Nga Tanush Çaushi
Ndërsa flasim për drejtësi të pavarur dhe të reformuar a nuk ka ardhur koha që të zhvillojmë mekanizma për ta bërë sa më të pavarur edhe median? Roli i medias private apo shtetërore a nuk duhet të jetë në shërbim të problemeve të shqiptarëve? Në anen tjeter del pyetja: sa e vështirë është sot të jesh një zë i pavarur mediatik?
Në shoqëri ka zëra që edhe mund ta kenë gabim apo mirë, por e pakta demokratike është që të jenē tē lirë te shprehen për ate ç'ka mendojnë.
A është media shqiptare sot shprehëse e interesave të shqiptarëve dhe shqetësimeve të tyre?... Unë mendoj JO! Sapo opinionisti apo analisti politik apo i një fushë të caktuar fillon dhe lëshon tingullin e parë për të formuar fjalinë, kureshtja shuhet dhe e kupton se është njëri prej tyre. Është një zë "sejmen" që reciton dhe nuk tregon për realitetin dhe problematikat e tij, por idetë që përçon të çojnë në axhenda të politikës joproduktive. Nuk ka surpriza në fjalitë e tyre të dashur lexues, por fjali të përsëritura.
Edhe në emisionet më të njohura televizive ftohen "shërbëtorë të politikës" dhe bëhen diskutime bajate dhe pa "bereqet". Është e qartë që median shqiptare e financon pushteti apo politika në mënyrë fare vulgare dhe aspak inteligjente. Të paktën të bëhen më "smart". Media ka dalë nga roli i saj që duhet të kishte. Kështu përditë e më shumë ushqehemi me opinione dhe analiza politike apo të fushave të ndryshme që janë jo në shërbim të qytetarit dhe shqiptarëve. Po si mund të jesh një zë i pavarur në këtë realitet mediatik, kur nuk ke mbështetje financiare dhe politike? Është shumë e vështirë, gati e pamundur që opinionet e pavarura që janë në shërbim të vendit dhe shoqërisë të transmetohen apo përçohen. Pengesat për këtë janë të shumta, që nga mungesa e financimit, çensurimi i opinionit publik dhe kufizimi apo edhe presionet. Praktikisht edhe pse postimet e medias sociale siç është facebook janë të panumërta, ku shqiptarët zbrazin "dufin" e tyre, ato nuk mjaftojnë për të kuruar dhe shfaqur me forcën e duhur problematikat e komunitetit. Në këtë drejtim roli i munguar i një media të pavarur shqiptare ka një kosto të jashtëzakonshme në zhvillimin e demokracisë në vendin tonë.
Comments