MEHMET KADRI ÇAUSHI
(1927 - 2008 )
(portret i shkurtër për vitet e ndarjes me jetën)
Lindi në vitin 1927. Kur vdiq i ati, Kadriu e la vetëm dyzet ditë. Ndërsa e ëma, Bejazja i jepte gjirin,
Naduja i përkundte djepin.
U rrit djalë i shëndetshëm, i fortë e me trup të zhvilluar. Që i vogël qe fjalëpak e punëshumë.
Ndihmoi në punët e familjes e veças për ruajtjen e tufës së dhive shpateve të Saraqindit.
Kur ishte moti i keq me shi, erë, vetëtima e bubullima ai ishte vetëm diku pas tufës.
Si fëmijë i vogël kishte frikë nga zhurmat e kohës së keqe, ndaj mundohej ta largonte atë duke i thirrur vetes me zë të lartë:
- Vu bora, vu shiu, s’ka dert Mehmet Kadriu!
Pas Luftës u vesh në strukturat e policisë së kohës duke shërbyer në sektorin e sigurisë së objekteve. Tregonte se një natë gjatë shërbimit bashkë me një shok, në ish shtëpine e Shefqet Haxhiut (pushkatuar nga regjimi komunist në nëntor, pas mesnate dëgjuan zëra dhe panë hije në formë flamash e xhindesh:
- Kur kaluam armët në dorën e majtë, ikën e s’u dukën më, thoshte e qeshte.
- Pse në dorën e majtë? - e pyesnim ne me habi.
- Se e majta është e shejtanit dhe i tremb hijet, përgjigjej e vështronte në mënyrë enigmatike.
Në vitin 1951 u martua me Shefarete Hysniun (Shefon), një vajzë e bukur e nikoqire nga fshati Bamatat i Delvinës ku pak vite më përpara qe martuar hallë Safua. Ishte bija e Sheqirit dhe e Galibesë. Qe motër me Ruzhdien dhe Mjaftimen. Vëlla nuk kishin.
Shefaretja gjeti në shtëpi nanën e burrit Bejazen (vjerra), kunat Bajramin, kunatë Fetaneten dhe dy djemtë e tyre, Eqeremin dy vjeç dhe Pajtimin gjashtë muaj.
Që në fillim e thirrën shkurt Shefo, ndërsa Eqeremi i foli Tete, emër që mbeti edhe për më të vegjëlit apo ata që do të lindnin më pas. Fëmijët e vet i thanë mama.
Kur u krijua kooperativa bujqësore Mehmeti dhe Shefua punuan si anëtarë të saj. Burrë e grua qenë nga më punëtorët në këtë lloj organizimi ekonomik të kohës. Duke qënë se familja përbëhej nga nëntë frymë me fëmijët dhe Bejazen dhe të ardhurat qenë të pakta nga kooperativa, ata nuk i ndaheshin as të dielën punës.
Atë që Mehmeti e kendonte vetë në fëmijëri, shokët ia përmendnin, por
duke e transformuar sipas kushteve e nevojave të tjera.
- Vu bora, vu shiu, kërkon punë Mehmet Kadriu!
Rrëfente për një rast absurd replikash me kryetarin e kooperativës së Konispolit në fillim të viteve ’60. Ishin vitet e skamjes së madhe. Jo vetëm bukë me misër të mykur derrash, por edhe atë me racion katërqind gram për frymë!
Xhixhia dhe Teteja (kështu u flisnim ne) kishin lindur fëmijën e tretë, Besniken. Kuptohet, pas lindjes lehona do të rrinte të paktën disa ditë në shtëpi pranë foshnjës. Teteja qëndroi, por përgjegjësi i shpuri emrin në kryesi për t’i prerë racionin e bukës.
Ia prenë. Fund muaji e Mehmeti s’kishte lek për të blerë as ato ushqime të pakta e të racionuara.
Një pasdite vonë shkoi në zyrat e kooperativës që të merrte paradhënie.
Shefi i financës i tregoi urdhrin e kryetarit Gaqo Lula që s’lejonte për t’i dhënë paradhënie askujt, ndonëse nga lekët e tyre merrnin.
- E ç’do u jap unë fëmijëve për të ngrënë, kartën e Gaqos? - pyeti i nxehur me të drejtë Mehmeti.
Tjetri ngriti supet. Xhixhia vajti tek zyra e kryetarit. S’është, kthehet në darkë vonë, i thanë.
E priti pas dere si lypsar. Ç'të bënte?... Nevoja per të ekzistyuar të shpie edhe tek dera e shejtanit. Kur erdhi, i tha hallin. Kryetari Gaqo ngrehosi gjoksin, fërkoi barkun e madh siç e kishte zakon dhe ia tha prerë dhe shpërfillës:
- S’ka racion buke, as paradhënie, dërgo gruan në punë!
- Si do vejë në punë, s’ka as tri ditë që ka lindur, shoku kryetar!
- Më pyete mua kur e zure, kush të tha të pjellësh? - ngriti zërin me inat kryetari.
Mehmeti u zverdh, iu drodh gjithë kurmi dhe ia ktheu me zemërim:
- Ore je në vete ç’flet ti a jo?... Pse edhe kur të vemë te gratë, ty do të pyesim ne?
I ktheu krahët dhe iku.
Botë (dhé) le të hanë fëmilët dhe këtij derri nuk i vete më! - vendosi me vete dhe nuk e pa më kurrë derën e zyrës së kryetarit të kooperativës.
Punoi shumë, si të themi inatçe, nga dhjetë e pesëmbëdhjetë orë në ditë.
- Mehmeti nuk di as klub, as vërdalli, po vetëm punë, thoshnin të tjerët.
Kuptohet, ai e dinte lezetin e klubit e të xhiros, por para bukës së fëmijëve nuk vinte asgjë. Punoi shumë edhe Shefua duke ia lënë fëmjët e vegjël vjerrës së mirë, Bejazes. Ndodhej kudo ku i thoshnin në Vardhar, në fushë apo në fund të Rrahut.
Ishte burrë i fortë Xhixhia. Tregonte një rast kur kishte shkuar me gomarin për të bluar misër në Kokotraf afër Ninatit. Në kthim gomari u rrëzua dhe ngordhi. Ai merr mbi kurriz jo vetëm dy thasët me miell, por edhe samarin duke i sjellë në shtëpi pa bërë asnjë pushim udhës.
Mehmet Kadri Çaushi vdiq në 2 prill të vitit 2008 në Konispol.
Ka qënë njeri model për punë dhe komunikim në familje e shoqëri, ndaj la pas një emër të mirë e të ndritur. La për të gjithë ne që e njohëm e qemë pranë tij dhimbje dhe respekt.
E shoqja, Shefua jeton në Tiranë pranë djalit të vogël, Krenarit.
Tiranë, prill, 2023
Pajtim Çaushi
Comments