Nga Pajtim Çaushi
Kështu titullohet libri i parë poetik i autores sarandite Merita Kaso. Është një vëllim me lirika i botuar nga Shtëpia Botuese STREHA në Tiranë.
Sapo lexon titullin, të bie në mend "lumbardha e Anakreontit që rronte në tempull e mocme", thotë De Rada tek Milosao, poema e tij e famshme.
Eshtë fjala për simbolikat fluturake të poetëve në kohë të ndryshme. Ndërsa Anakreonti ka lumbardhën, Gorki sgalemin, Poradeci krillën e shtërgun, Edgar Poe e Martin Cama korbin, Merita Kaso ka preferuar të ketë si shenjues të saj frymëzues pëllumbin e bardhë. Ai i kaloi pranë dhe i nxiti dëshirën për t'u shprehur me vargje.
Kuptohet, dëshira për të shkruar është vetëm njera anë e dukjes, ndërsa ana tjetër lidhet me pyetjen e lexuesit:
- Mirë dëshira, po c'bëre, nxive a shkrove?...
- Ja shkrove, po si shkrove, pra vetëm për vete apo edhe për ne?...
Mendimi im ështe se Merita, ndonëse këtë e ka paraqitjen e parë, pra si të thuash, është si nusja "në të parë", del para lexuesve e thjeshtë, e ndjeshme, emocionuese, e drejtpërdrejtë, pa "stolitë" e quajtura moderne, pa artifice, pa shtirje a sforcime stilistike.
Tematika e librit të saj është brenda "qiellit" të vet me pak shtegtime në balada popullore apo mbresa filmash. "Qielli" i saj mbulon bukur e me sinqeritet vendlindjen, Navaricën e hijshme, shtëpinë plot kujtime të fëmijërisë, natyra e fshatit dhe e qytetit të Sarandës të cilin e quan sirenë e perlë, ndjesitë e holla e të shumta brenda vetes e të tjera.
Këto se s'ka c'të shpreh tjetër askush në një libër të vogël rreth pesëdhjetë faqe por simpatik si një vogëlush lozanjar.
Fryma e përgjithshme e librit është brenda shtratit të metrikës e stilistikës popullore, por e pasuruar edhe me stolitë gjuhësore e letrare të talentit të Merita Kasos,
I marrë si tërësi vëllimi poetik lirik NJË PËLLUMB PRANË MË KALOI është një dalje kurajoze e me dinjitet e autores para lexuesit artdashës shqiptar.
Urime Merita Kaso për udhëtim të suksesshëm në shtigjet e bukur e plot befasi të poezisë
SHAMIKUQJA
Shamikuqe,
sa të pashë
thashë do të qepem pas.
Shamikuqe,
s’ke ku shkon,
nga unë dot nuk shpëton
Shamikuqe,
re në grackë:
ja të zë,
ja do pëlcasë
Më shih ëmbël bukuri,
sa më kënaqin ata sy!...
Nëma dorën
tok të shkojmë
që jetën bashkë ta ndërtojmë.
Je gjithçka në sytë e mi
lumturi
dhe dashuri,
Zoti bëri mrekulli
që më solli pranë ty.
U stolis më tepër
kjo dashuri,
kur në jetë
erdhi një fëmijë.
Ç’do gjë shkonte mrekulli
derisa erdhi një pabesi,
që ra si rrufe
në qiell të pastër,
një dikush shpirtzi
të helmoi si gjarpër...
Shamikuqe,
shume u helmove,
birin tënd në krah e more,
shumë larg
ike e shkove,
ku u vendose
dhe jetove...
Kuptim tjetër jeta të mori
si dielli që rreze s’nxorri...
SARANDA
Lart në ballkonin e shtëpisë time jam,
bukurinë e kësaj sirene
para syve kam.
Nga çdo anë që rrotullohem,
bukuritë e kësaj perle
jo, nuk mbarohen.
Pallatet shkallë shkallë janë ndërtuar
deti përballë
shumë i ka zbukuruar.
Dritat shumëngjyrëshe në det reflektojnë,
dallgët valë valë
bregun e takojnë.
Flladi i lehtë i ajrit njerëzit i freskon,
gjithë qënien e tyre
shumë e gjallëron.
Në shëtitoren e saj nuk kanë fund stolitë,
bukuritë e kësaj perle
s’të largohen jo nga sytë.
Në këtë mrekulli, nëse erdhe një herë,
s’të bën zemra të ikësh
kurrë asnjëherë...
Comments