top of page
Search

Mos u bëj skllav i vetes-opinion nga Gladiola Jorbus

Updated: Jan 10, 2020

Frymëzimi, një praktikë sa individuale, aq dhe komplekse për të gjithë krijuesit. De Rada përmendte “pulëbardhën e Anakreontit”, kur i referohej atij.

Isabel Allende shprehet se në kohën që ajo shkruan, zbulon diçka të veçantë te vetja dhe tek të tjerët. Për cilindo artist, influencat dominuese janë të ndryshme, ndaj dhe përftohen eksperienca nga më të larmishmet. Sa herë që krijojmë, njohim mekanizma të reja, me të cilat funksionon bota.

Në momentin e frymëzimit, artisti shndërrohet në një instrument që synon t’i transmetojë gjërat, ashtu siç janë vërtet. Frymëzimi nuk duhet të jetë i lodhshëm dhe as të provokohet. Ai ndodh vetiu, është spontan, ngjason paksa me Euforionin e Gëtes. Ky proces shpirtëror, ndoshta është një hibridizim midis katarsisit dhe ekzorcizmit. Mbase ekzagjerova pak me termin e fundit, por gjithsesi vlen si opsion, (preferencë individuale).

Përsa i përket krijuesit, mjerisht apo fatmirësisht, ai nuk arrin të deshifrojë plotësisht misticizmin e këtij akti. Nisur nga këndvështrimi i disa syresh, ndonjëherë artisti është i çuditshëm, i çmendur, apatik; mban një qëndrim misterioz, të ngurtë, por këtë e shfaq vetëm në aparencë, dhe nuk thonë kot që “aparenca gënjen”. Artisti mediton. Dhe këtë mund ta realizojë vetëm një krijues gjenial, që e përsos vazhdimisht artin e tij.

Meditimi, i cili e çliron shpirtin nga skllavëria e botës së jashtme dhe e largon nga lidhjet tipike tokësore, gëzon privilegjin e harmonizimit të talentit me përvojën dhe luan një rol të rëndësishëm në përmbushjen e plotë të këtij procesi (frymëzimit), i cili duhet të derivojë nga emocione dhe mendime pozitive, por nuk ndodh domosdoshmërisht kështu.

Frymëzimi si koncept është një motiv i brendshëm që të nxit të veprosh, thënë më profesionalisht të krijosh. Asosacionet me idhujt, kultet dhe fantazitë tona mbartin një përgjegjësi të konsiderueshme për atë çka shkruajmë, pikturojmë, kompozojmë etj. Frymëzimi mund të ketë dhe përmbajtje onirike e cila lidhet drejpërdrejt me nënndërgjegjjen. Dëshirat e fjetura, primordiale, por ekzistente në thellësitë e qenies gjejnë terrenin e duhur të jetësohen përgjatë frymëzimit.

A është ai i vullnetshëm apo i pavullnetshëm? Vërtet penetrojmë në skutat më të tejskajshme të qenies nën efektin e tij pushtues? A mund ta përligjim atë me përkufizimin “ halucinacion i dëshirave irracionale dhe të kamufluara”? Një përkufizim deri diku i përafërt, me atë që Dr.Frojdi parashtroi për ëndrrën. Përsëri duhet ngulmuar. Kaq nuk mjafton. Vallë mos kemi të bëjmë me një gjendje inebriante ose të kalojmë në ekstremin tjetër, me një ndjesi të qashtër?

Apo duhet konsideruar një analog i nirvanës budiste (arritja e lumturisë së përsosur, në sajë të privimit total nga pasionet dhe dëshirat e jetës).

Frymëzimi mbetet perceptimi më empirik i nimbusit hyjnor, por krijuesit e mëdhenj nuk janë ushqyer me ambroz, nuk janë fryt i bashkimit të Zeusit dhe Mnemozinës si muzat e antikitetit, as nuk kanë fuqi profetike.

Frymëzimi mund të jetë një stad shpirtëror që krijon një oshilacion universal, frekuenca e të cilit, e ndërthurur me veçori të tjera nuk mund të shpjegohet përmes logjikës apo nënndërgjegjjes (për shkak të universalitetit të tij). Ai është burimi i një forme të veçantë të vetëdijes, i përftuar përmes shpirtit. Në njëfarë mënyre i shëmbëllen një arratisjeje nga vetvetja, në kërkim të së bukurës dhe sinjifikatives.

Dikush mund ta cilësojë si pavarësi, antikonformizëm, shkëputje nga nepotizmi i normave dhe tabuve. Përmes frymëzimit mund të konkretizojë sendërtimin e perversitetit, shëmtisë dhe përçudnimit. A mund të lindë një përbindësh nga ky akt hyjnor (preferencë fakultative) që do të konsiderohej një apokalips moral dhe mendor?! Falë këtij arsyetimi, ne mund të konkludojmë se frymëzimi është një zbulim i vazhdueshëm i vetes, por nën petkun e misticizmit.

Ai mbetet një mister i madh dhe mbi të gjitha eklektik, pra nuk ka një parim suprem.

Është një proces i ndjeshëm dhe i mirëfilltë, një shkarkesë ku sundon atrofia e të menduarit logjik.Të ndihesh i frymëzuar nuk nënkupton dhe kategorizimin i talentuar, por tek artistët e mëdhenj, frymëzimi sintetizohet dhe aktivizohet duke mundësuar realizimin e veprave të destinuara për të qenë të pavdekshme, pra Kryevepra.

Le t’i bëjmë një anagramë fjalës Frymëzim. Nga pikëpamja morfologjike klasifikohet e prejardhur me prapashtesë: Frymë\zim, por kur e zbërthejmë përftohet kombinimi~ Frymën + Zë (kushdo mund t’i japë një interpretim personal); pra dy fjalë të thjeshta ose një kompozitë me vlera konotative. Këtu hasim një mospërputhje ndërmjet rregullave gjuhësore dhe kuptimit që përcjell kjo fjalë.

Si përfundim: pavarësisht nga shpjegimet, dyshimet, hamendësimet dhe sugjerimet që gjithësecili prej nesh rezervon mbi këtë fenomen të jashtëzakonshëm (frymëzimin), ai konsiderohet si shkaku fillestar i gjenialitetit të çdo artisti dhe krijuesi. Siç shprehej dhe Vincent van Gogh: "Mos e mbyt frymëzimin dhe imagjinatën tënde, mos u bë skllav i modelit tënd ".

Commenti


bottom of page