top of page
Search

Më fal Çamëri

Nga Tanush Çaushi

Çamëria, sot më e zbrazët se kurrë shpirti yt. Ende nuset me foshnjat e copëtuara pa lindur, një varr nuk e kanë. Shtëpitë e vjetra me sterra dhe me ullinj janë ende aty.... Çamëri ti je ende aty, por ne jemi shumë larg teje.

 Të më falësh Çamëria ime që kurrë nuk munda të të mbroj. Të më falësh se unë jam i dobët dhe vëllezërit e mi shqiptarë të shikojnë jashtë axhendës së kombit shqiptar.

 Të më falësh se ti nuk ekziston në listë si çështje kombëtare shqiptare.

Kryeministrat tanë, këta, " lidera botërorë" kanë frikë të të përmendin.

Të më falësh se Kryeministrat që kanë ikur, janë e po shkojnë nuk folën të paktën një fjalë për ty. Edhe dikush që foli, e mbylli pas dyzetë ditësh çështjen si në vaki. 

Përbetohen mbi varrin tënd politikanët e radhës, por që kurrë nuk të mbrojtën dot apo më mirë nuk deshën të të mbronin.

Emrin tënd e përdorën për pushtet dhe ngritën flamurin e nacionalizmit, por ti nuk kërkon ekstremizmin, por vetëm të drejtë ndërkombëtare. 

Ti kërkon që Dikush të thotë se ti ekziston si çështje. Tua thotë këtë me diplomaci, në takime, në media, sy më sy Europës dhe Amerikës:

-Çamëria ekziston dhe mbi të është bërë genocid. Çamëria ekziston dhe kërkon drejtësi....

 Dikush të përdori për të ngritur flamurin me njërën dorë dhe ngulur thikën nga ana tjetër.

Një tjetër u betua se do të kthente në nuse të bukur ashtu sikurse ke qenë, por sapo erdhi në pushtet harroi qëllimin kryesor.

Vitet do kalojnë siç kanë kaluar dhjetëra vite, por përsëri ne do të kujtohemi për ty vetëm në 27 Qershor.

Atëherë do të vijmë në anën tonë të kufirit dhe do vendosim disa tufa me lule, do të recitojmë ndonjë poezi. Më meraklitë do të mbajnë edhe ndonjë fjalim.

Dhe flamuri shqiptar do tundet në skajin më jugor të Shqipërisë, Konispol. Turma do thërrasë:

- Rroftë Çamëria.

Aty ndoshta do ju vijë keq minoriteteve me 300 anëtarë të Qeverisë Rama 2.

Më fal Çamëri, ma bëj hallall që dot nuk të mbrojta...



Comments


bottom of page