MOTËR BAJAMJA JONË E FËMIJËRISË
- Pajtim Çaushi
- 3 days ago
- 4 min read
Nga Pajtim Çaushi
Prezantim
Bajame Shorri (Dishati) ishte e bija e Nezirit dhe Fetës.
Lindur më 2 shkurt 1946.
Larguar nga jeta më 16 dhjetor 2024.
Me një motër e tre vëllezër: Bejazin, Kujtimin, Fezanen e Myzaferin.
Bashkëshortja e Bejkushit, birit të Selfos dhe Aljesë.
Nënë e Mirës, Muharremit e Margaritës.

Të gjithë i donte, të gjithë e nderonin...
Kujtesa më thotë se familjet tona jetonin shumë afër njera tjetrës, në dy anët e Përroit të Pirros. Në mungesë të celularëve, ne shkëmbenim përshëndetje e bisedonim nga dritaret e shtëpive tona dy katëshe. Zërat forconin jehonën në hapësirën e Përroi arrinin të fortë e të pastër atje ku duhej.
Si tani e kam para syve xha Nezirin e mirë e hokatar dhe Fetën e urtë, të pastër e nikoqire.
Fëmija i tyre i parë qe Bajamja. Të gjithë ne djemëve të lagjes na quante vëllezër. Ne pa përjashim i flisnim motër dhe e dëgjonim me shumë respekt. Kjo jo se ishte më e madhe si moshë, por nga paraqitja dhe sjellja e saj shembullore.
Vajzë e shëndetshe, përherë e qeshur, e hijshme, e thjeshtë, njerëzore, e folur me të vegjël e të mëdhenj. Të gjithë i donte dhe i respektonte.
Të gjithë e donin dhe e nderonin.
Do çirreni e asnjë vajzë s'do u hedh sytë...
Për ndonjë gabim a teprim fëminor që bënim, motra na tërhiqte veshin me fjalë të ëmbla e hoka plot lezet.
Një pasdite ne, dy fëmijë të lagjes Pirrot dhe dy të lagjes Aliagat, kishim bërë shkopinj nga konopicë e loznim lojën e shpatave. Ndodhi që shkopinjtë si shpata na goditën në faqe e zverk dhe filluam të grindeshim.
Motër Bajamja nxitoi të vinte drejt nesh se sherri mund të trashej.
- Ç'bëni vëllezër, pse kështu luhet?... Më dëgjoni mua, lereni këtë lojë se do çirreni e asnjë vajzë s'do u hedhë më sytë!... Hë ju pastë motra, m'i jepni mua purtekat!
Ne ia dorëzuam pa asnjë kundërshtim dhe qëndruam para saj si kaposhë të qullur. Ajo na përqafoi me dashuri.
Ja, e tillë ishte motra jonë Bajame!...
Vjerra para, nusja pas, të dyja me buzë në gaz
Bajamja u martua me Bejkush Shorrin. Si i caktuar nga fati apo rastësia, edhe djali ashtu si vajza, ishte me gaz në buzë dhe urtësi në mendime. Lidhje e bukur martesore krijoi një çift të mençur e gazmor.
Bajamja ishte vajzë e zgjuar dhe me edukatë të lartë familjare. Prindërit e të shoqit i deshi shumë duke i vlerëesuar si prindërt e saj. Në çdo vizitë urimi apo ngushëllimi ajo do të ishte në krah të vjerrës, nanë Aljesë. Vjerra para, nusja pas, të dyja me buzë në gaz.
Edhe Bejkushi i deshi si të vetët Nezirin dhe Fetën. I takoja shpesh rrugës kur shkonin për vizitë tek shtëpia e prindërve të Bajames. Secili më vete më takonte me dashuri e respek. Dhe secili, me atë buzagazin e pashqitur nga pamja, thoshte ndonjë shaka me lezet.
Rritur nga nënë mbretëreshë, kush mban gruan si princeshë
Që në dukje dallohej që çifti i tyre shkonin shumë mirë me njeri tjetrin. Thuhet se burri është pasqyra e gruas dhe gruaja faqja e burrit. Bajamja ishte jo vetëm punëtore e dalluar kudo, po dhe një njeri që respektonte këdo. Kur gruaja është tejet njerëzore me të tjerët, si mund të mos jetë e tillë me gjysmën e vetes së vet?...
Në veshjen e dukjen e burrit Bajamja bënte të mos ngjiste asnjë qime e asnjë shenjë.
Edhe Bejkushi e deshi dhe e vlerësoi shumë gruan e vet. Ai ishte djali i dy prindërve të urtë e të nderuar.
Nëna ime, Fetanetja që e donte shumë këtë çift simpatik, i thoshte Bejkushit kur i takonte të dy bashkë:
- Të lumtë o djalë, dukej që je nga sua, njëlloj si priceshë e mban Bajamen!
- Ja shihe vet nanë Fete, nuk e mbajë edhe unë beun si bej? - ia bënte Bajamja duke qeshur.
Unë pasi dëgjoja nanën dhe motrën, thoshja për të ngacmuar Bajamen:
Thonë se është rritur nga nanë mbretëreshë kush mban gruan si princeshë!
Bajamja qeshte dhe mandej thoshte me bindje të plotë:
- Vërtet, nanë Aljeja është mbretëreshë e mbi mbretëreshë!
Nderoni nanën e babanë, t'u nderojë juaji qoftë vajzë a djalë!
Bajamja e Bejkushi lindën e rritën tre fëmijë: dy vajza dhe një djalë. Të tre model në familje, shkollë e shoqëri. Për çudi, buzëgazi i prindërve ka kaluar natyrshëm dhe bukur tek pasardhësit.
Dihet, fëmijët janë të babit e të mamit, por atë ndjeshmëri që kanë për nënën. s'e kanë për atin. Kjo është e kuptueshme: fëmijët janë pjesë fizike dhe shpirtërore e nënës që nga ngjizja deri në rritje.
Kujdesi i Bajames për Mirën, Memin e Ritën ishte pë t'u admiruar dhe imituar nga kushdo. Ajo rriti fëmijë të edukuar e të zgjuar, mentarë e njerëzorë, të punës e të shoqërisë. Kur u rritën e krijuan familjet e tyre, Bajamja u kujtonte si me shaka të vërtetën e jetës njerëzore:
- Nderoni nanën e babanë, t'u nderojë juaji qoftë vajzë a djalë!
Dhe ata e nderuan nënën e tyre të mirë derisa mbylli sytë përjetësisht në dhjetorin e njëzetë e katrës.
Jeta është siç e bën. Motra jonë e fëminisë Bajame Shorri (Dishati) bëri një jetë të bukur shpirtërore, ndaj dhe la pas kujtime të hijshme e njerëzore...
Tiranë, 20 prill 2025
Comments