top of page
Search

Mëngjesi i një dite.

Nga Poeti Hekura Halili


Mëngjesi i një dite.


Më mbaruan fjalët.

veç një më ka mbetë,

dhe cigarja e fundit në paketë.

Flas me heshtjen,

më e mira bisedë.

të fundit cigare e ndez.


I magjishëm për të tjerët ky mëngjes,

për mua ,

si gjithë mëngjeset e tjerë...

Zbres tek Limani Sarandës,

kafen dhe një teke të vogël ,

si zakonisht gjerps.


Peshkatarët ,

në këtë ag,

çveshin natën nga supet,

ankorojnë varkat e bardha ,

me dritën e agimit ,

i lidhin në breg.


Pastaj,

nisin e pastrojnë rrjetat,

nxjerrin prej tyre peshqit ,

duke mërmëritur nën buzë,

sikur për ta u vjen keq,

që kanë rënë në rrjetë.

(hipokrizia e njeriut,

që kur është lerë)

dhe nisin e shesin...


Pi kafen,

me zhurmë të forta buzësh,,

që dallgët trembin.

Kthej teken me sytë nga qielli.

pi dhe një kupë prej tij,

(s’ka më të mirë pije,

se një kupë qiell)…


Ngrihem.

Cigarja në gishta,

veten e saj,

dhe kohën djegë..

Mbështillem me heshtjen,

buzëdetit nis të ecë…


Një ditë e imja,

si të tjerat,

nis lundrimin,

si një varkë ,

pa kupi,

pa timon,

pa spirancë,

pa velë ...


Ëndërr e bukur.


Nesër jemi për udhë,do kthehemi në Çamëri,

dëgjova babanë t’i thoshte nusë,(nënës)

ndërsa rrufte kafenë ulur në shkallë,

koha është e mirë, me diell që s’djeg ,

dhe nata farfurinë, kohë udhëtimesh.


Nuja brofi nga krevati ku lëngonte prej kohësh,

u bë vajzë e s’priti fjalë të dytë,

çelsat e shtëpisë që s’i kish heqë kurrë nga brezi,

me vaj ulliri nisi t’i fshijë.


Hapi sepeten njëqind vjeçare bërë në Janinë,

nxorri kostemet e martesës dhe u veshën ,

për udhën e kthimit.


Tringëllima e çelsave më zgjoi...


Ëndërr e bukur psherëtiva,

më çmalle me prindërit e mi,

ikur prej kohe nga kjo botë,

dhe më tregove ,

se të gjithë shpirtrat e të ikurve tanë,

kthehen në shtëpitë e tyre stërgjyshore.


Shpirtrat s’njohin shtete e kufinj,bëhen ëngjëj,

dhe na mbajnë në flatra shpresën e kthimit,

na mbajnë në këmbë muret e çatitë e shtëpive tona,

të bukura hata, në trojet pellazgjike,

që s’njohin vjetërim, e në gjunjë s’bien.


Ëndrra e bukur e këtij mëngjesi

më hapi portën e kësaj dite,

me re të bardha e të zeza trazuar,

që çuditërisht ,si" karvan mushkash" ,

ngarkuar me ëndrrën time,qiellit,

udhën për në Çamëri kanë marrë,

tërhequr për “kapistalli”,

nga nuja dhe babai im...


Comments


bottom of page