimal që të bëjë ndryshime, apo të reflektojë mbi sjelljen e tij. Sa megalomanë aparatçikë na përfaqësojnë “veprat e bëmat” e të cilëve rëndojnë më shumë se kudo, në mendjet e tyre të ngushta. Kontradikta themelore e këtyre karaktereve qëndron në faktin që i japin vetes, më tepër vlera seç u takojnë.

Sa shembuj të tillë mund të numërojmë midis personazheve publike, politikanëve, drejtuesve e sidomos diktatorëve! Ata turbullohen nga mania e madhështisë duke e manifestuar këtë, në mijëra mënyra. Ndërkohë, të gjithë ne duhet të bindemi se madhështia frymon në dejet e monotonisë së ditëve tona. Dhe kështjella më madhështore, dhe piramidat, dhe bota vetë janë ndërtuar ditë pas dite, tullë pas tulle, hap pas hapi.

Shumë nëna të hekurta, shumë heronj të heshtur ecin çdo ditë, përkrah nesh. Kush e kthen vështrimin drejt tyre?! Askush! Sepse ata s’janë megalomanë, por njerëz modestë, të cilët përballen me sfida të epërme, ndaj mundësive e fuqive të tyre. Nuk dinë as të mburren, as të imponohen, por veç guxojnë e sërish guxojnë për t’u mbijetuar “betejave” që u ofron e përditshmja. Secili prej nesh mund të ndihet madhështor teksa përmbush detyrimet e tij, teksa ushtron të drejtat e veta, apo teksa gëzon jetën; krejt natyrshëm e pa tepri.

Në marrëdhëniet e sotme të bashkëkohësisë të qenit i zakonshëm mbetet një virtyt i jashtëzakonshëm.

Comments


bottom of page