top of page
Search

Mësuesit meritojnë rritje page

Nga Zija Lika*


Aktualisht të gjithë mësuesit që punojnë në sistemin arsimor parauniversitar, meritojnë rritje reale dhe të ndjeshme page. Të ashtuquajturit "pedagogë" të arsimit të lartë shqiptar, kanë patur dhe kanë mesatarisht një pagë rreth 80% më të lartë se ajo e mësuesve dhe megjithatë kërkojnë rritje page. Nuk mund dhe nuk duhet të ketë rritje page për të gjithë, bazuar në argumentat si më poshtë:

1- Në rankimin botëror, universitetet shqiptare ndodhen të listuar në vendet e fundit të planetit tokë.

2- Gati 90% e pedagogëve, kanë marrë tituj shkencorë me plagjatur dhe nuk kanë kontribuar aspak realisht në fushat e kërkimit shkencor dhe zgjidhjes veçanërisht të problematikave të mprehta ekonomike të vendit, ndërkohë që për këto pseudotituj të pamerituar që kanë, janë shpërblyer dhe shpërblehen padrejtësisht me shtesa të konsiderueshme pagash apo pensionesh mujore në kurriz të taksapaguesve shqiptarë.

3- Një pjesë e konsiderueshme e tyre, në vend që ta kenë parësore punën e pedagogut, e kanë atë realisht punë të dytë, tretë apo të katërt.

4- Bazuar në shumë të dhëna të bëra publike edhe nga media të ndryshme vendase, rezulton se përgjithësisht kupolat drejtuese të universiteteve shqiptare duke patur si mburojë dhe spekulluar me të drejtën ligjore të autonomisë universitare, kanë keqmenaxhuar ekstremisht financat përkatëse të tyre dhe për këtë duhet të kontrollohen nga strukturat respektive shtetërore dhe të përgjigjen ligjërisht, mbështetur në shkeljet dhe abuzimet e provuara dhe faktuara.

Në ndryshim nga pedagogët, nisur edhe nga problematikat aktuale ekonomike, gjykoj se duhen mbështetur financiarisht studentët shqiptarë, të cilët bazuar në kritere të qarta transparente, duhet të përfshihen në paketën e dytë antikrizë të përgatitur nga qeveria shqiptare.


*Ekspert ekonomie


Comments


bottom of page