top of page
Search

MIHAL PILAQI—SHOFERI QË NUK E NISTE DITËN PA KTHYER TRI DOPJO RAKI


( SIPAS RRËFIMIT TË MIHALLAQ ZERVËS )


Nga Agron MEMA


Janë të këndshme orët e paradites apo mbrëmjeve nën shoqërinë e gotës së birrës apo rakisë dhe të mësues Mihallaq Zervës, tanimë në pension.

Mihallaqi di shumë, ka një përvojë të gjatë jetësore dhe tregon bukur ngjarje dhe histori të jetuara apo të treguara nga të tjerët.

Mënyra e të rrëfyerit, shoqëruar me humorin karakteristikë të tij, të tërheqin dhe t’a bëjnë bisedën më të këndshme dhe orët e tryezës së përbashkët të lehta e të pakuptueshme se si kalojnë aq shpejt.

Ai rrëfen bukur dhe pa harruar mesazhin që bart në vetvete rrëfenja. Duken të thjeshta, por në brendi të tyre kanë të gjithë kohën kur ndodhën me tërë kolorin e saj. Këtë herë tregon për një ish shofer të ish NB-Vrinës së famshme për prodhimin e misrit.

Aq e famshme u bë sa ju këndua edhe kënga. Për shoferat e kohës së socializmit tregohen shumë ndodhi, aq sa disa prej tyre kanë hyrë në fondin e humorit shqiptar duke u kthyer në barcaleta të këndshme treguar nëpër ambiente të ndryshme. Sidomos ngjarjet me pijen; rakinë, konjakun, fërnetin, të përzierën që shoqëronin orët e para të mëngjezeve. Por edhe dinakëritë e marifetet që përdornin me policinë apo mabazinerët e sidomos me drejtuesit e administratës.

Shoferat ishin njerëz tepër publikë dhe zinin vend të nderuar në shoqërinë e kohës. Qenë hallezgjidhur për këdo. Po e donin njëçikë atë të shkretë pije. Thua se kur ishin pagëzuar, prifti nuk i kish futur në vaj po në alkool. Po le të kthehemi tek episodi që tregon mësues Mihallaqi duke e shoqëruar rrëfimin me buzëqeshjen e tij karakterizuese. Shoferi quhej Mihal Pilaqi.

Qe nga fshatrat e minoritetit dhe ende ruante në të folme aksentin minoritar të shprehjes së shqipes. Mihali qe trupgjatë dhe i bukur. Shtatlartësia e tij arrinte tek të 185 cm. Mbante mustaqe të cilat e bënin më simpatik dhe tërheqës. Po pinte shumë, ndonse nuk bërri kurrë asnjë aksident me makinë sado të vogël. Po të mos kthente tri dopio që në mëngjes tek Tulla, tek klubi i fshatit Vrinë, nuk nisej për në punë. Nuk bënte vaki të ndizej motorri i ‘’ZIS’-it të tij. Kur punëtorët delnin në mëngjes të shkonin në punë me makinën e Mihalit, atë e gjenin në klub. Aty i priste për t’i trasportuar tek vendi i punës. Ata mblidheshin nga fshatrat përreth dhe trasportoheshin për në sektorët që kishin mungesë të fuqisë punëtore. Pasi e përshëndesnin ‘’mirmëngjes’’ e pyesnin se kur do të niseshin: O Mihal, a do të shkosh sot në Shkallë të Konispolit? Ai përgjigjej me aksentin e ëmbël minoritar, që herë-herë i jepte vet tone më të forta artificiale për t’a pasuruar me doza humori: Pyet shoqe Tula. Ata e kuptonin dhe prisnin deri sa kalonte një kohë shumë e mjaftueshme vonese dhe ktheheshin përsëri t’a pyesnin se kur do të niseshin, se nuk lëvizte Mihali nga vendi pa pirë tri dopio. Dhe pasi i kthente me terezinë e tij, nisej. Në makinën e tij tip ‘’ZIS’’ nuk mbante bori. Ecte shpejt dhe kur donte të parakalonte ndonjë makinë që i delte përpara, nxirrte kokën nga dritarja e kabinës dhe vërshëllente fort duke lëshuar edhe britmën: Hape rruga se të dhjeva nana!

E sa histori ka me Mihal Pilaqin, ndjesë pastë,-përfundon mësues Mihallaq Zerva...

Por nuk e lë këtu bisedën. Nga Vrina hidhet në Greqi me histori. Dhe tregon një ndodhi tepër domethënëse: Isha në Greqi. Njoha në klub një plak fisnik, të mençur e të zgjuar. Pse e them këtë? Jo se pinte me mua dhe më qeraste. Po më mbeti në mendje ajo që më tha një ditë prej ditëve, se sa forcë e vlera edukative kishte në vetvete ajo. Plaku kishte rrahur kurbetin në rini dhe kishte bërë prokopi e katandi. Dhe pas një kohe qe kthyer në atdheun e tij, Greqi. Kish hapur biznese e kish ndërtuar vila për fëmijët. Jeta ecte e rregullt dhe e qetë në shtratin e saj.

Kur u bë gjysh ia la pasurinë nipit që i mori dhe emrin. Ja la pasurinë, por me kusht që t’a trashëgonte pas të kalonin 25 vjet. Dhe këtë e bëri të shikonte me sytë e tij se cili do të qe ai që i kish marrë emrin dhe pasurinë.


Do t’a shtonte pasurinë dhe namin e emrit, apo do t’i bënte paratë rrush e kumbulla sipas asaj që thonë: ‘’Malli i babait, malli i qerratait’’

Kështu kalojnë orët, kaq këndshëm e me lezet me mësues Mihallaq Zerva që tregon e tregon histori me mësime nga jeta, sepse nuk shkëputet dhe largohet dot nga profesioni i tij i nderuar si mësues dhe edukator.


Sarandë; 15 -07-2021

Comments


bottom of page