top of page
Search

Medea dhe brutaliteti i mitologjisë- nga Gladiola Jorbus

Në mitologjinë antike greke, figura e Medeas është konsideruar hipnotizuese, me dykuptimësinë e saj të errët dhe të pamëshirshme.

E dashuruar me Jasonin deri në atë pikë, sa të tradhëtojë të atin dhe të vrasë të vëllanë, çmenduria e saj arrin kulmin, kur jeta e lidhur aq ngushtësisht me atë të bashkëshortit, i ndryshon rrënjësisht.

Jasoni e lë atë për të filluar një jetë tjetër.


Për fat të keq dhe në ditët e sotme rishfaqen “Medeat kontemporane”, dhe brutaliteti i mitologjisë kthehet sërish, më i frikshëm se kurrë. Është krejtësisht e panevojshme të përshkruhet tmerri, hidhërimi, pezmatimi, habia, makthi, çmenduria që shkaktojnë këto lajme rrëqethëse, në mbarë opinionin publik.

Medea moderne, e mbetur vetëm në një udhëkryq të madh, në dilemën më të madhe të ekzistencës së saj, pas investimit të bërë në familje, denatyralizohet dhe zhvishet nga vlerat e dashurisë, humanizmit, amësisë, të shpërfytyruara përtej kufijve të imagjinatës.


Jam e bindur që të gjithë gjykojmë, mallkojmë, madje ndokush do të donte dhe të sillej me të, në të njëjtën mënyrë, siç vepron ajo me fëmijët e saj.

Sipas mitit, Medea kishte shkelur gjakun e saj për hir të dashurisë ndaj burrit, ashtu si shumë femra përmbushin shumë sakrifica e obligime familjare si nëna e bashëshorte.


Pakkush nga ne mund ta marrë me mend se çfarë ndjen një grua e braktisur, e zhgënjyer, e mbetur vetëm, me përgjegjësi të shumëfishta mbi supe, mbi të gjitha në një moshë relativisht të re. Të dënuara në vetmi, paralelisht të gjithave s’u mbetet tjetër veç hakmarrjes, për të lënduar ish-bashkëshortët. Medea dëshiron ta kryqëzojë Jasonin, t’i shuajë familjen, pasardhësit, gjakun. Pra e kundërta e dashurisë s’qenka urrejtja, por vdekja.


Natyrshëm lind pyetja: A mund të vrasë nëna krijesën e vet, qëllimin e jetës, nanuritjen, pagjumësinë e ëmbël, ëndrrat, përqafimin më të ngrohtë, realizimin e saj të plotë si grua?! Ç ’përbindësh a ç’demon krijon metastaza në barkun e kësaj nëne, që pasi e dhuron jetën e rrëmben aq mizorisht atë?! A mund të shndërrohet instikti mëmësor në instikt vrasës?


Po t’i referohemi mitit dhe ndonjëherë realitetit të hidhur, ja pra që mundka ! Silogjizmi: që nga lashtësia e deri më sot, shoqëria jonë apo i ashtuquajturi qytetërim modern s’qenka tjetër, veçse një maskim i stërholluar. Në të vërtetë, s’ka ndryshuar asgjë.

Vallë në ç’galaktika apo në cilin rreth të ferrit përhumbet gruaja që këput brutalisht lidhjen e gjakut, atë më të thellën, më sublimen, më uniken që ekziston në natyrë?! Një nënë që vret fëmijën e saj, padyshim që është një grua e gremisur, së cilës ndoshta, askush s’i ka zgjatur dorën.


Gjithsesi, shumë prej nesh kanë dëgjuar për depresionin post partum dhe baby blues; gjendje psikologjike që shoqërohen me irritime, dënesa, ankth, trishtim, melankoli. Këto gra gjenden përpara një abisi, kështu që dëshpërimi, terri, lodhja, mungesa e besimit në vetvete ndikojnë që fjala jetë t’u tingëllojë si një kakofoni e shëmtuar. E gjitha kjo ngjan me një qerthulli marramendëse, plot amplituda dhembjeje e marrëzie.


Shoqëria tronditet kur rregullat përmbysen; e sidomos kur bëhet fjalë për rrënjët e ekzistencës, strukturën e jetës, hierarkinë e prioriteteve. Nënat e alienuara humbasin energjinë e ndjenjave, gjykimin, logjikën, vetëkontrollin dhe aftësinë për të kërkuar ndihmë. Atëherë ndodh tragjedia më e kobshme, pason hakmarrja e tërthortë ndaj një Jasoni që ka tradhëtuar, por goditjen fatale e pëson i pafajshmi.


Në rastin konkret, viktimat më të mëdha janë ëngjëjt që Zoti merr në krahët e tij, sepse nënat e tyre, për një moment vdesin së brendshmi dhe transformohen në përbindësha, dhe u ngjajnë serial killera-ve, apo dikujt që me shumë gjasë, në momentin e kthjellimit (nëse ndonjëherë arrijnë të kthjellohen) nuk e njohin as vetë.


Çdo vit bërtasim fort dhe festojmë se Nënat janë jetëdhënëse e të shenjta, por nga ana tjetër përballemi dhe me anën tjetër të medaljes, atë që s’do të donim kurrë të njihnim!


Comments


bottom of page