top of page
Search

Disa pjesë nga Migjeni!

Luli i Vocerr


Askush s'e njef Lulin. As shokët e tij, që përpara tij lozin, nuk e njofin. Ma mire me thanë se e njofin, por ata lozin për hesap të vet e Luli i shikon për hesap te vet. Sot gjithkush ka punet dhe telashet e veta, ashtu dhe fëmijtë, ashtu dhe Luli. More Lul! Shumë heret ke fillue me shikue punën tande! Kur Luli hyn n'oborr të shkollës, buza i qeshet nga pak, por askuj, asnji fjalë s'i thotë. Ecë ngadale, tue shikue djathtas e majtas, po gjithnji tue ecë deri sa të mbrrijë në cak të vet. Aty, te dera e rruginës shkollore, shumë i pëlqen të qëndrojë. Aty asht caku i tij, i praruem me rrezet e ngrofta të diellit në këto ditët e vjeshtës. Mbështetet Luli për mur, grushtat e vogjël i shtje ndër xhepa, hundën picrroke të kuqun nga të ftoftit e mëngjesit ja sjell diellit dhe...shikon. Gjaja që ma tepër tërhjek vëmendjen janë çizmet që i kanë të veshun disa shokë të tij. Sa te bukura janë! Si shkëlqejnë! - mendon Luli dhe pa dashtje i shkojnë sytë ndër tullumbat e veta, nëpër të cilat shifen fare mirë të pesë gishtat e kambëve të zbathuna. Nga kurreshta i afrohet nji shokut që ka çizmet ma të reja. Ulet dhe shef në lustrin e çizmes kambët e veta të zbathuna - aq shumë shkëlqejshin çizmet!!! Mbasi shoku me çizme fluturoi, Luli ngadalë shkoi te caku i vet, në diell, t'i ngrohi kambët. - Por kur s'ka diell, si ia ban i shkreti Lul? Ndoshta ia bajnë hallin apostujt e mëshirës dhe të dashunis... Noshta, ndoshta... Nganjiher i afrohet mësuesi Lulit. Dhe kur Luli e ka ftyrën e dlirë dhe pa puça, mësuesi ia ledhaton faqet, gushën, e Luli i afrohet, ja merr dorën, e shikon me sy pëllumbi, dhe kishte me dashtë t'i falë diçka mësuesit. Por vjollca nuk ka. Veç në i faltë tollumbat e veta, që kanë hapun gojën si me dashtë me e hanger mësuesin. Po, po, tollumbat e Lulit të vocërr kanë me e hangër mësuesin.


Baladë Qytetse

Mbramë

qiella dhe hyjt e vramë

një ngjarje të trishtueme panë:

Hije... jo! - por një grue

me ftyrë të zbetë edhe me sy

të zez si jeta e saj,

me buzën të vyshkuna në vaj,

me plagë në gjoks e stolisun

me veshje dhe me shpirt të grisun,

me hije grueje,

një kens këso bote,

një fantom uje

vallzonte valle në rrugë të madhe.

Dy hapa para, dy hapa mbrapa

me kambë të zbathun,

me zemër të plasun.

Dy hapa djathtas, dy hapa majtas,

me flokë të thime,

me ndjesi të ngrime.

(Dikur,

kur gjit' e saj me kreni

shpërtheheshin n'aromë,

kur ish e njomë -

atëherë e dashunojshin shum zotni.

E sot?)

Jeta e saj asht kjo vall' e çmendun

në rrugat e qytetit tonë,

një jetën e fikun, një jetë e shterun,

shpin i molisun, zemër e therun,

një za vorri, një jehonë

që vallzon natën vonë

nëpër rrugat e qytetit tonë.


Zgjimi

0 vullnete të ndrydhuna ndër grushta të çelikta të shekujve të kaluem!

0 vullnete të shtypuna me themra të ngurta të titajve të tërbuem!

Të cilët n'udhë për në theqafje këtejpari i ranë

dhe vatrat tona në mjerim i përlanë...

0 vullnete të ndrydhura!

0 vullnete të shtypuna!

Shkundni prangat të mbrapshta! E me brimë ngadhnyese,

me hove viganash, dëshirash flatruese,

turniu në të gjitha anët dhe poshtë në dhë zbritni

- ndosht'a aty keni për të gjetë fillin e një hymni,

që Illyri e vjetër ndër kremtime këndonte,

ndërsa zemra e kombit në liri kumbonte.

0 vullnete të ndrydhuna!

0 vullnete të shtypuna!

Tash shëgjetat e flakta të shprehjes suej zharitse

drejtoni kah qiella në ball të hyut a të dreqit,

i cili fatin tonë mbytte në mnijë të vet përpise -

a dijë se të Birt' e Shqipes folen ia ngrehën vetvetit.

Opmerkingen


bottom of page