top of page
Search

MATURANTËT IKIN JASHTË, PO ME UNIVERSITETET SHQIPTARE ÇFARË DO BËHET? nga Dr.Klodian Muço

Sipas të dhënave të UNESCO për 2018 studentët shqiptarë të rregjistruar në një nga Universitet e botës ka qënë 17.400 nga të cilët 10.700 janë të rregjistruar në Universitetet Italiane. Numër ky që pritet të rritet në mënyrë të ndjeshme në ditët në vijim pasi sipas disa të dhënave paraprake, mbi 5000 maturantë këtë vit kanë aplikuar në Universitetet jashtë Shqipërisë. Kjo shifër përbën gati 20% të numrit të përgjithshëm të maturantëve kalues.

Pra nga një anë numri i maturantëve është në “rënie të lirë”, duke kaluar nga 39.600 që ishte në në 2014-2015 në 35.000 për 2018-2019 nga ana tjetër kjo rënie shoqërohet me një rritje të vazhdueshme të numrit të maturantëve më të mirë që dëshirojnë të studiojnë jashtë.

Sot 12.5% e studentëve, studiojnë në një Universitet të huaj, për këtë tregues që është si “fytyra e Joker” ne jemi të parët në rajon.


Në fakt të studiosh jashtë është një eksperiencë që të ndryshon jetën, të jep mundësi të zhvillosh kompetenca të reja dhe të zgjerosh horizontin. Përbën një hap para për një të ardhmen ndërkombëtare, si në nivel personal ashtu edhe në atë profesional. Të ndihmon në formimin e kontakteve profesionale jashtë dhe në zgjerimin e network-ut të njohjeve.

Studimi jashtë apo në Universitetet e huaja në Shqipëri të jep mundësinë të perfeksionosh një gjuhë të dytë dhe të ndërveprosh me njerëzit e vendit të cilët kanë njw kulturë tjetër.

Po ashtu ikja jashtë të bën më të pavarur, të mëson të menaxhosh financat personale si dhe rrit ndjeshëm perspektivat për gjetjen e një pune, qoftë në vendin tënd qoftë në një shtet tjetër të huaj.

Sigurisht që të studiosh në një nga Universitetet prestigjoze të botës kushton relativisht shumë.


Në Universitetet Amerikane taksat shkojnë nga 41-56 mijë dollar në vit ndërsa kosto e jetesës shkon nga 14-22 mijë dollar në vit.

Në Universitetet Angleze taksat shkojnë nga 21-41 mijë dollar me një kosto jetese që shkon nga 8-19 mijë dollar në vit.

Në Universitettet Italiane taksat shkojnë nga 1-13 mijë dollar ndërsa kosto e jetesës shkon nga 6-12 mijë dollar.

Natyrshëm lind pyetja; se pse kushtojnë kaq shumë Universitetet në fjalë dhe kush është motivi që i bën kaq të shtrenjtë?


Sipas një studimi i cili ka përfshirë 42 mijë manager të cilët u pyetën se nga cilët Universitete do i dëshironin të diplomuarit që do të merrnin në punë, 25% e tyre u përgjigjën se do të vlerësonin të diplomuarit nga Universitetet në varësi të pozicionit që kanë arritur ish studentët e tyre, 25% u përgjigjën se do të vlerësonin më tepër cilësinë e lidhjeve direkte që ka krijuar Universiteti me tregun e punës, 10% do të vlerësonin Universitetet që në stafin e tyre kishin dhe profesionistë/manager, 10% vlerësonin Universitetet nga të cilët të diplomuarit kishin % më të lartë të punësimit brenda një viti. Ndërsa pjesa e ngelur vlerësonte cilësinë e klasave dhe stafin akademik të Universiteteve.


Nisur nga faktet e mësipërme, ku numri i maturantëve është në rënie, numri i studentëve që ikin jashtë është në rritje ndërsa numri i studentëve në IAL-të shqiptare ka rënë me 19% në 5 vitet e fundit, çfarë mund të bëjë Shqipëria për t’i bërë ballë këtij problemi?


Së pari, nevojitet reduktimi i numrit të institucione të Arsimit të Lartë, ka akoma Universitete që vetëem emrin kanë të tillë.

Ne vazhdojmë të kemi gati 8 herë më shumë Universitete për 1 milionë banor se sa Anglia që ka sistemin arsimor më të mirë në botë.


Së dyti, në Shqipëri buxheti për arsimin është më pak se 3% e PBB-së ndërkohë që vendet e OECD e kanë nga 5-8%, nga i cili 1-3% shkon për IAL-të, ndërsa në Shqipëri për to shkon vetëm 0.5% e PBB. Pa para nuk ka arsim.


Së treti, jemi vendi me nivelin arsimor ndër më të dobëtit në Europë. Ndoshta kemi të diplomuar, por këta të diplomuar nuk kanë kompetencat e nevojshme për degën që kanë studiuar apo tregun e punës. Pra sistemi jonë edukativ është i pa aftë për të trasmetuar kompetencat e duhura ekonomisë që çdo ditë e më tepër bazohet te capability.

Nevojitet reformim kurrikulash në universitete për të nxjerrë cilësi dhe jo sasi.

Nevojitet që në administratën publike të premiohen ata me rezultate më të larta nga Universitetet më cilësore, të rankuara më mirë.

Comments


bottom of page