top of page
Search

Një kandidate si Blerina Xhakolli REÇI

Nga Gladiola Jorbus

Në garën për zgjedhjet e 25 Prillit spikasin zonja të cilat dëshirojnë të japin kontributin e tyre në vendimmarrje dhe për këtë meritojnë respekt e besim. Një politikane me integritet, pikësëpari është një qytetare me ndërgjegjje dhe me forcën për të kuptuar e ndryshuar realitetin.

Njëra prej tyre është Blerina Reçi Xhakolli , profesoresha me vizion dhe përvojë akademike; mikesha e buzëqeshur dhe gojëmbël me të cilën mund të këshillohesh, të flasësh rreth një libri a një ideje të re; lektorja që të përfshin natyrshëm në universin e psikologjisë kulturore, si dije që u nevojitet studentëve e të rinjve në epokën globaliste, ku ndërthuren midis tyre kultura dhe proceset e larmishme të integrimit; gruaja e sigurt dhe e pavarur që ruan opinionet e saj në lidhje me tema të ndryshme dhe është e aftë të zhvillojë biseda me shumë elegancë; zonja inteligjente që kërkon të zgjerojë horizontet e saj dhe të përmirësojë veten, me objektiva të qarta e që sakrifikon për t'u përmbushur profesionalisht.

Një botë komplekse dhe e hekurt si ajo e politikës ka nevojë për dimensionin intelektual të një zonje me shpirt të butë e të ndjeshëm si Blerina Reçi.

Në veprimtarinë e saj, B. Reçi ka evidentuar nivelin kulturor, pozitivitetin, frymën e bashkëpunimit, kozmopolitanizmin dhe tolerancën. Arsimi, biznesi dhe sipërmarrja, shtresat e margjinalizuara, të rinjtë dhe gratë kanë nevojë për mbështetjen e një figure të tillë me përvojë e vlera.

Gratë në politikën bashkëkohore duhet të frymëzojnë me përkushtimin, talentin, kapacitetin dhe dashurinë që u buron natyrshëm për kauzat që mbrojnë. Të qenit në politikë nënkupton të vësh në dispozicion këmbënguljen, sinqeritetin, mirëkuptimin dhe mbi të gjitha zërin potent për të përcjellë mesazhet e duhura e për të sjellë ndryshimin. Politika më shumë se një sfidë, duhet të jetë bashkëpunim dhe vullnet për të krijuar një të ardhme më të mirë për brezat e ardhshëm.

Te Blerina këto cilësi janë të qenësishme dhe padyshim vërtetojnë se gruaja e nëna shqiptare ka qenë dhe do të mbetet shtylla kurrizore e familjes dhe e kombit.

Shkrimtarja dhe gruaja e parë e përzgjedhur në Akademinë franceze Marguerite Yourcenar, përpara disa dekadash shkruante se: "Unë do të doja një grua shqiptare si nënë! ..." dhe gruaja shqiptare duhet konsideruar prioritet. Vërtet që nevojitet forca e një nëne të suksesshme për të transformuar realitetin ku jetojmë dhe për të promovuar një shoqëri të drejtë e të barabartë. Ndaj një kandidate si Blerina përfaqëson denjësisht qytetarinë, familjen dhe vlerat.

Comments


bottom of page