top of page
Search

Manifesti i Rinisë – RINIA NUK ËSHTË TURMË Poemë nga ELIDA BUÇPAPAJ

Rinia nuk është turmë është alfa dhe beta është nisja dhe fillimi pa fund pa cak pa kufi pa limit turma jemi ne brezi i asgjësë të re nga fronti i tranzicionit brezi i kotësisë i uniformitetit i mendimeve njëngjyrëshe njëshkollonë gatitu që pranojmë shëmtimin në emër të idealeve si pritmëtarët e përhershëm të barbarëve

turma jemi ne rinia është e kundërta jonë rinia është lëvizja tronditja rebelimi për hir të së bukurës rinia është vetë Big-Bangu është grimca e Zotit është ekzistenca materia është kozmosi universi është e hëna deri tek e diela teoria e relativitetit është antimonotonia ikja nga e bardha nga klisheja nga banaliteti i shëmtimit ikja nga metoda e realizmit socialist nga heroi zemërçelik që ia fali jetën kuçedrës parti nga heroina zemërakull që fundin e lumturisë e gjeti në gjirin proletariatit

rinia nuk është turma turma jemi ne që vazhdojmë të brohorasim e të ngrihemi në standing ovation për hiçin e hiçit dhe hiçit i japin fytyrën e ëndërrave tona turma jemi ne që vazhdojmë e flasim me eufemizma që tjetër flasim e tjetër mendojmë që flasim krejt të kundërtën e asaj që mendojmë që i ngremë përmendore cinizmit dhe hipokrizisë që ia shesim shpirtin djallit ne banorët e cirklandit shqiptar me një shpirt cinik të vogël sa një gogël dhe pastaj krenohemi se jemi vazhduesit biologjikë të Nënës Terezë! mjerë Nëna Terezë për bijat e bijtë e saj

rinia nuk është turmë turma jemi ne rinia është e gjitha dhe gjithçkaja është barka e Noes që Zoti e shpëtoi nga Sodoma e Gomorra e fajit për të rilindur jetën është frymëzimi dhe gllënjka e frymës të fundit për t’ia filluar nga e para nga hiçi është thelbi që i ka rezistuar të gjithë tërmeteve të kohës inkuicizionit diktaturave dhe tranzicioneve

rinia është jepi paqes një shans dhe jeto sa një jetë të tërë çdo të mijtë të sekondës rinia është harmonia është rezonanca është mentori ynë Skënderbeu flamuri emëruesi i përbashkët që na bashkon të gjithëve rinia është bota që shohim sa hapim sytë në zanafillë është drita për të parë gjithçka sa dalim nga tuneli i territ kur njeriu beson verbërisht

rinia është e bukura e mira e drejta e vërteta e dlira e pastra shpresa e pacënueshmja e paprekëshmja është kushtetuta e një vendi demokratik ku qytetarët jetojnë të lumtur me djersën e ballit është shteti i së drejtës i barabartë për çdo qytetar të tij

rinia nuk është turmë turma jemi ne rinia është e kundërta jonë antiteza jonë që e lamë fatin në duar eunukësh dhe të shpirtqenëve si thotë populli për ata që kanë zift në vend të shpirtit

rinia vuan për ata që vuajnë rinia nuk pran së vuajturi për t’i dhënë fund vuajtjes në emër të botës më të mirë

rinia nuk është turmë rinia është pranverë përherë që i shkrin ngricat e indiferencës njerëzore rinia të ngre zemrën peshë rinia të bën të besosh prapë të ngrihesh prapë në këmbë që t’ia rinisësh nga e para rinia të merr me vete kudo që ajo shkon sepse e ka me vete lirinë shikoni se me çfarë asonance magjike tigëllon rini-liri sepse liria është vetë ajo rinia rinia është fati i një kombi është fatthënësi dhe fatbërësi i tij!


Comments


bottom of page