top of page
Search

Mufit Zeqiri iku pas një jete me dallgë

Nga Pajtim Çaushi


Shpesh bëhet përqasja e jetës me detin. Kjo është e kuptimshme pasi jeta dhe deti kanë shumë pikëtakime. Njerëzit gjatë viteve nuk koloviten vetëm mes valëve të qeta, por shpesh përballen me dallgë stuhishë e ulërimash.

Kuptohet, jo të gjithë, por një pjesë po. Kjo sipas rrjedhës që i merr secili dhe në shumë raste edhe sikund dhiareve ku e shtynë shoqëria dhe pushteti.

Mufit Zeqiri jetën e pati det me dallgë e stuhi. Nuk e deshi vet, të tjerët e kaluan në ato tërthore të vështira.


I shenjuar si njeri i mirë

 

U lind në fshatin Spatar të Çamërisë në 23 nëntor të vitit 1919 nga prindërit Rexho e Bule.  Mbeti pa të atin që në trembëdhjetë muaj kur sapo pati nisur të hidhte ndonjë hap të vockël.

Kujdesi i së ëmës Bule bëri që të rritej si fëmijë i shëndetshëm e simpatik. Flokët e zinj në gështenjë ia hijeshonin fytyrën simpatike. U rrit i qeshur ku i spikatnin sytë e gëzuar dhe buza në gaz. Të ëmën e donte shumë dhe e respektonte si hyjneshë. Edhe Nanë Bulja sytë tek ai i mbante. Që në pamje dallohej se ishte i mbarë dhe i mirëkuptuar me të tjerët.

Mufit Zeqiri nuk u rrit gjigand nga fiziku, as i shumtë nga fjalët, por i shenjuar si njeri i mirë dhe human.

 

Një vrasje kafshërore e dyfishtë...


Kur Lufta e Madhe sapo kishte mbaruar, popullsia e krahinës së Çamërisë u gjend ballë një masakre çfarosëse. Bandat zerviste vrisnin, përdhunonin e dëbonin popullsinë shqiptare nga trojet e tyre shekullore. Edhe në Spatar kjo ndodhi.

Në gusht të vitit 1945 Mufiti 26 vjeçar u detyrua të hynte në Shqipëri. Ndodhi që në rrëmujën e dëbimit e ëma Bulja nuk mundi të vinte bashkë me të birin. Kjo bëri që Mufiti të rikthehej fshehtas në shtëpinë e tij për të marrë nanën. Sapo hyri në katin e parë të shtëpisë u gjend para një pamje rënqethëse: një nuse e re e masakruar, me bark të shqyer nga bajonetat, me foshnjën e shkulur nga mitra e së ëmës...

U largua i tmerruar prej pamjes tragjike. Nanë Bulen e siguroi tek disa miq me porosinë që t'ia nxirrnin në kufi sapo të qetësohej disi gjendja. Kështu ndodhi, pas disa ditëve ia nxorrën në fshatin Janjar.

 

Pemës së ka kokrra i bien me gurë


Me nanë Bulen u vendos në Delvinë. Filloi punë në fabrikën e vajit. Që në fillim punëtorët dhe drejtuesit e ndërmarrjes dalluan tek Mufiti punotorin e palodhur, me pak fjalë e pa vese. Punonte atje ku e caktonin, pa i bërë naze asnjë pune.

- Je rob i punës o çam, s'të del asnjë në krah nga fuqia, i tha ditën e tretë një vendas.

Mufiti buzëqeshi si zakonisht:

- Kam punuar që i vogël se babai më la shpejt, iu përgjigj thjeshtë.

Brigadieri një ditë, pasi e mburri për punën dhe tipin, e pyeti:

- Pse ju thonë të pabesë ju çamërve? 

Dhe aty për aty shtoi:

- Në fakt unë diçka të tillë s'e shoh tek ti.

Mufitit iu formua një rrudhë e thellë mendimi në ballë.

- Pemës që ka kokrra i bien me gurë, nuk i bien gjëmbit, ia ktheu serioz.

Për pak e pyeti:

- E di ti ç'është Çamëria?

- Vend si gjithë të tjerët... pse ç'mund të jetë tjetër?

Rrudha e ballit iu zbut nga një mallëngjim i beftë.

- Nëse Shqipëria është xheneti, Çamëria është lulja e xhenetit, foli duke gremisur kokën poshtë.

 

E vërteta dhe e drejta nuk mbyten kurrë

 

Në viti 1953 shkoi për të jetuar në Konispol. I martuar me Bejaze Kuçukun, u fut dhëndër në fisin e Kuçukajve. Ishte fis nga më të njohurit e Konispolit. Përmendej për bujari, atdhetari, kamje e kulturë.

Paraardhësi i tyre qe i njohuri me poemën  "Erveheja", të parin vargëzim të gjatë fetaro - didaskalik në shkrimin shqip.

Lindën tre fëmijë. I pari s'mundi të jetonte. Dy të tjerët Fatbardha dhe Idrizi u rritën nën kujdesin e Bejos dhe u bënë njerëz me edukatë e sjellje shembullore. Mufiti dhe Bejua u kujdesën që vajza dhe djali të përvetësonin aksiomën e madhe se:

"... e vërteta dhe e drejta lagen e zhyten, por kurrë nuk mbyten..."

Fatbardha dhe Idrizi u bënë të drejtë, të ndershëm e me plot vityte të tjera.

 

"... kur ta bën tëndi, të dhemb shumë..."

 

Deri në vitin 1960 Mufiti punoi ne Ndërmarrjen e tregtisë. Një vit ('60 - '61) furrtar tek furra e bukës Konispol. Këtu zë fill edhe miqësia e tij me tim atë Bajram Çaushin, lidhje të cilën e mbajtën të pacënuar deria jetuan.

Gjatë viteve '61 - '66 ishte punonjës tek mulliri i blojes së drithrave. Në të gjitha vendet e punës ku u caktua ishte shembull i punëdashjes e korrektesës,

Viti 1966 do të përplaste një dallgë të fortë mbi Mufitin dhe familjen e tij. Qenë sajuar fjalët dhe dëshmitarët nga njerëzit e pushtetit për demaskimin publik të njeriut të ndershëm e punëtor.

Preteksti: mban lidhje me fëmijët e "armikut të popullit" Hajri Mane.

Shkaku: pema me kokrra qëllohet me gurë...

Dhimbjen shpirtërore e ndjeu më të fortë se kur zervistët e dëbuan nga shtëpia e prona e tij në Spatar. Më vonë do t'i shprehej mikut të tij, Bajramit:

"... ata ishin të huaj e nga i huaji e pret, po kur ta bën tëndi, të dhemb shumë".

E hoqën nga mulliri me masën: punë në bujqësi.

Vendi: tek brigadat e Rrahut. Atje punoi për dy vjetë.

Në vitin 1968 e rikthyen në mulli.

 

Ta dinin të shkretët se ç'hanë, o Bame...!

 

Isha në Maturë. Qe dimër. Me porosi të babait, Bajramit u ktheva nga furra për të marrë një kovë me prush për ngrohje. Im atë më tha të prisja pak sa prushi të ftohej disi.

U ula në një stol tek qoshja. Erdhi xha Mufiti. Në flokë e rroba kishte njolla mielli. Mua s'më pa. Babai stivoste bukët e misrit mbi tavolinë. Atë çast u bëra dëshmitari i heshtur i këtij dialogu mes tyre:   

- Po ta dinin të shkretët se ç'hanë o Bame, do nxirrnin edhe zorrët e barkut.

- Pusho o njeri, harrove që e pësove një herë me demaskim?!

- Ty të thashë se mos i fola fshatit... Eh, ç'hanë!... Misrit të kalbur përzier me të pëgërët e maçeve e kakërdhitë e minjve!

- E di o byrazer, po ç'të bëjmë ne?... Mos e zërë në gojë me njeri se burgu na pret. S'të falin këta!

S'dëgjova dot më se pas kësaj vetëm pëshpërisnin...      

Mufit Zeqiri ndrroi jetë në 23 shtator të vitit 1987. Nuk e kishte as radhën as kohën, por vdekja s'merr parasysh as të parën, as të dytë.

 

Tiranë, 17 qershor 2023

Comments


bottom of page