(Merjeme Haxhiu - Goshi në njëzet vjetorin e ikjes nga jeta)
Nga Pajtim Çaushi
Portret i shkurtër
E qetë dhe e dashur me të gjithë. Mikpritëse dhe humane për të gjithë. E palodhur dhe e papërtuar për asgjë. E sakrificës dhe dhënëse si ajo. E bisedës e respektuese me këdo.
Gjatë dhjetra viteve që e njoha, nuk e gjeta asnjë herë të mërzitur, nuk e pashë asnjëherë të nxehej apo t'i bërtiste dikujt. Fjalën e rëndë bënte sikur s'e dëgjonte, e anashkalonte dhe nuk ia vinte re folësit. Ishte e tillë sa kur ecte, i hapte udhë edhe gjarprit të sokakut, edhe mizës së dheut e jo më njeriut.
Ndonëse në punë shtëpie e punë kooperative gjithë jetën, s'u mërzit kurrë apo të ankohej për lodhje. Ndonëse me shtatë fëmijë, pesë vajza e dy djem, për të cilët duhej të kujdesej, nuk i rëndoi kurrë as me fjalë, as me kapje veshi. Për vogëlushët e vet, të lagjes e të fshatit thoshte vetëm këtë urim:
- U rritshin e u shtofshin zërat tyre se janë lulet e shtëpisë!... Jeta pa fëmilë thahet e soset.
Miqtë në shtëpi i shikonte në sy
Ishte me emër në fshat e krahinë për pritjen që u bënte Merjua miqve në shtëpi.
Mjeku Sheref Nelaj të cilin e thërriste dajko, kur shkonte tek shtëpia e Sados, thoshte:
- Hiç gjë nuk dua, vetëm një byrek me lakra nga duart e Merjos...
Dhe ajo e bënte byrekun. Edhe në civën e dimrit, zbulonte me gishta ngricën a borën, gjente bimët e lakrës, mblidhte gjethet dhe gatiste byrekun e preferuar të mikut.
Dera e shtëpisë së saj mikpritëse ishte e hapur për të gjithë. Asnjë specialist apo punonjës i largshëm që shkonte me punë në Markat s'ka mundësi të mos ketë bujtur për një natë, vakt apo kafe tek shtëpia e Sado Haxhiut. Atje ka trokitur mjeku dhe dentisti, mesuesi dhe agronomi, veterineri dhe udhëtari i rastit. Dhe kjo jo vetëm nga mirësjellja e burrit të shtëpisë, por veças nga pritja proverbiale e Merjo Haxhiut.
Asnjëherë nuk i ulte kokën para të ardhurve në shtëpi, por përherë i shihte drejt në sy.
Shenjat e bukura e të vyera
Merjua ishte thesar edhe për thëniet e saj të mençura. Kuptohet ca të dëgjuara e ca të krijuara, por që i përdorte atje ku duheshin.
Një ditë ime shoqe Afërdita, qortonte Tanushin për këpucët që kishin pak baltë udhe. Ajo u ndodh në shtëpi dhe mbrojti djalin:
- Avash, mos u tremb kaq shumë, njeriun balta e ka bërë e balta do e hajë.
Pas nëntëdhjetës, andej nga fillimi i viteve dymijë, është bërë si modë që djemtë e vajzat puthen ku të jenë, pa iu fshehur syrit të tjetrit. Bukur, por...
I shikoi dy të tillë një ditë që ishim bashkë. M'u kthye mua gjasme e habitur:
- Po këta ç'kanë që lëpihen si gomerët në maj?... Nuk kanë vend tjetër ku t'i nxjerrin sytë?...
Më kujtohet një rast kur do të martonte njerën nga vajzat e veta. Njeri nga vëllezët e ngacmoi me fjalë motrën që nusëronte në pozicion të palëvizshëm. Kur ajo, e lodhur në ndenjësen e nusërisë, i ngriti zërin qortues vëllait, Merjua i hoqi vërejtjen:
- Mirë këtu, se je në shtëpinë tënde, po mos guxo të bëhesh kokosh në shtëpi të burrit.
Këto e shumë të tjera janë shenja të pashlyera që ka lënë pas ajo grua e mirë dhe e dashur për të gjithë sa e njohën.
Natyrisht, shenjat më të bukura e më të vyera janë pesë vajzat e saj e të Sados: Afërdita, Vjollca, Tefta, Ilirjana, Lavdia dhe dy djemtë: Agroni dhe Simoni.
Pikërisht, ndaj edhe sot pas njëzet vitesh e kujtojmë me respekt e adhurim këtë grua aq të pasur në vlera e virtyte.
Ja, ky portret është skalitur në memorien time për të mirën Merjo (Merjeme), bashkëshorten e të drejtit dhe të sertit Sado Haxhiu nga Markati.
Comentarios