Dominic Raab, Sekretari i ri i Jashtëm në Mbretërinë e Bashkuar, duket se ka hequr dorë nga përpjekja për të siguruar popullin se Britania mund ta shmangë daljen nga BE pa një marrëveshje këtë vjeshtë.
Në një vizitë në Toronto në fillim të këtij muaji, Z. Raab tha se "Mbretëria e Bashkuar është në një udhëkryq të rëndësishëm historik dhe qeveria është shumë e qartë se ne do të largohemi nga BE në 31 tetor."
Duke iu referuar sondazhit që shkaktoi Brexit, ai u shpreh se "ka një verdikt demokratik nga referendumi i vitit 2016 që duhet të respektohet, pavarësisht nëse ne kemi përfunduar ose jo një marrëveshje me BE".
Z. Raab foli në një konferencë të përbashkët shtypi me Ministrin e Cështjeve Globale të Kanadasë, Chrystia Freeland. Asnjë prej tyre nuk përmendi se bisedimet midis zyrtarëve kanadezë dhe britanikë për një marrëveshje tregtare pas Brexit-it jane ndaluar disa muaj më parë.
Kanadaja është një nga disa vendet që i bazon marrëveshjet e saj të tanishme tregtare me Britaninë në anëtarësimin e saj në BE. Brexit paraqet sfida të veçanta për kompanitë e huaja me qendër në Mbretërinë e Bashkuar, të cilat janë shumë më pak të përgatitura për një skenar "pa marrëveshje" sesa homologët e tyre britanikë, sipas Sally Jones nga kompania Deloitte. Ajo thotë se në përgjithësi, bizneset e mëdha, siç janë bankat, janë përgatitur gjerësisht duke aplikuar për licenca bankare brenda Bashkimit Evropian, por kompanitë më të vogla janë më pak të gatshme.
Në shumë raste, marrëveshjet e tregtisë pas Brexitit në Britani do të bazohen në rregullat jashtëzakonisht komplekse të OBT-së. “Ata nuk printojnë më kopje të këtyre tarifave sepse do të nevojitej shumë letër. Në ditët e sotme janë të gjitha në internet, shumë faqe me numra që vlejnë për industri të ndryshme, "shpjegon Zonja Jones.
Dëmi për prestigjin ekonomik të Britanisë pasqyrohet edhe në monedhën e saj. Paundi ka humbur rreth një të katërtën e vlerës që nga 2015 dhe ra edhe më tej pas lajmeve befasuese dhe të padëshiruara se ekonomia e Mbretërisë së Bashkuar u tkurr me 0.2% midis prillit dhe qershorit të këtij viti.
Zyra e Statistikave Kombëtare tha se shifrat pasqyrojnë planin e kontigjencës për Brexit nga kompanitë prodhuese. Sidoqoftë, zyra vuri në dukje gjithashtu se sektori i shërbimeve të Britanisë - i cili përbën pjesën më të madhe të veprimtarisë ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar - nuk kishte praktikisht asnjë rritje.
Kjo bëri që ministri i ri i financave, Kancelari Sajid Javid, t'u drejtohej studiove televizive në një përpjekje për të siguruar besimin e tregjeve. Ai tha se "Nuk pritet aspak një recesion. Nuk ka asnjë parashikues të vetëm atje që pret një recesion; Banka e pavarur e Anglisë nuk pret asnjë recesion. Kjo është për shkak se ata e dinë që bazat e ekonomisë mbeten të forta." tha Z. Javid para kamerave televizive.
Një optimizëm i tillë është një karakteristikë e ministrave që mbështesin kryeministrin e ri të Britanisë, Boris Johnson, i cili ka thënë se qeveria "shpreson të arrijë një marrëveshje me partnerët tanë të BE, por ne do të largohemi nga BE në çdo rast në fund të tetorit.”
Një retorikë e tillë të jep përshtypjen, shpesh e përforcuar nga media, se një Brexit pa marrëveshje tani është një realitet i suksesshëm. Megjithatë, mendimi i tregjeve është se mbetet dukshëm një skenar më pak i mundshëm sesa një dalje e shoqëruar nga një marrëveshje midis Britanisë dhe BE. Jordan Rochester, një strateg monetar në zyrën në Londër të bankës japoneze Nomura International, parashikon mundësinë e një mosmarrëveshjeje në rreth 30 përqind".
“Nëse oraret e tregtimit të OBT-së janë rregulluar të gjitha dhe gjithçka funksionon mirë ditën e parë, unë mendoj se paundi do të bjerë në 1.18 dollarë dollarë ose ndoshta 1.15 dollarë," thotë ai. "Por, nëse diçka shkon keq, siç janë problemet në kufij, ose nëse nuk do te mund të vazhdojmë të tregtojmë me partnerët tanë, atëherë kam frikë se do flasim flasim për 1.05 dollarë ose edhe 1.01 dollarë kundrejt paundit," i tha ai BBC.
Konservatorët mbeten të ndarë nëse do të lejojnë një Brexit pa marrëveshje apo nëse do të dalin të gjithë në përpjekje për ta ndaluar atë. Partia Laburiste kryesore e opozitës është gjithashtu e pavendosur për këtë çështje. "Nëse Parlamenti nuk vepron shpejt kur të kthehet në shtator, shanset për mosmarrëveshje te Brexit zbresin në 50-50," paralajmëron Jordan Rochester nga Nomura. Tregtarët e monedhave tashmë janë duke u përgatitur të marrin një tjetër goditje ndaj stërlinës. Asnjë retorikë optimiste nga Boris Johnson ose ekipi i tij nuk do të jetë e mjaftueshme për t'i ndaluar ato.
Comments