top of page
Search

MËSUESI, EDUKIMI I BREZAVE TË RINJ DHE RRITJA EKONOMIKE E VENDIT Dr. Klodian Muço

Dr. Klodian Muço[1]


Në Shqipërinë e para viteve ’90 shumë fëmijë ëndërronin që në të ardhmen të bëheshin mësues/e. Jo pak herë fëmijët e atyre viteve në lojërat e tyre të improvizuara përdornin dërrasat e zeza dhe shkumsat.

Ndër vite, dëshira dhe mundësia për tu bërë mësues/e ka rënë dita ditës për një sërë arsyesh dhe problemesh.


Së pari popullsia shqiptare është në rënie të vazhdueshme, kjo për arsye të rënies së lindjeve dhe emigracionit.

Duke ju referuar të dhënave të UNICEF përgjatë 10 viteve të fundit mbi 590 mijë kanë lënë përfundimisht Shqipërinë për të shkuar në një nga vendet e Bashkimit europian.

Nëse do të analizonim emigracionin shqiptar sipas moshave do të vërenim se mbi 16% e personave që kanë lënë përfundimisht Shqipërinë sipas UNICEF janë nën moshën 20 vjeç.

Rëniet e lindjeve dhe fluksi i emigracionit reflektohet më së miri te rregjistrimet në shkolla, ku sipas të dhënave të INSTAT në vitin shkollor 2018/2019 u rregjistruan gjithsej 641.161 nxënës dhe studentë me një ulje prej 16.7% në raport me vitin shkollor 2014/2015 ose mbi 107 nxënës më pak.

Një rënie të madhe u vu re në numrit e nxënësve në arsimin fillor ku për vitin shkollor 2018/2019 u rregjistruan 167.104 nxënës me një rënie prej 12.7% apo me mbi 21 mijë nxënës më pak në 4 vjet.

Nëse do të krahasonim rregjistrimet e vitit shkollor 2018/2019 me ato të vitit 1991 do të shihnim se kemi një reduktim me rreth 30% për të gjitha ciklet.

Rënia e numrit të nxënësve është shoqëruar ndër vite edhe me reduktimin e numrit të mësuesve ku çdo shtator për ta, kthehet në një makth të vërtetë, nga frika se kujt do i biej “lapsi” të lërë vendin e punës. E kjo situatë me shumë gjasa do të shkojë nga keq në shumë keq.


Sot popullsia Shqiptare me moshë nga 0-19 vjeç është rreth 700 mijë nga rreth 790 mijë që ish në 2015, me një rënie me 13.2%.

Nëse trendi do të jetë i njëjtë për 10 vitet e ardhshme i bie që popullsia e kësaj fashe të biej me 140000 vetë, kjo nënkupton që numri i mësuesve në shkollat fillore dhe të mesme do të reduktohet me mbi 30% në 10 vitet e ardhshme.

Këto shifra tregojnë se në të ardhmen gjetja e një pune për mësuesit e rinj do të kthehet në një mision gati të pa mundur.


E gjitha kjo përgjegjësve institucional, në aparencë mund t’u duket si një avantazh pasi do të ketë reduktim të kostove për staf organik, paratë që do të kursejnë për rroga mund ti investojnë për të rritur investimet në ristrukturime shkollash në qytetet me popullatë ,duke lënë në degradim të plotë shkollat e qyteteve të vogla rajonale apo fshatrave.

Sigurisht që për të rritur cilësinë në shkolla nevojiten politika vizionare për të garantuar një të ardhme profesionale më të mirë për mësuesit aktualë dhë një rritje të cilësisë në mësimdhënie. Rritja e cilësisë në mësimdhënie bëhet kryesisht me anë të përmirësimit të edukimit dhe jo me vetëm me rritjen e cilësisë së shkollës.

Edukimi është proçesi me anë të së cilit, individi mëson rregullat e sjelljes në mënyrë metodike dhe racionale që janë të ndara në grupe familjare dhe sociale në të cilët bën pjesë.

Edukim do të thotë të formosh dikë, një fëmijë, adoleshent apo të ri, duke besuar, zhvilluar aftësitë e tyre intelektuale dhe cilësitë morale për të bërë të mundur që këta të rinj të arrijnë maturinë dhe përgatitjen e nevojshme për të qënë qytetarë model dhe profesionistë të mirë.


Të edukosh do të thotë po ashtu t’u mësosh të tjerëve të zgjedhin, të dinë; çfarë të bëjnë dhe çfarë mos të bëjnë, si të shprehin emocione dhe mendimet e tyre në të gjitha format e lirë.

Nevojitet që mësuesi të jetë në “qëndër të universit”. Po përmend një fakt interesant, kur Singapori nisi luftën pa kompromis ndaj korrupsionit, e nisi me rritjen e rrogave të mësuesve.

Sot Singapori sipas një analize të “The Economist” është një ndër vendet më të zhvilluara në botë për shkak të modelit të arsimit.

Sot Singapori sipas vlerësimeve të PIZA për arritjet e nxënësve është në vendin e parë në botë. Kjo pasi shteti diti të krijojë një model të mirë të arsimit dhe shkencës duke vendosur në qendër mësuesin.

Mësidhënia në Singapor nuk është e bazuar në teknologjinë e fundit, përkundrazi nxënësit mësojnë me metoda tradicionale. Mësuesit janë të trajnuar, të paguar mirë dhe janë zgjedhur nga radhët e nxënësve më të mirë që dalin nga shkollat e tyre të mesme. Nxënësit në Singaport kanë njohuri shumë më shumë nga moshatarët e tyre në Amerikë.

Në Singapor nuk ka burokraci për punësimin e mësuesve, ata motivohen me bonuse dhe vlerësime nga institucionet përkatëse. Ndërsa te ne..


Një problem tejet i rëndësishëm ngelet financimi i arsimit.

Në 2019 buxheti i parashikuar për financimin e arsimit ishte rreth 8% e buxhetit total.

Në 10 vitet e fundit përqindja e buxhetit që shkon për arsimin është reduktuar me rreth 1.5%. Në vendet e BE-së shpenzimet e arsimit zënë mesatarisht 12% të buxhetit total.

Në Ballkan ja vlen të përmendim Kosovën e cila për arsimin çon 14% të buxhetit të përgjithshëm. Për arsimin në Shqipëri shkon 2.92% e GDP-së ndërkohë që vendet e OCDE e kanë nga 5-8%.


Për të konkluduar mund të themi se po nuk u rrit buxheti për arsimin nuk ka se si të rritet cilësia. Nuk duhet harruar që investimi në arsimi është investimi më i mirë për të pasur rritje ekonomike.

[1] Profesor ekonomie i Universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe “Zoja e Këshillit të Mirë”

Comments


bottom of page