Një ndodhi në një familje
Burri para se te nisej për punë, i shkeli padashur bishtin qenit te gruas. Konia me pellush ulëriti duke parë gruan e burrit. Ajo iu turr të shoqit me mallkimin e ri të kohës së re:
- Ç'bëre more, shkelet ikona?
Uf, të zëntë virusi Korona!
Burri deshi te justifikohej duke i thënë se e shkeli padashur, por ajo iu turr edhe më me egërsi:
- Mos ma shkel atë mua,
ty s'të dua, qenushin dua!
O Zot, vlera e burrit më e ulët se e qenit, mërmëriti me vete i shoqi duke dalë kokë ulur.
I miri dhe i ligu
Unë banoj në Onhezmi. (sot i thonë Sarandë nisur nga manastiri mbi kodër)
Data është tetëmbedhjetë mars. Bashkë me time shoqe lamë shtëpinë dhe dolëm buzë detit. Dite me diell dhe rrezet këtu janë grishëse.
Mars dhe ende s'ka plazh e turistë. Te ulesh diku, duhet një ndenjëse. Ne këtë nuk e kishim ndaj rrinim në këmbë. Une nisa levizjet me numërim, ndërsa ime shoqe mundohej të sajonte diçka që të ulej. Ndërkohë një punëtor shërbimi, pa ia kerkuar askush, ofroi ndenjësen e vet bashkë me fjalët e thjeshta:
- Uluni, i tha, se grate i lodhin punët e shtepisë.
- Jo, ia ktheu ime shoqe, ju duhet për vete. Punoni dhe keni nevojë të çlodheni.
- Asgjë, ia ktheu punëtori, për njërëzit e mirë përherë duhet të kete një ndenjëse që të qetësohen.
- Faleminderit, qe përgjigja, edhe ju jeni njeri shumë i mirë.
Punëtori buzëqeshi dhe shtoi duke vijuar punën:
- Po të dojë Zoti e bën...
Mandej vazhdoi me zë të ulët sikur këndonte për hesap te vet:
- O të pangopur me paret tona!
Ju zëntë virusi korona!
Kenga ua linte në derë Koronovirusin të liqve që na rrinë sipër e na marrin frymën!
Sa të mirë e sa të liqtë?
Në moment buzeqesha. Një punëtor i thjeshtë e quajti dikë ende pa e njohur njeri i mirë.
Për veprimin që bëri tjetra me te drejtë e vleresoi si njeri shumë të mirë.
Atëherë, mendova, nga miliardat që mban Toka patjetër që shumica janë si këta, pra të mirë e shumë të mirë.
Pyeta veten, po këta të këqinjtë e shumë te këqinjtë sa janë që prishin një botë të tërë?
Patjetër që janë pak e shumë pak.
Pyetja tjetër nxiton të vijë: po atëherë përse jeta dhe Toka janë mbushur me kaq shumë vese, babëzi, urrejtje e sëmundje kur të liqtë janë pak e të mirët shumë?
Përgjigja vjen me aforizma të ndryshme:
- Një dru i shtrembër e prish gjithë barrën.
- E mira vjen me hap, e keqja vjen me vrap.
- Vesin e gdhendin në gurë, virtytin e hedhin në ujë.
Pasi kujton dhe përsërit këto gdhendje dikurshme të popullit, atëherë nuk e fajësoj punëtorin për gdhendjen e re që ka bërë për koronovirusin:
- O të pangopur me paret tona,,
ju zëntë virusi Korona!...
Eh, sa shpejt rriten mallkimet në vendin tim të larë me diell dhe flori!
E kundërta duhej të ndodhte, të rrisnim vetëm urime.
Comments