Më shumë se konflikt për gazin, ky është konflikt për marazin që epoka koloniale po mbaron Nga Redi Shehu
Ishte e pamundur që marrëveshja e firmosur mes Turqisë dhe Qeverisë së Unitetit Kombëtar të Libisë nga fundi i vitit 2019 në Tripoli, lidhur me përcaktimin e një zone të përbashket detare, të mund të lihej e të kalohej pa një pështjellim të madh në arenën ndërkombëtare.
Ashtu si pjesa më e madhe e Ballkanit, Azisë dhe Lindjes së Mesme, edhe Mesdheu Lindor ishte përgjumur brënda një status quo-je e cilat në thelb kishte për bazë marrëveshje postkoloniale, ku copëtimi territorial e detar, e drejta e shfrytëzimit të pasurive kombëtare, e drejta e vetendosjes apo e bashkimit të fakorit etnik në një territor, ishin iluzione të shkërrmoqura nga prepotenca e fuqive koloniale me të gjithë padrejtësinë e tyre. Pikërisht, marrëveshja e Tripolit, ishte një rrufe e cila godiste stabiltetin fallso të ndërtuar nga ujditë e njëanshme dhe të padrejta koloniale. Marrëveshjet e Sevrës (1920) e të Lozanës (1923), ishin materializime të babëzive koloniale në kurriz të të drejtave universale të njeriut për të gëzuar tokën, ajrin dhe detin që i takon. Marrëveshje të tilla i kemi provuar edhe ne shqiptarët në kurrizin tonë. Konferencat e Berlinit (1880, 1884, 1913) ajo e Londrës (1912-13), janë fakte historike të gjalla se si pjesa më e madhe e territorit tonë u shkëput nga trungu amë duke shkaktuar drama të mëdha si ajo çame, apo shpërfytyrimi i Kosovës, si dhe destabiliteti i vazhdueshëm i Maqedonisë, pasojat e të cilave akoma i ndejmë edhe sot. Plot një shekull më vonë, pak kohë nga skadimi i marrëveshjeve koloniale, Turqia tashmë me një profil të një superfuqie rajonale që synon të transformohet në superfuqi globale, sjell me vete edhe ndryshimin që një komb ka në rrugën e tij të ngritjes.
Nëse dimë plot shtete të fuqishme që renditen në dhjetë superfuqitë botërore, rruga e rritjes së tyre kryesisht ka ardhur përmes kolonizimit të fateve dhe pasurive të kombeve të tëra.
Rritja e tyre është bërë, e në disa raste vazhdon e bëhet, si me Francën për shembull, duke vjelur rentat e veta koloniale në popujt e Afrikës dhe kontinenteve të tjera.
Ndërkohë që Turqia rritjen e vet tenton ta shpalose jo përmes modelit kolonial, por përmes modelit që bazohet në bashkëpunimin, tregëtinë si dhe marrëveshjet ushtarake të bëra me popuj të cilën në thelb ndajnë të njëjtën përbërje kulturore me të.
Pra, një model i ri i ndërtimit të një superfuqie, bazuar mbi pritshmëritë e përbashkëta më shumë se sa mbi ndasitë e përbashkëta. Ky është mesazhi që Turqia dëshiron të japë në vigjilje të një marrëveshje të re ndërkombëtare.
Në këtë frymë koloniale, ndodhet sot edhe kapaciteti i Turqisë për të shfrytëzuar ujrat e veta territoriale. Nëse shohim hartën e zotërimit të kësaj pasurie detare, marrëveshjet e vjetra e kishin mbyllur kapacitetin ujor të Turqisë në një kënd të vogël rreth Antalias, dhe mjaftonte një garë sportive noti që notarët të gjendeshin në ujrat territoriale greke edhe pse bregdeti turk është aq i gjatë sa trefishi i shteteve kufitare me të.
Vetëm nëse shihet ngjarja në këtë këndvështrim, atëhere do kuptojmë se lëvizjet e fundit të marisën turke, në thelb janë lëvizje mbrojtëse dhe jo ekspansioniste.
Skadimi shumë shpejt i Traktatit të Lozanes (2023), i cili penalizoi Turqinë për të përfituar nga burimet e veta natyrore, e hap në mënyrë të natyrshme këtë sipar. Prandaj, Turqia më shumë se sa kërkimin e gazit, me lëvizjet e kohëve të fundit, po kërkon të drejtën e saj për të pasur aq det sa i takon sipas të gjitha konventave ndërkombëtare përfshirë edhe atë të OKB-së të vitit 1982. Greqia e për pasojë edhe Franca, në thelb më shumë se sa gazin e Mesdheut duan që stas quo-ja koloniale njëqindvjeçare të mos ndryshojë. Më shumë se konflikt për gazin ky është konflikt për marazin që epoka koloniale po mbaron, sepse nuk ka si shpjegohet ndryshe prezenca ushtarake e Francës ne Mesdheun Lindor, kur ajo as nuk është shtet kufitar me Turqinë dhe as ka të bëjë fare me këtë rajon.
Ekzistenca e dy vendeve anëtare të NATO-s, si Turqia dhe Greqia, brënda kësaj organizate, nuk ka pikë kuptimi nëse standartet e euroatlantike të cilat përmblidhen në respektimin e të drejtave ndërkombëtare të anëtarëve të saj, të mund të aplikohet për të gjithë njësoj. Fryma e aleancës merr kuptim nëse anëtarët e saj ndajnë realisht të njëjtat vlera. Për këtë arsye, marina turke është në Mesdheun Lindor më shumë se sa për gazin, është për të testuar se sa e sinqertë dhe mbi çfarë bazash reale shtrihet aleanca e Atlantikut Verior. Ardhja e Francës me flotën e vet në mbrojtje të Greqisë, në karshillëk të hapur ndaj Turqise, vërteton pikërisht këtë se alanca e NATO-s, fsheh në vetvete standarte të dyfishta. Jo vetëm kaq, por fsheh edhe marrëveshje të shfrytëzimit të burimeve të Mesdheut Lindor nga disa anëtarë në kurriz të të drejtës së anëtarëve të tjerë për të njëjtën gjë.
Nga ana tjetër, konflikti në Mesdheun Lindor, tregoi se sa lehte mund të bëjnë aleancë shtete të cilat janë demokratike në sistemet e tyre politike, si Franca dhe Greqia, me shtete diktatoriale si Egjipti apo edhe monarkitë absolute si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabia Saudite, kur bie fjala për të ruajtur hegjemoninë koloniale. Por, a mundet që në shekullin e 21 të mund të mbrohen hegjemonitë koloniale me metoda dhe forma “demokratike”? Kjo praktikisht duhet të jetë e pamundur. Ajo që pamë me aleancën e çuditshme franko-greko-egjipto-emiratase, është përpjekja për ruajtjen e relikës koloniale, nën petkun e shoqërive demokratike. Rezistenca franceze me ushtarë grekë, është përpjekja e fundit që epoka koloniale të mos përfundojë. Çështja e Mesdheut Lindor është një çëshje e rëndësishme sepse ka të bëjë me fillimin e fundit të një epoke padrejtësish. Turqia duket se është aq e vendosur sa të shkojë në luftë për këtë.
Më shumë se për gazin, ajo është e gatshme të shkojë në luftë për të drejtën dhe dinjitetin e vet, si dhe për të hapur një epokë të re të marrëdhënieve ndërkombëtare. Historia na ka treguar se lëvizje të tilla rrallë janë bërë pa përdorimin e forcës dhe pa presionin e duhur ushtarak. Përveç kësaj, ajo e ka vënë në pozitë të atillë gjithë botën demokratike, aq sa kjo e fundit është e detyruar të zgjedhe mes vazhdimit të hegjemonive koloniale apo ripërkufizimit të marrëdhënieve në botën demokratike.
Fregatat turke në detin e mesdheut janë prova e forcës se sa e civilizuar do të tregohet bota demokratike për të korrigjuar një nga padrejtësitë e mëdha të bërë ndaj një populli në momente të këqia historike për të. Por nëse sot Turqia këtë po e bën me forcën e vet ushtarake, po Shqipëria, si do të mund të korrigjonte padrejtësitë koloniale të bëra ndaj saj?
Comments