top of page
Search

Menaxhimi i projekteve të ndërtimit në kohën e pandemisë


Autoret: Tanush Çaushi Anxhela Qyshka Tashmë në epokën e Covid-19, industria e ndërtimit pëballet me risqe shtesë që si burim kanë këtë fatkeqësi natyrore. Në këtë kuadër, menaxhimi i projekteve publike apo private kërkon një rikonceptim. Nevojitet që të ndryshojmë dhe të përditësojmë dokumentat menaxheriale sipas fazave të ndryshme, që nga planifikimi deri tek dorëzimi i projektit. Është e rëndësishme të rikonceptohet planifikimi dhe ndjekja e projektit dhe ajo që është më e rëndësishme përditësimi i regjistrit të rreziqeve. Në fakt, Industria e Ndërtimit është ndeshur vazhdimisht në pjesë të ndyshme të planetit me këto situata të ngjashme. Kështu, në shumë vende të Afrikës malaria është ende një problem madhor dhe punonjësit që punojnë aty u është dashur të vaksinohen dhe të kufizojnë lëvizjen në zona të gjelbra. Edhe temperaturat e larta ndikojnë jo pak në industrinë e ndërtimit. Në lidhje me fushën e ndërtimit pasojat e mundshme që mund të sjellë dhe masat që mund të marrim për Covid-19 janë: Përdorimi i kufizuar i burimeve njerëzore: kjo mund të vijë nga karantinimi që nxjerrin qeveritë apo udhëzimet e ndryshme për kufizim transporti dhe orari në punë, por vjen edhe nga përfshirja e kompanisë në virus nga infektimi. Në këtë rast do të duhet që Kompania të planifikojë punën me turne, nga shtëpia dhe transportin për stafin dhe punonjësit. Mosfurnizimi me material dhe pajisje si pasojë e mbylljes së kufijve: në këtë rast kompania duhet të përgatisë një regjistër me furnitorë nga vende të ndryshme dhe të përzgjedhë atë vend ku shkalla e infektimit është më e ulët, në rastin e mbylljes së kufijve. Mungesa financiare: në këtë rast kompania duhet të përgatisë një strategji ekonomike, pasi mungesa e financimit sjell edhe shkurtimin e stafit, punëtorëve, specialistëve. Shëndeti i stafit, specialistëve dhe punëtorëve: në këtë rast kompania duhet të përgatisë dhe të zbatojë për cdo projekt dhe nivel të korporatës masa parandaluese për përhapjen, por edhe identifikimin e virusit dhe menaxhimin e situatës. Për këtë qëllim një dokument i vecantë duhet përgatitur ku të pershkruhen gjithë rregullat parandaluese dhe mënyrën e menaxhimit të fatkeqësisë natyrore. Mungesa e Klientëve: në këtë rast kompania e cila prodhon në fushën e prodhimit përballet me një situatë të vështirë si rezultat I mungesës së shitjeve. Vonesa në grafikun e punimeve: të gjitha risqet negative të Covid-19 sjellin vonesa në grafikun e punimeve. Për këtë arsye, kompanitë duhet të riprogramojnë punën dhe të bëjnë analiza realiste duke prioritizuar punët dhe perdorur metoden PERT në vend të Critical Path ( rruga kritike ). Në këtë mënyrë të zgjidhen rrugët me impakt më minimal në kohë. Të ndërtohet grafiku I punimeve jo vetëm WBS ( Work Breakdown Structure ), por edhe RBS ( Risk Breakdown Structure ) dhe të lidhen këto me njëra tjetrën. Kontratat e ndërtimit: Covid-19 ka impakt edhe në kontratat e ndërtimit. Sipas modelit të kontratave ndërkombëtare të FIDIC ose të tjera është parashikuar sesi do të procedohet në situata të tilla nën ndikimin e forcave madhore. Në të gjithë këtë histori, Covid-19 na mëson se në Menaxhimin e Projekteve Shtetërore apo private duhet marrë parasysh Risku që sjellin fatkeqësitë natyrore dhe për këtë duhen ngritur sisteme të identifikimit të risqeve, vlerësimit dhe sigurisht menaxhimit. Sa më shpejt të implementohen këto sisteme aq më pak efekt negative do të kenë fatkeqesitë natyrore në vendin tonë.

Tanush Çaushi – Diplomuar per Disaster Risk Management, Epoka University Anxhela Qyshka – Inxhiniere Ndertimi diplomuar tek Polis University

Comments


bottom of page