top of page
Search

Mesazh në Whatsup autorit Pajtim Çaushi

(pas leximit të librit "E Bukura gjendet kudo")      

 

Pajtim, sapo mbarova studimin eseistik "E Bukura gjendet kudo" një sintetizim mjeshtëror nga ti për krijimtarinë shumëplanëshe të shkrimtarit Resmi Osmani.

Ti nga mozaiku shumëngjyrësh dhe shumë dimensionali këtij shkrimtari, ke përzgjedhur dhe vlerësuar pjesë kulmore që të mbeten në kujtesë përgjithmonë nga ato që ka qëmtuar me dashuri autori për Çamërinë, martirët, heronjtë, kapedanët dhe historinë e saj aq tragjike.

Aq sa flet vepra e Resmiut, po aq flet eseja jote studimore e cila, në gjykimin tim, eshtë një libër që e ngjit në piedestalin më realist shkrimtarin Resmi Osmani.

Kush dëshiron që të njohë Çamërinë dhe krijimtarine e Resmi Osmanit, mjafton të lexojë këtë vepër të shkrimtarit enciklopedist, mikut tim, Pajtimit.

Libri "E Bukura gjendet kudo" është një mënyrë e re studimi dhe promovimi, besoj një skanim mjeshtëror i një krijuesi dhe gjithë krijimtarisë së tij.

Portretin e prof Resmi Osmanit e ke bërë me shumë dashuri e korrektesë, art dhe bukuri, gjë të cilën mund ta bënte vetëm një njeri si ti.

Ke vepruar si një endës i vërtetë me një laborator krijues të pasur, me njohuri të shumëfishtë estetike, letrare e linguistike që me objektivitet të plotë na sjell para syve figura të ndritura që nga antikiteti ilir deri në ditët që jetojmë sot. Këto figura janë dhënë artistikisht në mijëra faqe eseshë, tregimesh, novelash e romanesh nga Resmi Osmani, por ti si krijues i spikatur dhe racional si në gjithë veprat e tua, na i paraqet në dhjetra faqe të strukturuara me dhjetra nëntituj pjesësh e paragrafësh.

Kush dëshiron të mësojë për veprën e Resmiut, mjafton të lexojë këtë libër eseistik e studimor njëherësh.

Të lumtë mendja dhe të qoftë i pathyeshëm lapsi, o miku im Pajtim!...

Sarandë, 17 korrik 2024, ora 12.30     

Bardhyl Bejko - gazetar, shkrimtar


Comments


bottom of page