Gladiola Jorbus
Një mijë e një net
Që kjo dashuri të na strehonte
në një kohë pa kohë...
Si Shehrezadja rrëfeva,
histori të pafundme.
Për një mijë e një net radhazi...
Të rrëmbeva, mbi një tapet magjik.
E së bashku fluturuam
mes resh të kaltra, rozë e vjollcë.
Malet u shkërmoqën.
Oqeanet u zhdukën.
Vullkanet u shuan.
Veç dashuria mbeti
në gishtërinjtë e tu,
të mjaltshëm e thumbues njëherësh.
Hënën gjurmuam si parajsën e humbur.
Dhe qielli...u përndez brenda nesh.
Apokalipsi biblik u struk,
pas emblemës moderne
të fundit të botës.
Comments