Nga Agron MEMA
Gjurmë të së shkruarit shqip vijnë më herët nga sa janë të dokumentuara, sipas shkencëtarve të gjuhësisë. Por dihet pse janë zhdukur.
Shqipja ka qenë në qendër të sulmeve shoviniste dhe perandorive pushtuese, vendeve fqinje, me qëllim asimilimin e popullit, zhdukjen si komb dhe të kombësisë dhe mandej copëtimin dhe aneksimin e territoreve të saj. Përpjekje të cilat nuk janë zhdukur ende ndaj kombit tonë.
Patriotët dhe rilindasit tanë u përpoqën që ta mbajnë ndezur ndjenjën patriotiko-atdhetare nëpërmjet krijimeve letrare, kryesisht poezi sepse qenë më të lehta për t’u përcjellur tek komuniteti i asaj kohe.
Por a mjaftonte kaq , vetëm trashëgimia gojore për ta mbajtur gjallë gjuhën si tipari kryesor dallues i një kombi, krahas atyre folklorike, dokeve dhe zakoneve që përcilleshin në morte e dasma, kuvende dhe gjyqe sipas kanunit.
Ndaj lindi domosdoshmëria e një alfabeti, e gjuhës së shkruar. Dhe pas shumë rrahje mendimesh, konferenca e mbledhje, u vendos alfabeti latin si më i përshatshmi , por edhe si shkëputje nga orienti dhe rreshtimin në vendin e saj krahas vendeve evropiane të përparuara. Ideja qe qartë; Shqipëria nuk qe pjesë dhe nuk i përkiste orientit, Ajo i përkiste Evropës, Perëndimit. Këtë e ka shprehur edhe shkencëtari i dëgjuar gjerman Franc Bopp në kumtesën e tij “Mbi shqipen dhe lidhjet e saj të afërisë”, mbajtur më 18 maj 1854 para autoriteteve të Akademisë së Shkencave të Berlinit, ku argumentonte se gjuha shqipe i përket familjes evropiane dhe me këtë tezë hapte një faqe të re në historinë e gjuhës. Ndërkohë patrioti i shquar Naum Veqilharxhi kishte botuar më 1844 “Ëvetari shqip”.
Sipas studimeve dhe informacioneve shkencore janë shtypur mëse 150 abetare, brenda dhe jashtë vendit. Këto qenë armët më të fuqishme për pavarsinë e arsimit shqip. Ato përcillnin edukimin patriotik dhe atdhedashurinë deri në sakrificë. Por menjëherë kundër abetares shqipe u lëshuan armiqtë e kombit tonë duke persekutuar, internuar dhe vrarë patriotët shqiptarë që përçonin tek gjenerata e re shkronjat shqipe.
Një jetë e pashmangur nga rreziku dhe lufta dhe të tillë fat patën me helmatisje disa mësues dhe pedagogë të shipes, por përpjekjet nuk rreshtën.
Dhe ja dolën të mbijetonin përballë injorancës, fanatizmit, të prapambetjes, të antishqiptarizmit. Nga viti 1844 Ajo mori shumë emra si:” Ëvetar, Abavatar, Alfavitar, Alfabetare, Elifba, Abecedar, Abetare, Abece shqip, Shkëndijat e para, Lulishtja djelmënore, Stëritjetore etj. deri në emërimin përfundimtar “ABETARE”.
Dhe ja vlen të përmendim edhe disa prej emrave të dijetarve shqiptarë të asaj kohe që kontribuan në formësimin e Abetares si: Naum Veqilharxhi, Konstandin Kristoforidhi, Daut Boriçi, Sami Frashëri, Anastas Kullurioti, Vasil Ruso, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Parashqevi Qiriazi, Mati Logoreci, Aleksandlr Xhuvani, Kolë Xhumari, Ramiz Hoxha, Xhevat Gega, Qamil batalli, Mehmet Gjevori etj.
Përpjekje që vijnë nga Rilindja Kombëtare e deri tek ditët tona. Alfabetit të njehsuar ju vu vula e unifikimit në Kongresin Historik të Manastirit më 14-22 nëntor 1908 dhe hapje të shkollës së parë shqipe në Korçë më 7 mars 1887. Pavarsisht këtij historiku të vogël të njohur tashmë nga të gjithë, ky udhëtim i shkronjave të shqipes me gjurmë gjaku dhe përpjekjeve heroike, duket se kjo ka qenë një strategji e Alencave të Mëdha në kurriz të kombit tonë. Për këtë po sjell si ilustrim edhe një fragment nga romani “Kamarja e Turpit” të shkrimtarit tonë të njohur Ismail Kadare, fragment ku zbardhen me detaje të gjitha përpjekjet dhe synimet e pushtuesit turk, por pas tyre edhe të tjerëve që prisnin copën e tyre nga territoret tona.
Ja fragmenti:
” Rreth tij kuvendimi vazhdonte, i gjallë si më parë, veç fjalët shpresëdhënëse sa venin pakësoheshin. Tani flisnin prapë për dosjet dhe të papriturat që kishin zbuluar në to.
Në të vërtetë, ata ishin përgatitur për gjithshka. Ditë me radhë, përpara se të niseshin, i kishin kaluar në sallat e Arkivit, të përkulur mbi të një mijë dosjet e Shqipërisë. Në to ishte shënuar gjithshçka për atë vend: qytetet, fshatrat, lartësitë e kambanoreve, lumenjtë, ujërat e ndenjura, kështjellat, kënetishtat, sektet e fshehta,varrezat, urat, mullinjtë me ujë, përrallat, ranishtet, ku fryn veç erë, tërmetet, të folmet krahinore, qëndismat, rrungajat, dasmat, vajet, rrjedhat e breznive, fiset, vëllazëritë e mëdha, vëllazëritë e vogla, kishat, manastiret, ftohtësia e detit, shtëpitë-familje, që quheshin dhe tym ose zjarr, ose bark, krerët e fiseve, që quheshin krerë të malit, gjakësitë, krushqitë, stërpleqtë, sëmundjet e trashëguara, teatrot antike, spiunët, detet etj. Përbri salla të tjera. Të gjitha ishin të gjera dhe të ftohta, me dritare tepër të larta, prej nga hynte një ndriçim, që dukej që kish pak lidhje me stinën që ishte përjashta. Ajo dukej sikur vinte drejt e nga faqet e pandryshueshme të kohës dhe ishte gjithmonë bojë hiri dhe i ftohtë. Ata kishin punuar në Arkiv gjatë gjithë muajit dhjetor dhe, meqënëse ndërtesa masive nuk ngrohej kurrë për shkak të rrezikimit nga zjarri, kishin vuajtur shumë nga të ftohtët.
Gjithçka ishte e akullt; dhe tryezat, dhe fletët e dosjeve, dhe gishtat e tyre, që bëheshin si plumb mbi to. Zjarr nuk ndiznin as në sallën qëndrore, Kulmoren, siç quhej, për shkak të lartësisë së saj. Në të punonin vetëm nëpunësit e lartë dhe rrallë thirreshin kryetarët e degëve. Atje kalonte orë të tëra drejtori i “Kra-kra”-së, ose Korbi i Madh, siç e thërrisnin mes veti, për të cilin thoshin se njëherë në muaj e priste në takim vet perandori, por që askush s’e dinte kur dhe përse. Shkombtarizimi i plotë ose i pjesshëm i popujve, që ishte detyra kryesore e Arkivit Qëndror, kryhej sipas doktrinës së vjetër të fshehtë të “Kra-Kra”-së dhe kalonte nëpër pesë fazave kryesore: e para, zhdukja lëndore e rebelimit; e dyta, zhdukja e idesë së rebelimit; e treta, rrënimi i kulturës, artit, dokeve; e katërta, shuarja ose gjymtimi i gjuhës; dhe e pesta shuarja ose dobësimi i kujtesës kombëtare.
Nga të gjitha këto, më e shkurtëra ishte zhdukja e trupt e rebelimit, që s’ishte gjë tjetër, veç lufta; kurse faza më e gjatë ishte zhdukja e gjuhës, ose Mosgjuha, siç thuhej shkurt. Në një raft të rëndë prej bronxi ishin dosjet e gjuhëve të zhdukura. Ato ishin të trasha, por shumica e fletëve të tyre ishin të shuara me kujdesin më të madh. Ishin shuar fjalët e fjalorit, rregullat e gramatikës e të sintaksës, shkallë-shkallë, sipas rrallimit ose zhdukjes së tyre në jetë, dhe në fund ishin fshirë shkronjat e alfabetit, regëtima e fundit e gjuhës së shkruar, pas së cilës vërtetohej vdekja e saj. Atëherë, fill pas kësaj fillonte puna tjetër, edhe më e gjatë e më e mundimshme, zhdukja e gjuhës së folur, e cila, gjithashtu, kishte nënfazat e saj. Kështu, për shembull, nënfaza e fundit ishte fikja e gjuhës në ishujt e fundit të saj, gratë plaka. Ishte vërtetuar se, në përgjithësi , te gratë gjuha jetonte më shumë dhe sidomos tek gratë që kishin lindur fëmijë.
Pastaj, kur gjuha ishte fshirë nga faqja e dheut, vinte një kohë që rralloheshin edhe gratë-plaka, të cilat si ca hinore të moçme, mbanin ende hirin e mbeturinave të fundit të saj.
Në fletore të veçanta ato shënoheshin si “plaka me gjuhë” dhe ishin në mbikqyrje të vazhdueshme gjersa vdisnin. Pas kësaj, zhbërja e gjuhës, ose Mosgjuha, quhej e kryer. E gjithë kjo përvojë shekullore gjendej në dosjet e Arkivit. Atje ishin të gjitha: afatet, të papriturat, gulçet e fundit, me një fjalë, gjithshka, me përjashtim të vet gjuhës së tretur.
Në mijra faqet e dosjeve sgjendej asnjë gjurmë e saj, asnjë fjalë, asnjë pjesëz.
Shfarrosja krejtësore bëhej me qëllim që të përjashtohej çdo rikthim...”
Ky qe fragmenti i shkëputur nga romani i Ismail Kadaresë”Kamarja e Turpit”. Kuptohet qartazi strategjia e pushtuesve 500 vjeçarë turq dhe, të mos harrojmë, që ngjarjet zhvillohen në shekullin e 18 pas vrasjes së Ali Pashë Tepelenës. Pra përpjekjet dhe sakrifica e rilindasve kombëtar në mbrojtje dhe ruajtje të gjuhës së folur dhe të shkruar shqipe, meritojnë respektin më të lartë e më solemn. Ekzistenca jonë e sotme ka si një nga këmbarët kryesor të godinës edhe përpjekjet, mundin, sakrificat dhe gjakun e derdhur të këtyre bijve martirë të kombit tonë.
Comments