Tregim
( Marre nga libri me te njejtin titull )
Në qytetin bregdetar të ardhur para disa kohësh, Silvana sikur e kishte kaluar atë hutimin e parë të daljes jashtë shtetit.
Apartamenti i përshtatshëm për të dy ishte afër qendrës. Punën e fillonte herët, duke u mahnitur me ngjyrat e qiellit të sapo zgjuar nga nata. Ylli i parë i mëngjesit akoma farfuriste me zbehjen e tij e ajo sa herë e shihte e thërriste nën zë emrin e Sokolit që me siguri ishte duke pirë kafen e mëngjesit, ashtu shpejt e shpejt me cigaren e ndezur.
- Brunja ime me sy blu, shpirti më i bukur Ti - e përkëdhelte ai.
Ajo duke nxituar hapat, si shumë kalimtarë të tjerë, herë pas here hidhte sytë nga qielli, në shtresën blu, nga ku fillonte të hapej dalëngadalë dhe t’ia linte vendin hapësirës në të kaltër.
Aty këtu shfaqej një sfond lejla e zbehtë me një ndriçim të fshehtë diellor, si një lojë kukafshehthi i diellit me ditën e re.
Ah sikur të dinte të pikturonte! I pëlqenin pikturat me peizazh, aq sa humbiste në fantazinë e piktorit. Por ky peizazh i bukur, ishte një tërheqje për andrallat e së përditshmes. Zhurma marramendëse sikur mekej pranë semaforëve kur lejohej kalimi i shpejtë i njerëzve.
Rrugës ndonjëherë të shoqëronin qentë pak të lënë pas dore, disa të abandonuar. Silvana qeshte, kur qentë ndalonin në semafor dhe prisnin të qetë të dilte ngjyra jeshile. Thua e kuptonin, apo instinktivisht shkonin me kalimtarët?! Ndiqnin të qetë ritmin e njerëzve që i shikonin me shumë dashuri!
Pranë kishës së lartë të “Shen Marisë” harkohej në formë gjysmë rrethi Kamara e vjetër që sikur përkonte me kambanoren përballë. Sapo kapërceje rrugën “Egnatia” shfaqeshin rrënojat e një amfiteatri antik, i preferuar nga të rinjtë pak melankolikë me pijet e tyre në duar dhe të shpërndarë në grupe të vogla. Përsëri kapërceje rrugën dy kalimesh të makinave në “Agjia Sofia“ ku Silvana frekuentonte vitrinat e dyqaneve të firmuara të dielave, pasi i pëlqente të ndiqte modelet e veshjeve me ngjyrat dhe dizajnin e stinës.
Fundjavës të dy me Sokolin, të kapur dorë për dore, zbrisnin tek paralija. Qyteti me jetë njëzetekatër orësh, të joshte me freskinë e ajrit të kripur të detit. Darkat ishin mahnitëse. Trenat e vegjël, pajtonet me kuaj të zbukuruar, anijet plot muzikë të krijonin mundësinë të shëtisje bregdetin edhe në rrugë taksore e detare.
Duhej të integrohej shpejt. Merrte gazetat në stacionet e autobusëve, i shfletonte duke ua hedhur një sy. Nxirrte fletoren e stilolapsin që e mbante gjithmonë në çantën hedhur krahëve, shkruante pa fjalë pa ua ditur kuptimin, donte ta mësonte sa më shpejt gjuhën edhe pse e ndihmonin metodat që kishte sjellë me vete.
Pasi u kthye nga një linjë autobusi nga ku kish soditur pa zbritur lagjen e dëgjuar për bukurinë shumë të madhe të “Panorames”, u ul në qendrën e “Aristotelit”. Busti i tij i bardhë i jepte sheshit me pllaka po të bardha katrore, një hijeshi të veçantë. U çudit duke parë për herë të parë një koncert live të këngëtarit që ishte i preferuari i saj, Antonio Remos. Njerëzit me veshje të lehtë nga vapa, nuk përmbaheshin. I hidhnin lule këngëtarit, këndonin bashkë me të, e kërcenin të kapur dora dorës dhe nganjëherë, në kulmin e tyre, rrihnin bukur pulpat e këmbeve, karakteristikë e valleve të bukura greke.
Kishte turistë nga shumë vende që argëtoheshin në Selanikun e bukur me klimë të ngrohtë.
Fotografonin ndërtesa, kisha, përmendore, orën karakteristike në mes të një lulishteje plot panse shumëngjyrëshe deri qendrën tregtare ku shitej me shumicë, nga të gjithë llojet e ushqimeve, veshjeve.
Aty kishte edhe dyqane me mallra antike dhe tregu i madh i peshkut të freskët.
Tregtarët thërrisnin me zë të lartë sikur gjithçka po mbaronte dhe në konkurrencë ulnin herë pas here çmimet.
- Ela.... ftino psaria... peshk i lirë... fresko psaria... peshk i freskët.
Silvana blinte tek një djalë simpatik e hokatar që e kishte dhëndrin e shoqes. Të gjithë e donin. Punëtor e hokatar ai thërriste: “Hajde ngjala.... peshk... për ta koricia.... e për gra që duan të ngelen shtatzëna, për burra që pëlqejnë cipuro...”, e të tilla shakara që tërhiqnin klientë të shumtë!
Ajo kur e dëgjonte qeshte me lot, por thellë nganjëherë e sëmbonte në shpirt pasi kish pasur dy aborte dhe shpresonte përsëri për një fëmijë.
Comments