Një tymnajë e madhe me energji negative, ka përpirë gjithë atmosferën tone politike, sociale dhe ekonomike. Kontribuesi më i madh i kësaj tymnaje është më së pari klasa politike shqiptare e mbështetur nga një pjesë e madhe e medias, që duket se produktet që nxjerr i ka të porositura.
Shoqëria civile është e tërhequr, mosbesuese dhe e paangazhuar. Aty ku ekziston dëshira për angazhim, dera mbyllet nga politika duke i ndalur për vlerat e reja.
Ndërsa të gjithë kërkojnë të emigrojnë, ndoshta ka ardhur koha për një model politik të ri për të ngjallur frymë pozitive në popullsinë tonë të rënë në depresion.
Është fakt tashmë se Shqipëria po ecën mjaft ngadalë në fushën e reformave social-ekonomike. Faktorët janë të shumtë,por ajo që desha të nënvizoj më tepër është mungesa e rolit pozitiv që duhet të luajë klasa politike në zgjidhjen e problemeve.
Mungesa e pozitivizmit dhe përqëndrimi i energjive në çështje jo shumë të rëndësishme është mëse evidente. Cfarë kuptimi ka fjala vjen të diskutojmë për integrimin, kur kemi lënë në harresë problemet dhe hallet e përditshme të qytetarëve? Kur akush nuk ngre problemet komunitare.
Mungojnë debatet parlamentare, midis kandidatëve dhe ka një mungesë alternative. Nëse para 14 vitesh kemi pasur edhe debate televizive midis liderave, sot kemi vetëm frymë negative të përhapur nga politikanët dhe të mbështetur nga media. Përse media shqiptare nuk po luan rolin që i takon? Përse vlerat nuk promovohen në media dhe debatet publike social-politike reduktohen në një monopol analistësh, që duket se prodiktin e tyre e kanë të porositur. Shoqëria jonë, media, analistët dhe gjithë faktorët duhet të japin një produkt të ri, si rezultat I këtij gërshetimi.
Unë mendoj se nje politike e djathtë liberal-realiste e gërshetuar me pozitivizmin do ta conte vendin në rrugën e duhur drejt reformave. Pikërisht,bërthama civile, gërshetuar me këtë lloj qeverisjeje i jep vlera qeverisjes së nesërme.
Modelet e djathta politike janë të pafund,por një model më i përafërt me kushtet tona është modeli liberalo-realist. Ky model pranon se parimet universale të shtetit nuk duhen zbatuar ashtu sikurse mund të jetë formulimi i tyre teorik,por në përshtatje me vendin,kohën,traditën.
Pra e thënë më qartë le të marrim një shembull: nuk mund të kërkosh psh uljen e dënimit për një trafikant kur trafiku lulëzon. Kjo mund të bëhej në një moment kur ky fenomen do të ishte në minimum.
Liberalët besojnë në vlerat individuale të njeriut dhe i nxisin ato. Kombi ynë gjithmonë është njohur për individualizmin e theksuar dhe po të menaxhohet kjo gjë sjell një zhvillim të kënaqshëm social-ekonomik. Dhe diferenca ndoshta më e madhe e realizmit politik nga shkollat e tjera të politikës është se ai shpreh problemet e ditës dhe pranon ndryshueshmërine e gjërave duke mos i paragjikuar ato,por duke i përshtatur situatat në favor të shoqërisë dhe prosperitetit.
Politika liberale e pastër do të ishte e papërshtatshme për Shqipërinë për vetë mungesën e traditave demokratike e mosfunksionimit normal të shtetit ,përkundrazi orientimi liberalo-realist do të ishte më shumë efikas.
Fuqia në kuptimin klasik është gjithcka që siguron sundimin e një njeriu apo grupi shoqëror mbi një tjetër. Në këtë rast duhet patur kujdes me shpërndarjen e forcës në shoqëri dhe detyra e politikës shqiptare duhet të jetë gjetja e një funksioni të përshtatshëm që mos të lejojë shpërndarjen me diferenca galopante të forcës,problem ky tepër i ndjeshëm në shoqërinë e tranzicionit që vihet re tek monopolet.
N.q.se do të ligjëronim këtë,atëherë shteti do të kthehej në një xhungël Darviniane ku interesat e shtresave sociale do të gllabëroheshin nga " të fortët".
Është momenti i lëvizjeve të mëdha të shoqërisë civile për të ushtruar trysni në mënyrë që reformat sociale të sigurojnë një parim bazë të egzistencës së një rendi shoqëror, ekuilibrin social.
Gjendja ku ndodhemi të kujton SHBA në fillim shek të 20 ku shprehja më e spikatur ishte
" Të pasurit bëheshin më shpejt akoma më të pasur sesa të varfrit shtresë e mesme",por dallimi i këtij paralelizmi qëndron tek shkalla e indiferencës së shoqërisë dhe klasa politike që nuk po merr përgjegjësitë që i takon.
Shoqëria jonë po i ndjen një nga një efektet negative të kapitalizmit primitiv si mungesën e shtetit ligjor, institucioneve efektive, mungesën e reformave reale e veçanërisht monopolet. Kolapsi ka përfshirë ekonominë tonë dhe ka shtrembëruar totalisht fytyrën e shtetit të brishtë shqiptar.
Energjitë pozitive ja kanë lënë vendin pesimizmit se shqiptaret janë "Purgatori" i Europës plakë,se ne meritojmë të mbetemi jashtë tokës ku kemi mijëra vite që jetojmë si një nga kombet më të lashtë të saj.
Politika është arti i qeverisjes,por njëkohësisht politika me idetë e saj duhet të bëhet promotor i zhvillimit. Kur politika nuk ofron zgjidhje praktike,por vecse teori dhe ajo e humbet rolin e saj.
Përvoja e pakët në këtë fushë dhe abuzimi në mënyrë të pavetëdijshme me fjalën politikë e ka shpërfytyruar imazhin e saj që jo gjithmonë është i keq.Problemi sot nuk është fytyra e re politike apo e vjetër e një lideri,sepse kjo më shumë është çështje psikologjike,por e rëndësishme është vizioni i tij për të ardhmen dhe sa i aftë është një lider të paraprijë të nesërmen. Sa i talentuar është ai të prodhojë ide të reja që ti shndërroje ato më tej në energji pozitive për të gjithë dhe të ndryshojë në kahun e duhur jetën e qytetarit të thjeshtë.
Kështu që klasa politika shqiptare këtë radhë duket se duhet të nuhasë se stadi i tanishëm i zhvillimit shoqëror ka nevojë emediate për angazhimin e shoqërisë civile e qarqeve akademike.
Ajo po bën një luftë të madhe me vetveten, por ende nuk i ka lënë rrugë progresizmit.
Një sfidë e afërt për politikën shqiptare është edhe futja e nocionit të politikës konkuruese. Janë vërejtur aty-këtu përpjekjet për të rritur shkallën e përfaqësimit si ajo e parimit një anëtar një votë ,por kanë mbetur në kuadrin e propagandës elektorale. Vazhdon historia e deputetëve me lista të mbyllura dhe me deputetë jo të përshtatshëm që na përfaqësojnë.
Klasa Politike shqiptare eshte ende e papergatitur te zbatoje politiken konkuruese duke mbetur në një nivel shumë larg elektoratit.
Përkundrazi shoqëria shqiptare është bërë më konkuruese dhe më e emancipuar sesa drejtuesit e saj duke ecur disa hapa para dhe njëkohësisht duke ftuar klasën politike për më shumë përgjegjësi dhe respekt ndaj qytetarit sepse do të jenë grupet shoqërore ato që nesër do të vendosin për fatin e saj.
Koha ka nevojë për heronj dhe pak idealizëm sepse idetë zhvilluese rrisin optimizmin aq shumë të munguar.
Ju kujtojmë një shprehje të Abraham Linkoln׃
- Unë bëj më të mirën që di,ate që mundem dhe do të vazhdoj ta bëj këtë gjë deri në fund të jetës sime. Një shprehje që të përçon idealizmin e madh dhe optimizmin e tij,por edhe një ftesë dhe mesazh për të gjithë që të jenë më shumë idealistë dhe të bëjnë më të mirën që munden për vendin.
Comments