Poezi nga Poetja: Gladiola Jorbus
Mona Lizë
Mona Lizë
Ti vezullon sonte!
Retë janë zhdukur
nga sytë e tu.
Gjethet po bien
lumturisht.
Frymëmarrje të paqta.
Këtë mbrëmje
s’ mund ta harroj.
Je ti hëna!
Mbretëresha e yjeve
që s’ faniten kurrë.
Mona Lizë!
Kujtimi yt,
i turbullt,
më vjen ndër mend.
Nga dashuria,
vdes dhe ringjallem,
unë sërish.
Mona Lizë,
e rinisë sime!
Shekuj të tërë –
rrahjesh zemre
na ndajnë…
Për ty,
në shpirt nuk mbaj dot zi.
Mona Lizë!
S’trishtohet kurrë
ai që dikur pat ndjerë
dashuri…
I murrëtyer dimri
mbi stalagmitet e zemrës.
Dhuromë, pra dhuromë,
një pikëz loti!
Të ujësoj akullimën.
Dhe tek ti,
të rikthehem sërish
Mona Lizë.
Në ujëvarën e ëndrrave
Në ujëvarën e ëndrrave -
Unë jam drita.
Por druhen të më shohin.
Horizontet i shfaq si dy gjysmërruzuj,
përtej kubesë qiellore.
Por druhen të më besojnë.
Ua zgjas duart, krahët të më shtrëngojnë.
Por druhen të më prekin.
Fjalët e mia bëhen tinguj ritmikë.
Por druhen t’ua vënë veshin.
Fluturimthi vërshoj mbi shpatet e pjerrëta,
ku ylberët kridhen të trazuar,
si lajtmotivet e vjeshtës.
Fle mbi shkëmbinjtë,
ku shtrohen tapete prej myshku të njomë
dhe hënën rrëkëllej me një frymë.
Por druhen të më ndjekin.
E atëherë...
dielli nis të venitet
brenda vështrimit tim endacak.
Kënga e zogjve tretet në muzg.
Druri i kedrit frushullon lamtumirë.
Dhe unë mbetem vetëm...
si balada e erës
në mjegullinën e shekujve.
Fleur de lis - (Zambak)
Peizazh murrak.
Lauresha hesht.
Bilbili tretet
në melankoli.
Si një bohemë, nuhasja jetën.
Kur ti më quaje – Fleur de lis.
Gjëmojnë liqenet, plot tallaze.
Siç bubullin qielli - ogurzi.
Dyer të drunjta, veshur me myshk.
Presin të çelen nga Unë a Ti.
Ngjyra e flokëve si obsidian
Tashmë i ngjet një malli gri.
Si një bohemë, nuhasja jetën.
Kur ti më quaje - Fleur de lis.
Eklips
Ndjesitë - të tëra i zgjedhoj
sipas kapriçove të tua.
Përroi i dashurisë buçet...
Vërshon mbi ty, mbi mua.
Me lëkurën tënde mbështillem.
Gjithësisht eklipsohem prej saj.
Morfologjia e prekjeve tona,
pranverën nis të ringjallë.
Fjalë të ëmbla, të pathëna
çelin mbi buzët plot zjarr.
Bajamet – ngjyrë trëndafil
lulëzojnë në çdo acar.
Tingujt
Tingujt e zbehtë të një flauti
mërgojnë - përtej liqenit të lotëve.
Secili tingull zgjon
një dhembje të angësht.
Një botë tingëllimash – mbështjellë
me pëlhurën ku shpirtin thurën...
Araknea, Athinaja, Penelopa.
Erërat ulërijnë si të çmendura
dhe tingujt struken në ëndrra.
Comentários