25 nëntor 2019 - Të respektojmë gruan. Të bashkuar kundër dhunës ndaj grave. Të eliminojmë dhunën. Të sensibilizohemi ndaj dhunës kundrejt grave.
Këto janë formula klishe, të shumëpërdorura, e ndonjëherë të keqpërdorura në një ditë të tillë. Nëpërmjet rezolucionit 54/134 të 17 dhjetorit 1999, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka caktuar datën 25 nëntor , si Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave dhe fton qeveritë, organizatat ndërkombëtare dhe OJQ-të për të organizuar aktivitete si qëllim që të rrisë ndërgjegjësimin publik në këtë ditë .
Asambleja e Përgjithshme e OKB-së ka njoftuar zyrtarisht këtë datë të zgjedhur nga një grup i grave aktiviste në Mbledhjen Feministe të Amerikës Latine të mbajtur në Bogota, në vitin 1980. Kjo datë u zgjodh në kujtim të vrasjes brutale në vitin 1960 të tri motrave Patria, Minerva e Maria Teresa Mirabal. Ato konsiderohen si modeli i grave revolucionare për përkushtimin, me të cilin u përpoqën të kundërshtonin regjimin e diktatorit Rafael Leonidas Trujillo-s, që e mbajti Republikën Domenikane në prapambetje dhe kaos për mbi 30 vjet.
Më 25 nëntor 1960, motrat Mirabal, ndërsa po udhëtonin për të vizituar burrat e tyre në burg, u bllokuan në rrugë nga agjentët e shërbimit të zbulimit ushtarak. Ato janë torturuar në format më çnjerëzore, janë rrahur e dhunuar për vdekje; më pas trupat e tyre janë futur sërish në makinë, për t’u hedhur nga një shkëmb, në mënyrë që gjithçka të shëmbëllente si një aksident. Vrasja e motrave Mirabal mbahet mend si një nga tragjeditë më të mëdha të historisë domenikane.
Në veçanti Minerva Mirabal, me një emër tejet domethënës shquhej për një vullnet të hekurt dhe kulturë të gjerë. Në vitin 1995, shkrimtarja domenikane Julia Alvarez ka botuar librin “Koha e fluturave”, mbi subjektin e të cilit u realizua dhe filmi me të njëjtin titull, ku në rolin e Minervës, shfaqet aktorja me famë botërore Salma Hayek .
Në vitet e fundit, institucione dhe organizata të tilla si Amnesty International festojnë në këtë ditë, një sërë nismash politike dhe kulturore.
Dhuna ndaj grave është dhunë e shkaktuar në baza gjinore, dhe konsiderohet një shkelje e të drejtave të njeriut.
" Deklarata për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave ", në vitin 1993 Neni 1, e përshkruan dhunën ndaj grave si : " Çdo akt dhune mbi motive gjinore - që rezulton se mund të shkaktojë ose shkakton dëmtim fizik , seksual ose psikologjik, përfshirë edhe kërcënime të dhunshme, shtrëngimit ose heqje arbitrare të lirisë, si në jetën publike ashtu dhe në atë private”.
Por dhuna ndaj grave edhe pse është sendërtuar në një objekt serioz debati publik, përsëri ndien mungesën e politikave kërkimore, e projekteve të ndërgjegjësimit dhe trajnimit kundër saj.
Kërkimet e zhvilluara gjatë dekadës së fundit tregojnë se dhuna ndaj grave është endemike, në vendet e industrializuara dhe në vendet në zhvillim. Viktimat dhe agresorët e tyre i përkasin të gjitha klasave socio-kulturore, si dhe të gjitha klasave ekonomike.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë , të paktën një ndër pesë gra është abuzuar apo frustruar fizikisht ose seksualisht nga një njeri, gjatë gjithë jetës së saj. Dhe rreziku më i madh janë anëtarët e familjes; bashkëshortët, etërit, vëllezërit, për të vijuar me shokët, fqinjët, kolegët dhe të njohurit në raporte pune apo studimi.
Sa ju dhemb në shpirt për një grua që dhunohet? Të nderuar bashkëshortë, etër, djem, vëllezër, miq, kolegë, ju e keni plotësisht të mundur shmangien dhe eliminimin e kësaj dukurie të shëmtuar dhe anormale, tejskajshmërisht në kontrast me vlerat dhe humanizmin.
Pra, fenomeni i dhunës mashkullore ndaj gruas vazhdon të mbetet një temë shumë e rëndësishme, aktuale dhe delikate. Pavarësisht se konsiderohet e ezauruar deri në viktimën e radhës, ajo përbën një shqetësim alarmant në çdo shoqëri, e veçanërisht në tonën që ruan ende shumë elemente arkaike. Femra, bashkëshortja, e dashura, motra, bija vritet për të vënë nderin në vend, “një turp” që i ka rrënjët në injorancën e së kaluarës relativisht të afërt.
Edhe sot e gjithë ditën, masakrat e dhunës mashkullore ndaj gruas kodohen me mbishkrimin: "krim pasionant, dashurie, ekstaze apo moment xhelozie"; gjithçka përsosurisht e gatshme për të justifikuar, mbrojtur, pothuajse ligjëruar një akt monstruoz.
Njeriu nuk lind i dhunshëm, por bëhet i kushtëzuar nga rrethanat dhe sjelljet e njerëzve që kontribuojnë ose kryejnë plotësisht edukimin e tij. Ndoshta vetë prindërit nuk dinë të kanalizojnë energjinë, shpeshherë destruktive të fëmijëve të tyre, (pa) qenë të vetëdijshëm se pa dashje po rrisin një kriminel, i cili në të ardhmen do t’u sjellë jo pak andralla familjes e shoqërisë.
Shpeshherë, fëmijët janë të pranishëm në aktet e dhunës që etërit kryejnë mbi nënat e tyre.
E jo rrallë këto nëna janë gra luftarake dhe të afta që mund t’i provokojnë komplekse të tilla inferioriteti një mashkulli, që sipërore në këtë rast ka vetëm forcën e marrë fizike. Për dështimin e tij si njeri, për egon e tij të sëmurë, për çdo problem dhe mosrealizim, ai fajëson gruan dhe alternativa e vetme, shfrimi i tij mbetet dhuna.
A do të jenë ndonjëherë në gjendje përpjekjet e shoqërisë civile, sensibilizimi përmes spoteve publicitare, masat e qeverisë ta minimizojnë vijimësinë e këtyre incidenteve të shëmtuara e të urryera?!
Në fakt, dhuna ndaj grave - për fat të mirë – gjithnjë e më tepër po qendërzohet në debate publike. Arsyeja është e qartë: edhe pse po jetojmë një epokë civilizimi, sërish dhuna arrin dimensione barbare. Ndonëse modernizmi ka përfshirë pothuajse gjithçka: teknologjinë, transportin, komunikimin, të ushqyerit, fatkeqësisht mirëkuptimi dhe respekti ndaj gruas apo një marrëdhënie më njerëzore duket ende një perspektivë e largët për shoqërinë ku jetojmë.
Dhuna ndaj gruas mund të përkufizohet fare thjesht në trekëndëshin: "kërcënim, poshtërim, rrahje": "Dhuna me bazë gjinore nuk është vetëm sulm fizik nga një burrë kundrejt një gruaje, por gjithashtu përfshin abuzimin psikologjik, shantazhin ekonomik, kërcënimet, dhunën seksuale, persekutimin, për të mbërritur në skajin më ekstrem – feminicidin.
E përsa u përket statistikave, ato s’janë asnjëherë të sigurta. Mund të përmendim akte dhune deri në vrasje ndaj grave, por ky numër nuk mund të jetë tërësisht i besueshëm, sepse ende janë në minorancë gratë që raportojnë se kanë përjetuar dhunë, dhe akoma më të pakta rastet që gjykohen apo ndëshkohen.
Megjithatë, që një shoqëri të konsiderohet e lirë dhe demokratike, e drejta e gruas për t’u ndier e mbrojtur dhe e sigurtë është një sine qua non (kusht i domosdoshëm).
Mos harroni kurrë të përkujdeseni për gratë e jetës suaj! Duajini dhe mbrojini ato, sepse gruaja është nëna që të fal jetën, është shoqja e ngushtë, është motra që të fal dashuri, është bashkudhëtarja juaj në të mirë e në të keq, është vajza e vogël që puthni në ballë para se ta zërë gjumi, është dora që tundi botën. E për ta mbyllur me mesazhin e duhur, nuk mund të mos i referohem thënies tejet domethënëse:
Sa herë që një grua vdes
nga dora e një burri
Mua, më vjen turp
që jam burrë…
Comments