top of page
Search

NJE ROMANCIER NDRYSHE (shënime pas një njohje të beftë)

Nga: Zoica Gjolla Popi, shkrimtare e njohur ne Britaninë e Madhe

Assistent: Tanush Çaushi

Hyrje

Në mungesë të një kritike arti të mirëfilltë për veprat letrare në Shqipëri, ngritëm një grup pune të përbërë nga autorja e njohur, me banim tashmë në Britaninë e Madhe Znj. Zoica Gjolla Popi dhe gazetarë të portalit miremengjes.net që ndihmuan autoren. Vendosëm të analizonim romanet e shkrimtarit nga pjesa e mbetur e Çamërisë, Pajtim Çaushi-it. Pas një pune disa mujore të studimit të veprave të autorit po ju paraqesim një koncentrat të përgatitur nga autorja Zoica Gjolla Popi dhe të asistuar nga portali miremengjes.net. Shpresojmë që kjo të jetë një nisje embarë.


Dy fjalë si i tillë

I panjohuri i titullit është shkrimtari Pajtim Çaushi, një autor shkrimesh nga cepi më jugor i vendit. Është pikërisht nga Konispoli, qyteti i qendisur me det e liqen, mal e kodër, lumë e përrenj, ullinj e mandarina...

Kuptohet, i panjohur e i pa vërejtur nga "elitat" e bareve dhe ekraneve të Tiranës, "mjeshtrave" që gëlojnë e vrapojnë ta etiketojnë veten si prijetarë drejtimesh e rrymash letrare, si risues, si Eliot, Cvajg, Markez a Kamy.

Në një vështrim si i tillë, pikërisht ky i pavêrejtur, banor diku në zonat rurale është autor i tetë romaneve krahas pesë vëllimeve me poezi e katër novelave brilante. Dhe duke qëndruar tek të parët, çuditërisht dallojmë se kemi të bëjmë me romane jo uniformë si bukët në tepsitë e furrës, por secili i ndryshëm nga tjetri si fabul, si subjekt e veças si mënyrë të konceptuari e të shkruari.


ROBINA E ENGJEJVE

Është romani i parë i autorit, një shfaqje e beftë dhe interesante për këndvështrimin e rrëfimit dhe përcjelljen e mesazhit. Vepra lundron lirshëm në rrjedhat e surrealizmit. Pëmes ëndrrës së natës personazhi rrugëton udhëve të qiellit për të trokitur në dyert e Kryeselisë së Zotit. Atje do të mundohet që tē mund të marrë përkrahjen e tij për të ndrequr padrejtësinē e coptimit të trojeve etnike.

Gjatë lëvizjes së saj qiejve të Paraparajsës, Nanë Fetja ndesh në shpirtra të njohuridh e të panjohurish, në shpirtra të ish njerëzve të thjeshtë e në shpirtra ish drejtuesish shtetesh e supershtetesh e në lloj lloj të ikurish që janë në pritje të Gjyqit tē Madh.

Mjeshtërisht është dhënë takimi e dialogu i Nanë Fetes me Zotin në Kryeseli...

Kuadri historik i romanit janē ngjarjet e vitit 1999 në Kosovë dhe ëndrra e kaherëshme për bashkimin e pjesëve të trojeve shqiptare të grabitura nga fqinjët me bekimin e fuqive të mëdha europiane.


HESHTJA E UNIT

Subjekti shpërfaqet në hullitë e terrta të pavetëdijes dhe ekzistencializmit. Jemi në truallin e një verbërie kolektive të llojit të turmês që u shfaq aq shkoqur e rrezikshëm në vitin ters 1997.

Ngjarjet e personazhet ndërthurren e bashkëjetojnë në vorbullat e absurdit të realitetit dhe absurdit të inkoshiencës. Roni dhe xhinia Shtilë, pra realja dhe irealja shëtisin udhëve të vendit, gadishullit e kontinentit si në balada Kostandini me motrën Doruntinë.

E ulta dhe e shëmtuara kanë mbuluar tokën dhe qiellin e vendit, e bukura dhe e madhërishmja janë fshehur e strukur skutave më të humbura të vetqënies e gjithë shoqërisë.

Romani na rrëfen se kur në jetë krisma e armës mbyt tingujt e jetês, ekzistenca është e kërcënuar seriozisht.


KRYEMINISYRI I REVE

Roman me dy vëllime i ngjan një poeme madhore për historinë e vendit në fillim të mijëvjeçarit të tretë. Autori fokusohet në sferat më të larta të shoqërisë nga ku përcjell mesazhin gjithëkohor për natyrën e pushtetit.

Romani na bën të jetojmë realitetin ku:

Ai që vendos drejtësinë, është i pari që shkel ligjin e ngjiz padrejtësinë.

Ai që ka rolin e të Madhit, sillet me arrogancën e dhunuesit e hakmarresit.

Ai që duhet të na mbrojë, na tall e na kërcënon jetën.

Ai që duhet të na ngrejë shpirtërisht, na rënon edhe atë pak shpresë që ka mbetur.

Ai që dubet të na frymëzojë për buzëqeshje, na tremb e na rropos në humnerat e skamjes...

Në roman kemi disa ndërthurrje: menyrash të shkruari, konceptesh letrare, linjash e mjedisesh, vetish estetike e personazhesh. Në thelb të veprēs është absurdi i Beqaritaksës të kthyer në një mjet satirik të përmasave groteske.


NENKRYEMINISTRI ( kacavjerrësi i pushtetit )


Roman satirik që ka në thelb metamorfozën e individit të etur për pare e poste deri në atë masë sa nuk pyet më jo vetēm moral dhe cipë, por as jetë dhe ekzistencë.

Pelivan Përkeqi, kryepersonazhi i paskrupull nuk le shteg e dhiare pa shfrytëzuar për të pushtuar majën e pushtetit.

Skenat e shumta tragjikomike që krijojnë subjektin, të sajuara me humor e satirë, bëjnë një pasqyrim tërheqës të dhënies së tablos reale të mjediseve ku gëlojnë drejtuesit mē të lartë të shoqërisë shqiptare.


MONUMENTI I HIJEVE


Romane që zbret disi më poshtë në shkallaret e hierarkisë pushtetore. Në fokusin krijues të autorit këtu janë kryetarët e bashkive të tipit të Ardit Panit, deputet të sojit të Dorian Ollit, këshilltarë të llojit të Eva Banushit, kryekomisarë policie të serës së major Manit e të tjera garnitura të sallatës së hierarkisë së pushtetit vendor.

Objektivat e tyre janë të përcaktuar qartë e paturpësisht: pushtet me çdo kusht e mjet, pare me etje dhe uri vampiri, seks deri nê pangopësi e shtazëri.

Si mënyrë rrëfimi autori ka zgjedhur satirën e ndërtuar bukur nē trojet e paradoksit të manive dhe të groteskut së veprimeve.


FLATRAT E AJRA AJTOJT


Ndryshe nga romanet e tjerë këtu si kryepersonazh është një vajzë maturante që provon helmin dhe mjaltin e jetës që gjatë moshës së rinisë shkollore e fill pas saj.

Njeh dashurinë, antidashurinë, gēnjeshtrën, mashtrimin, miqësinë, ndihmën, zhgënjimin, pajtesën me të keqen, shkundjen e saj...

Një personazh realist, romantik, por dhe modern.

Mënyrat e rrëfimit janë të shumëllojshme: veta e parë, ditar, veta e dytë, mesazhe, shënime, procesverbale, veta e tretë, sms, poezi...


ZANA E SYRIT TE KALTER


Një roman interesant për adoleshencat shkollore dhe mësueset e tyre.

Mjedisi i shkollës dhe i Syrit të Kaltër bëhen skenat ku veprojnë nxënësit Sandër, Ina, Rena, Klea, Helion, Nikita, Maria, Denada si dhe mësueset e tyre Eni, Nora, Era, Amada e të tjerë.

Edhe në këtë roman ndërthurren skenat e jetës reale me atë ireale. Legjenda e Syrit të Kaltër çmitizohet duke ardhur pranë nxënësve si pjesë jete dhe pjesë balade. Bashkëjeta mes tyre i jep subjektit natyrën e përkundjes në të njëjtin djep, në djepin e jetës dhe përjetësisë.


HIJA E VETES


Prej atyre që e kanë lexuar është cilësuar një roman i shkruar ndryshe nga më të hershmit. I konceptuar mbi bazën subjektore të pesëdhjetë e pesë bërthamave tregimtare ngjarja behet interesante dhe rrjedh shpejt.

Dea Dalani, një 14 vjeçare e intubuar nga virusi Covid - 19, në gjendje të rënduar aluçinacionesh, pasi përmirësohet disi nga e keqja, sjell në mendje momentet më të ngulëta të jetês së vet.

Rrëfimet e saj për paragjyshen, gjyshen, Viton, Fanin, gërshërezën dhe shkollën mbushin të gjitha bërthamat tregimtare të romanit

Tregimi në vetën e parë i jep forcë dhe afërsi komunikimit, ndërsa format e ndryshme shkrimore e bëjnë atë tepër tërheqës...

Pos romaneve autori Pajtim Çaushi ka botuar edhe kater novela, pesē vellime me poezi dhe një libër me ese.

E megjithate, i pa vërejtur nga mediat, i pa vëzhguar nga "elitat", i pa studiuar nga kritika e studimet letrare (nëse ekzistojnë).

Po ta pyesësh për këtë dukuri paradoksale, thotë i menduar, por edhe me një trishtim të dalluar qartë:

- Eh, keshtu e kemi patur në shekuj ne, vlerat i shkruajmë në ujë e antivlerat i gdhendim në gurë!...



Comments


bottom of page