Nga: Silvana Baça Çaushi
Jemi rritur në një familje ku fjala më fal quhet fjalë magjike, për të vetmen arsye se të jep qetësi shpirtërore kur e përdor.
Në ditët e sotme pesha e kësaj fjale në peshoren e jetës i ka humbur vlerat e saj. Ndoshta duhet përdorur me intonacionin e duhur, ose ndoshta në dialektin e duhur. Më vjen të qaj dhe të qesh njëkohesisht, ndoshta arsyen as vet s'e di.
Jam i ri, dua të jetoj dhe ta shijoj jetën.
Nuk është faji im që ndonjëherë duhet të përplasem dyerve të spitalit. Nuk është faji im që personi tek informacioni nuk më merr sëriozisht ose nuk dëgjon cfarë problemi kam. Ndoshta dhe ai nuk ka faj, se unë erdha në orën 8.30 tek sporteli dhe ia lashë pa pirë kafen, por unë të kerkoj falje, o i nderuar.
S'e di pse u ndieva keq kur doktori erdhi me një shikim të vërenjtur dhë me humorin përtokë.
Dera u hap dhe ajo ftohtësira e saj më mbështolli te gjithin.
Një përshëndetje e ftohtë doli nga zëri i tij dhe më çukiti trurin tim të ndjerë në faj. Stilolapsi i tij përtonte të shkruante, por celulari i kërciste pa pushim nga goditja e gishtave nervoz mbi të.
Eh, sa ka evoluar mjeksia!
Doktori më pyeste dhe unë përgjigjesha, ndërkohë që ai ishte duke çukitur mbi telefonin e vet. Ndërgjegja ime u zgjua, u revoltua, dhe i dha sinjal trurit që të fliste fjalët magjike:
Më fal o doktor, se të shqetësova që në mëngjes!
Më fal o vëlla, që të prisha rehatinë e chattit!
Më fal o mjek që të pyeta për disa gjëra më tepër për hallin tim!
Më fal o ti vëlla që i ke rënë më qafë punës!
Ndoshta ju të gjithë nuk keni faj, ndoshta të gjithë ju stafi i mjekëve jeni të pafajshëm, fajin e kemi ne.
Po, po ne e kemi!
Ne që lëmë punën tonë për t'ju shqetësuar juve.
Nuk di çfare t'ju them!
Ndoshta dhe fjala magjike "më fal" nuk bën punë me ju.
Ku duhet ta kërkoj faljen, ku?...
Më fal o Zot që u sëmura pa pyetur mjekët!
Commenti