BAJRAM KADRI ÇAUSHI
( për 44 vjetorin e largimit nga jeta )
a. fëmijëria dhe rinia
Bajram Kadri Çaushi ishte fëmija i dytë i Kadriut dhe
Bejazes. Ai erdhi në jetë pas Nadiresë e pas tij Safieja dhe Mehmeti.
Bajrami lindi në maj të vitit 1923. I ati Kadriu e la të vogël,
vetëm katër vjeç.
- Pak e mbaj mend kur vinte nga fusha me kalin ngarkuar, thoshte i malluar kur e kujtonte.
Djali me trup të imtë sy e flokëzi u rrit një vogëlush simpatik dhe çapkën. Ishte tepër
i afruar e i dashur me fëmijët e lagjes kur lozte. Vërsnikët apo
ata pak para e pas si Jasin dhe Emin Hajta, Refat Gollaku,
Nezir Kasua, Tahir Meço e të tjerë i flisnin me përkëdheli Bame,
apo Bajo. Ishte i qetë në lojra dhe i drejtë në gjykime.
Në fotokopjen e regjistrit të vitit mësimor 1933 - 1934 frekuenton klasën e katërt të plotores së Konispolit. Ka qënë në
një klasë me Ibrahim Hoxhën i cili posedon dokumentin. Pas mbarimit të ciklit të detyruar gjashtë vjeçar, ende fëmijë punon si
shegert në rrojtoren e Namik Xhamës i cili e deshi si vëllain e vet
të vogël.
- Ishte 14 vjeç, kujtonte e ëma, nanë Bejazja kur mori plevit dhe mbeti
në stromë. E vizitoi dhe i dha ilaçe doktor Petrua që vinte nga
Korfuzi. E kaloi me djalëri. Namiku e donte dhe e përkrahte
pasi e kishte edhe kunatin e tij të madh.
Pas pushtimit fashist u krijua milicia shqiptare. Në prill të vitit
1943 Bajrami ishte në moshë ushtari ndaj organet e kohës e
kërkuan për ta mobilizuar, por ai nuk shkoi. Sa vinin për kontroll
në shtëpi, fshihej mes bathëve tek kopshti i poshtëm gjersa të
ardhurit largoheshin. Mirëpo kjo s’mund të vazhdonte gjatë. Një ditë e kapin në befasi dhe e mbyllin në katua të Izetajve që
shërbente si burg i Komunës për ta dënuar me gjobë. I zoti i shtëpisë Mehmet Izerti, njëherësh edhe kryeplak i Konispolit
ndërhyri për të mos e gjobitur duke u thënë të tjerëve:
- Ç’bëni more, jeni në vete, jetimin e Bejazes gjetët ju për të
mbyllur e për të gjobitur?
E dërguan në repartin e milicisë ku qenë edhe shumë djem
konispolitë. Qëndroi vetëm 27 ditë e pastaj dezertoi duke u
fshehur në Gravë të Shanes e më pas në Delvinë derisa reparti i
milicisë u shpërbë (shtator 1943).
Bajrami më vonë, në gusht të vitit 1944 doli partizan duke u radhitur
në batalionin e dytë të Brigadës XIX S. Atje ishte me shumë djem nga krahina si Nustret Dautin, Faik Haxhiun etj. Kishte zakon që s’fliste kurrë me teprime e sajesa për luftën.
Shumë vite më pas, kur ishim në fillore apo tetë vjeçare e lexonim për bëmat e partizanëve në luftë me gjermanët, ne e pyesnim, por më shumë nipi i tij, Agimi:
- Xhaxha, ke vrarë shumë gjermanë në luftë kur ishe partizan?
Ai vështronte në fillim pyetësin, pastaj të gjithëve me radhë e
thoshte:
- Ke parë the, apo ke vrarë?... Ku i gjetëm gjermanët që t’i
vrisnim?... Ne në male apo në zona të thella si Theothogua rrinim e zbrisnim në fshatra kur na njoftonin se s’kishte këmbë
gjermani. Edhe për t’i parë nga tutje i pamë kur lanë Delvinën e ikën në tetor të ’44 - ës.
b. kur e shihnin me cep të syrit
Pas lufte, rreth një vit vazhdoi të qëndonte me forcat e ndjekjes, siç quheshin atëherë repartet ushtarake speciale. Pas
kësaj, deri 1948 punoi si operativ zone i organeve të Sigurimit të
Shtetit. Janë vitet kur krijoi miqësi të ngushtë me Ramizin, një i ri
shembullor nga Dibra e Madhe. E përmend këtë emër pasi edhe
kur qenë larg njeri tjetrit, për vite e dekada e ruajtën respektin
dhe miqësinë. Më pas Ramizi u martua me motrën e Shaban Sheqirit nga lagjia Shehat dhe vijoi të punonte si kuadër i Ministrisë së Brendshme.
Në vjeshtë të vitit 1947 Bajrami u martua me Fetanete Bejzatin nga lagjia Fundi i Dushkut. Dasma filloi të enjten dhe zgjati deri
të hënën. Violinisti Meharrem Hysa (Rremja) edhe kur u rritëm ne fëmijët e të martuarve, thoshte duke tundur kokën me flokët e
zeza:
- Dasmë si të Bajramit rrallë kam bërë. Isha i ri dhe e mbaj mend edhe sot… Katër ditë me radhë pa u lodhur e pa vënë gjumë në sy. U kënaqën dasmorët, u kënaqëm ne, por nderuam edhe të zotin e shtëpisë.
Në segmentin kohor 1949 - 1965 Bajrami dhe Fetanetja sollën në jetë gjashtë djem. Në lindjen e fundit erdhi edhe vajza e vetme, por s’pati fat të jetonte. Ndërroi jetë sapo mbushi një muaj, në fund korrikun e ’65 - ës. Mimoza quhej dhe ishte shumë e bukur motra jonë e pafat.
Në vitet 1949 - 1953 punoi si i plotfuqishëm (kështu quheshin
punonjësit e policisë në terren) në zonën e Mursisë. Për këtë periudhë të jetës ishte shumë i kursyer për të treguar episode
apo përmendur individë. Vite më vonë, kur kunati i tij, Myfiti punoi si mesues e llogaritar tregtie në Mursi vetëm fjalë të mira dëgjoi për sjelljen e tij ndaj mursiotëve.
Më pas, në shoqëritë që kemi patur ne fëmijët e tij me nxënës nga Mursia për Bajram Çaushin punonjës sigurimi dhe të
plotfuqishëm, kemi dëgjuar vetëm fjalë të larta:
- I kujt je ti, i Bajram Kadriut?... A, burrë i rrallë, ka shpëtuar
shumë mursiotë nga burgu Bajrami… Nuk të shiste, po i
paralajmëronte pa u bërë keq.
Në vitin 1953 e transeruan në Degën e Punëve të Brendshme në
qark (Gjirokastër). Nuk shkoi, por për habinë e eprorëve bëri
kërkesë për t’u shkëputur nga ajo punë. Që nga ky moment
filluan ta shihnin me bisht të syrit. Nanë Bejazja thoshte derisa
ndërroi jetë:
- E mora në qafë, vura kujën të mos shkonte se s’isha mësuar
me fëmijët larg.
Ndërsa kur ne që po rriteshim i thoshnim me shaka se tani do
ishim në Gjirokastër apo në Tiranë e jo në përruan e Pirros, ai
bënte i menduar:
- Bëra mirë që ika, si erdhën punët nuk hahej më ajo bukë!
Gërmuan në dosjen e tij personale dhe gjetën të njohurën, deklaratën që kishte shkruar vet Bajrami me vetëdije në
autobiografinë që gjendej në dosje. Atje thuhej se në prill të vitit 1943
shteti i kohës e kishte mobilizuar në milici si detyrim për
shërbimin ushtarak. Siç e kemi shënuar edhe më sipër, dezertoi
pas 27 ditësh dhe u fsheh. Ustallarët e Partisë dhe Sigurimit si
dhe mashtrues të shndrruar në veteran e thanë dhe e trajtuan si
deshën këtë të dhënë duke e shtrembëruar tërësisht. 27 ditët u kthyen në shtatë muaj. Pra, ia shënuan sikur kishte qënë me
Ballin 7 muaj para se të hidhej partizan. Nëse nisej nga mendësia
demokratike, kjo do të qe diçka normale, por në trajtimin e
kohës ishte faj dhe tradhëti.
Bajrami e kundërshtoi këtë fallsifikim, por askush nuk e dëgjoi.
Për ta qetësuar e shmangur si ish partisan i thanë kot se u
rregullua, por në fakt e lanë siç e patën gatuar.
Në bazë të kërkëses e liruan nga puna dhe sipas natyrës së sistemit fillun
survejimin e fshehtë ndaj tij. Një individ, ish shok i punës që
s’ka pse i përmendet emri, e kuptoi që e ndiqte. U fsheh pas një
kthese tek përroi i Feimit, i doli përpara dhe i tha:
- Hiqu nga unë filan, i thuaj atij që të ka vënë të mos më bjerë
në qafë!
Pse, dëgjonte kuçedra me mijëra kokë?... Për ta goditur edhe
më shumë, e përjashtuan nga radhët e Partisë së Punës. Ata
vazhduan të tyren, edhe Bajrami vijoi punën e vet pa u trazuar
me askënd.
Vite më vonë një darkë rrinim në manxeto. Baftjari
kishte mbaruar maturën dhe pati bërë kërkesën për të lartën.
Prindërit flisnin për pengesat biografike që i dilnin dhe kryesorja
përjashtimi i bërë dikur. Qeremi e pyeti me të qeshur:
- Baba, aman na thuaj si u ndieve kur të përjashtuan nga partia?
Ai u përgjigj shkurt si për diçka fare pa rëndësi:
- Kujton se vura kokën në jastëk?... Jo, për Zotin, as pjeku
(qerpiku) i syrit s’më lëvizi!
Kur formuan kooperativen bujqësore në mesin e viteve ’50, u
regjistrua si anëtar i saj. Në mbledhjen e Asamblesë së
kooperativës e zgjodhën brigadier.
c. Mos u tund nga shkolla!...
Në qershor - gusht të vitit 1960 u arrestuan pjestarët e të
quajturit grupi armiqësor i Teme Sejkos. Midis tyre edhe
baxhanakun e Bajramit, burrin e Dëshirës (Dishos). Pas kësaj në
Konispol të gjithë prisnin arrestimin e tij. Rrinte i mërzitur kur
kthehej nga puna.
- Mos u afroni me fëmijët e Ganiut, as në shtëpi mos i sillni se do
mirrni babanë në qafë, na porosite gjyshja që e njihte të keqen.
Ishim në shkallë të pesë fëmijët se Velua s’kishte lindur. Fetja mbante në prehër Netin e vogël. S‘reagoi e nuk foli. Pëllumbi varej tek parmaku i shkallës, Baftjari e pa me habi, Qeremi tundi
kokën i mërzitur, ndërsa Pajtimi që s’vrau gjatë, ia ktheu me inat:
- Pse mos t’i flas, që nesër do rri e do luaj me Mulin!
Kështu i flisnim djalit të madh të teto Dishos, Flamurit.
Pas kësaj krisi e iku. Nanë Fetja porositi Qeremin:
- Lereni ç’thotë ai se aq kupton, po kini kujdes se ashtu duhet!
U arrestuan shumë shokë të babait ndaj ai priste të pësonte fatin
e tyre. Qenë ditë e muaj ankthi. Kur vala e arrestimeve kaloi,
mbajmë mend që theri një kec dhe të brendshmet i bëri
kukurec. S’dimë pse, por edhe ne fëmijët ndiheshim të lehtësuar
nga një peshë e padukshme që na shtypte gjoksin.
Në vitin 1961 u hap furra e bukës në Konispol. U caktuan dy
bukëpjekës, Bajrami dhe Rexhep Hoxha. Më pas i dyti u
zëvëndësua nga Shaban Sheqiri. Punë tejet e vështirë. Gjithçka me forcën e krahëve. Në dimër kur shkonim ndonjëherë për të
marrë një kovë me prush për t’u ngrohur, ndërsa jashtë ishte
ngricë e gjenim babanë të mbytur në djersë tek gryka e furrës.
Punonte i sforcuar që nga ora pesë e mëngjesit deri më pesë të
darkës. Në kohën që bënte këtë punë (1961 - 1978) ka qënë
bukëpjekës edhe në Xarrë (pak muaj) dhe tre vite në fshatin
Çiflik. Nga Çifliku shpesh kthehej me këmbë se mbaronte rreth
orës dy të drekës pasi zakonisht vetëm një furrë piqte.
Në një rast Velua që ishte rreth pesë vjeç i tha në darkë se donte
të shkonte edhe ai me të në Çiflik. E donte shumë ndaj edhe
vëllai i vogël nuk i ndahej sa kthehej nga puna deri kur e zinte
gjumi.
- Eja, i tha me mendimin se fëmija nuk do të zgjohej dot në
orën pesë që dilte ai për të kapur makinat e kooperativës.
Të nesërmen, ndërsa babai doli e kishte kaluar ullinjtë e Hakosë,
Velua u zgjua dhe e kërkoi. Fetja u mundua ta merrte me të mirë
që ta mbante, por i vogli iu shkëput nga duart dhe ia dha vrapit
pas të atit. Ndërsa babai zbriste me gazin e kooperativës poshtë
qendrës, tek kthesa e Besiresë mbi rrugë pa Velon që vraponte
drejt makinës. Ishte përpara me Faik Korçën i cili qe shoferi. Të
dy mbanin shoqëri të sinqertë me vite.
- Mbaje pak, i tha Faikut, se m’u bë pas që mbrëmë për të ardhur në Çiflik.
E mori me vete, i bëri kulaç në furrë dhe u kthyen bashkë me këmbë pas dite në shtëpi.
Velua nuk u lodh, por ndiehej shumë i kënaqur që gjithë kohën
ishte me babanë.
Bajrami kishte shpirt të pastër dhe human. Për sa kishte
mundësi, asnjë nuk e kthenta pas pa e ndihmuar. Baftjari tregon
se gjatë kohës së stazhit kur rogën si agronom e kishte të
kufizuar, i ati ndonëse me të ardhura financiare të pakta për të
mbajtur familjen, i thotë:
- Dëgjo, mos kurse për veten, po nuk të sosin lekët që merr, më
thuaj se të ndihmoj unë me të tjera.
Kuptohet, përgjigja e Baftjarit qe mohuese pasi e dinte mirë
gjendjen ekonomike të familjes.
Bajrami e donte arsimin dhe sakrifikonte për t’i shkolluar me sa
më shumë vite të gjashtë djemtë e tij. Edhe kur përpara dilnin
pengesa e vështirësi, ai nuk e humbte kurajon, por na nxiste për
të mos hequr dorë nga shkollimi.
Kur Pajtimi ishte me burs shteti për studime në Institutin Pedagogjik të Shkodrës, në janar të vitit të parë një javë para provimeve, me ndërhyrja nga organizata e
partisë së Konispolit, e kthyen me gjysmë bursi. Ai e njihte
ekonominë e familjes dhe e dinte se s’mund t’ia plotësonin dot
bursën ndaj vendosa të braktis shkollën. Për këtë vendim njoftoi
me letër babanë. Ai i ktheu telegram urgjent me këto fjalë:
“Mos u tund nga shkolla, mëso se ke provimet, për të tjerat
mendojmë ne!”
Ai kishte të drejtë. Ç’mund të bëhej djali i tij në Konispol?...
Vetëm bujk ose blektor!...
E dëgjoi të atin, qëndroi dhe iu fut
leksioneve për provimet e sezonit.
ç. Eh, babai iku në mes të moshës
Na kujtohet një rast kur babai, me të drejtë, u lëndua shumë. Njera nga motrat martonte dikë prej vajzave. Me ndërhyrjen dhe presionin e dikujt “të besuari (e) të partisë” atë
nuk e ftuan në dasmë. Shkaku qe se gjoja paskish qënë me
Ballin dhe i përjashtuar nga partia ndaj s’mund të ulej në një
trapezë me “biografipastërit”. Kur vëllait të tij Mehmetit i erdhi
ftesa dhe atij jo, u ligështua tepër. Në darkë na tha i mërzitur:
- S’ka më Bajram, kam vdekur unë për të afërmit e gjakut!
Të nesërmen në drekë bëhej dasma. Ai shkoi në PTT dhe i nisi
motrës telegramin vetëm me dy fjalë: “Bajrami vdiq”.
Në maj të vitit 1978 papritur ndieu vështirësi në frymëmarrje.
Bëri vizitë tek kardiologu në Sarandë dhe e shtruan menjëherë.
U habitëm se asnjëherë s’qe ankuar për këtë. Shkonim dhe e
vizitonim. Qëndronte me humor si zakonisht sikur të mos kishte
ndodhur asgjë.
- Do ma nxjerrë nga thonjtë e këmbës reamatizmën e zemrës
doktor Nikua, na tha.
Niko Shomua qe kardiologu i spitalit dhe kishte emër të mirë. Megjithatë, puna raskapitëse në furrën e kooperativës e kishte bërë të keqen. E provoi të vazhdonte rishtas punën, por s’mundi.
- Mjeku na kishte thënë se i qe dëmtuar rëndë valvula e zemrës.
Mjekohet doktor? - e pyeti me ankth Vullnetii.
- Këtu jo, jashtë zëvëndësohet, mërmëriti mjeku dhe shtoi si për ngushëllim,i kam thënë, e di ai, unë do ia nxjerr të keqen nga thonjtë e këmbës!
Gjatë verës së atij viti nuk ishte mirë. Varfëri e madhe në treg.
Edhe të kishe pare, s’gjeje për të blerë asnjë kile mish për të
sëmurin. Në ato ditë të vështira të fillim shtatorit merrnim në
restaurantin e tregtisë tek kuzhinier Nikolla Fundo një racion
mishi jahni dhe ia çonim babait të sëmurë. Eh, s’kishte oreks,
hante dy tri lugë dhe e linte! Uleshim në odë ku dergjej dhe pasi i
thoshnim ndonjë të re të ditës, fillonim të pëgatiteshim për punë e
të nesërmes.
- Kini menjden, bëjeni ashtu si duhet se s’të falin këta, na
porosiste.
Më dhjetë shtator në mbrëmje iu bllokua frymarrja. Vajti
Pëllumbi e mori mjekun e shërbimit të natës të spitalit të
Konispolit, Minella Ninin. Erdhi, e vizitoi dhe qëndruam bashkë
tek shkalla e sipërme derisa babai u qetësua disi. Të nesërmen
në ambulancë bashkë me Agimin e çuam në spitalin e Sarandës.
Atje na priste Qeremi. Agimi e mori në kurriz dhe e ngjiti lart.
Niko Shomua e shtroi dhe na porositi ta shoqëronim. Atë darkë
qëndruam me të. Netët e tjera e shoqëruan Fetja dhe dy motrat Naduja e Safua.
Erdhi edhe Baftjari nga Kubneshi ku punonte. Pëllumbi shkonte
ditën e kthehej se kishte shtëpinë, Vullneti qe ushtar, Velua ishte i
vogël. Na kujtohet një moment. Ishte edhe Qeremi. E shpumë
tek dritarja e korridorit të katit. Prej andej dukej Gryka e
Bogazit.
- Ja, tej Grykës është Konispoli, tha me një fije zëri.
Ngriti sytë nga qielli.
- Nuk ka mundësi që gjithë ç’ka qielli e toka të jenë bëri ashtu
kot, një gjë e madhe i ka stisur gjithë sa na sheh e s’na sheh syri.
Ishte koha kur feja hidhej poshtë nga partia . Na vështroi si për të na marrë
mendim.
- Jo, s’ka mundësi, u përgjigj shpejt Qeremi, i ka krijuar
Zoti.
Babai e uli poshtë vështrimin.
- Se s’ka mundësi, pëshpëriti.
Duke u gdhirë data 18 shtator 1978 ndërroi jetë në spital. Pranë
tij ishte e nënë Fetja. Para frymës së fundit I tha:
- Kaq e pata Fete, të lashë në mes të udhës!
Korieri i PTT Rushan Shorri, njoftoi xhaxha Mehmetin.
Ai doli me nxitim të kërkonte makinë. I dhanë një zis
të kooperativës. Shkoi në Sarandë. Rreth orës dhjetë e sollëm
në shtëpi. Velua i vogël si fëmijë që ishte, rrinte i hutuar. Në orën
katër pas dite i bëmë ceremoninë e varrimit. U kthyem pa të.
Çuditërisht të gjashtëve na dukej sikur priste lart në odë. U mblodhëm për të gjashtat, për të dyzetat, por…
Babai na kishte lënë përgjithmonë. Ishte vetëm 55 vjeç,
Nga Pajtim Çaushi
Marre nga libri: "Çaushajt e Konispolit"
Comments