Makiaveli: Nëse janë popujt ata që zgjedhin sundimtarët e tyre, a munden edhe t'i përmbysin ata? Nëse ata kanë të drejtën të vendosin formën e qeverisjes që dëshirojnë, kush do t'i ndalonte ata ta ndryshojnë atë? Nga doktrinat tuaja nuk do të rridhte regjimi i rendit e i lirisë, por një epokë e pafundme revolucionesh.
Monteskie: Ju ngatërroni të drejtën me abuzimin që mund të rrjedhë nga ushtrimi i saj, parimet me zbatimin e tyre. Këto janë dallime thelbësore, pa të cilat nuk mund të kuptohemi.
Makiaveli: Mos u përpiqni të devijoni bisedën, unë ju kërkoj përfundime logjike, ju mund të mos m'i jepni nëse nuk dëshironi. Por, nëse mundeni, më thoni, sipas parimeve tuaja a kanë të drejtë popujt të rrëzojnë sovranët e tyre?
Monteskie: Po, në raste të jashtëzakonshme dhe për kauza të drejta.
Makiaveli: Dhe kush do të gjykojë për këto raste të jashtëzakonshme dhe për drejtësinë e atyre kauzave.
Monteskie: Kush mendoni ju se mund ta bëjë tjetër përveç vetë popujve? A kanë shkuar ndonjëherë gjërat ndryshe qysh se ka lindur njerëzimi? Eshtë thikë me dy presa, pa dyshim, por diçka e dobishme dhe e pashmangshme. Si nuk e kuptoni se doktrina e kundërt, ajo që do t'u kërkonte njerëzve të pranonin qeverisjet më të urryera, do t'i bënte ata të binin në zgjedhën e fatalizmit monarkik.
Makiaveli: Sistemi juaj ka vetëm një mangësi: ai e merr të pagabueshme arsyen te popujt, por a nuk kanë popujt, njësoj si individët, pasione, gabime, padrejtësi?
Monteskie: Kur popujt bëjnë gabime, ata dënohen, ashtu si njerëzit që bëjnë gabim përpara ligjit moral.
Makiaveli: Dhe si dënohen?
Monteskie: Dënohen nga e keqja e përçarjes, nga anarkia, madje dhe nga despotizmi. Nuk ka drejtësi tjetër mbi tokë derisa të vijë ajo e Zotit.
Shkëputi, përshtati e solli në vëmendjen tuaj prej librit "Dialog në ferr", të Maurice Joly, për kuptimin e lartë që dialogu mbart në vetvete,
Ervina Toptani
p.s. Ky libër është botuar në gjuhën origjinale frënge, në vitin 1865, në Bruksel.
Comments