top of page
Search

Mbi detin kaltëror të trishtimit

Nga Gladiola Jorbus





Trill

Dritëzat u shuan në pupilat e mia.

Lotët ëndërrojnë të shndrisin muzgëtirat.

Hijet notuese kridhen

mbi detin kaltëror të trishtimit.


E dhembjet - fshikullojnë rrezet e diellit

në flokë, në arterie, në krejt shpirtin tim.

Malli i zbehur nga vitet e brishta

derdhet në lumë si një poezi e harruar,

si një peng i vjetër që humbet në rrjedhën e tij.


Nata zhvesh petkun e errët.

Ngjyhet me purpurin e çmendur të agimit.

Dhe me një buzëqeshje shtinjake,

u dorëzohet trilleve të lashta sa Toka.

Gurgullimë ëndrre!

Muzgëtira zbriti mbi kaktuset gjembake.

Etjen e buzëve nuk mund ta shuash brenda meje,

në një botë surreale ku s’kemi nevojë –

as për prekje, as për ujë, as për dritë.

Përbindëshat e heshtjes ulërijnë nga lokomotiva e kohës.

Dhe gishtërinjtë e dëbortë lënë gjurmë mbi pentagram.

Pulëbardhat mërguan diku larg…

atje ku imagjinata e poetëve s’ mbërrin dot…

atje ku hëna derdhet në amforën romake

si gurgullima e një ëndrre mbi vargjet e Ovidit.



Comments


bottom of page