top of page
Search

Namatisja e hënës nga Gladiola Jorbus

Hëna, mikja e besuar dhe sateliti i Tokës!

Ndonëse ne mund të shohim vetëm pesëdhjetë e nëntë përqind të saj, për shkak të rrotullimit të sinkronizuar me Tokën, ajo nuk resht së influencuari anembanë, rruzullin tonë.

Fjala hënë derivon nga latinishtja (lux) luna dhe do të thotë dritë, por rrënja e saj mbetet leuk/louk ndriçoj.

Në antikitet, Hëna asociohej me Selenën, ndërsa në vitet 1400 shërbente për të identifikuar argjendin në alkimi. Mitologjia tregon se ajo është e bukur, e shndritshme, asnjëherë e qetë dhe e lidhur me botën e magjisë e të shpirtrave.

Prej shekujsh të tërë, cikli i gruas dhe stinët si një univers lindjesh e vdekjesh, sintetizohen me hënën. Gjithashtu feja islame përdor kalendarin hënor, i cili mbështetet tek fazat e hënës. Madje evidentohet dhe një tjetër episod më hënën.


Zonja Einstein i dedikoi të shoqit shkencëtarit të famshëm, një poezi dhe ia recitoi nën dritën e hënës së plotë. Ai u habit aq shumë dhe pothuajse i shokuar, iu përgjigj:

” Si mund të quash të bukur hënën dhe si mund të mendosh se ajo të kujton të dashurin?! Hëna është kaq e zakonshme, si Toka, madje akoma më tepër, pa ujë, pa gjelbërim, vetëm një djerrinë. Drita që e karakterizon nuk vjen prej saj, por merret nga Dielli. Ajo nuk është vetë një burim drite. Kam menduar se je e mirarsimuar, por po shoh se nuk njeh as ABC-në e fizikës”.

Ç’zhgënjim duhet të ketë qenë ky reagim, aspak romantik, për të gjorën Madam Einstain! Thuhet se që atë ditë, ajo edhe pse shkruante, nuk i publikoi më kurrë poezitë e saj.

Eklipset e Hënës ndodhin vetëm kur Hëna është e plotë, pra kur ajo ndodhet në opozitë me diellin.Sipas traditës budiste, Siddhartha Gautama Buda – babai i budizmit ka lindur në një natë me hënë të plotë, është iluminuar në një natë të tillë, dhe ka vdekur sërish në një natë me hënë të plotë: pra një shembull i përsosur i hipnozës së hënës.


Ndërkohë sipas statistikave, shumë njerëz çmenden gjatë netëve me hënë të plotë, e të tjerë akoma kryejnë vetëvrasje. Në jetën e përditshme shprehemi për ndonjërin se sillet si lunatik, (ose është me hënë) pasi konstatojmë se ky person ka ulje-ngritje të shpeshta të humorit, është i çuditshëm, i pavendosur, i paqëndrueshëm, zemërohet shpesh dhe e gjithë kjo duket se shkaktohet nën ndikimin e hënës. Sa është e mundur?!


Termi lunatik është i lidhur ngushtësisht me fjalën "hënë". Është shkencërisht i vërtetuar fakti se hëna ushtron forcë tërheqëse mbi Tokën dhe kryesisht ndikon mbi masat e lëngshme, pasi në dallim nga ato të ngurtat mund të deformohen shumë më lehtësisht. Dihet që planeti ynë, ashtu si dhe trupi i njeriut në përqindjen më të madhe përbëhet pikërisht nga uji.

Natyrshëm mund të analogojmë se në qoftë se Hëna ushtron këtë efekt mbi oqeanet, detet, baticat dhe zbaticat, po mbi njeriun vallë, ç’efekte shkakton?! Pra, lëngjet në trupin tonë janë të ekspozuara ndaj deformimit dhe kjo gjeneron ndryshime humori të cilat variojnë nga personi në person. Sot kudo në botë pranohet ndikimi i fazave të hënës mbi çdo qenie të gjallë. Për shembull, nëse hëna është në rritje favorizohet zhvillimi i bimëve. Njëkohësisht, në sajë të hënës së re banorët e Tokës ndihen më të fortë dhe më të gjallëruar.


Ndërkohë, ç’ndodh me një person lunatik? Ai vuan në mënyrë të veçantë. Një ditë mund të përqëndrohet në një mendim pozitiv, e të nesërmen mund të zgjohet i mbushur me pesimizëm. Fokusimi mbi të njëjtën ide në forma pozitive dhe negative brenda një kohëzgjatje afatshkurtër, mund të bëhet e lodhshme për të dhe ata që e rrethojnë. Lunatiku gjithnjë e amplifikon gjendjen, ankthin apo trishtimin. Ndihet herë mirë e herë keq shpirtërisht, pa pasur arsye të forta.

Në këtë rrugëtim të gjatë, ai mund të shfaqë dhe shenja agresiviteti, e ndërkohë të nesërmen mund të përballojë gjithçka me qetësinë më të madhe.

Fatkeqësisht shkenca zyrtare nuk u kushton shumë rëndësi këtyre lidhjeve reciproke. Ajo i konsideron zakonisht instinkte dhe nuk thellohet më tepër. Por nga ana tjetër, nuk mund të mohohet patologjia klinike e likantropisë, e cila është konsideruar interesante dhe për kinematografinë. Përcaktohet si likantropi klinike, ajo sëmundje mendore që detyron pacientin të dëshirojë që në pamje dhe në sjellje t’i shëmbëllejë një ujku. Këta të sëmurë në fazën më të rëndë dëshirojnë të hanë mish të gjallë dhe gjak, ndonjëherë edhe njeriu.


Numërohen shembuj të vrasësve psikopatë që pasi i shkatërrojnë trupat e viktimave të tyre, vijojnë t’i kafshojnë me dhëmbë duke u shkëputur gishtat, zemrën apo pjesë të tjera të trupit. E tmerrshme dhe e denjë për një film të mirëfilltë horror, që personalisht, s’do të guxoja ta shihja kurrë! Gjithsesi, derisa ky fenomen përfshihet në manualet dhe fjalorët e mjekësisë tregon që është manifestuar vazhdimisht në historinë e njerëzimit.

Me të drejtë, Mark Twain shprehet në librin e tij “Following the equator” që: Secili prej nesh është një hënë, dhe ka një anë të errët që nuk ia tregon askujt tjetër.


Comments


bottom of page