Ish zëvendësministrja e Arsimit,por dhe një nga ekspertet më të mira të arsimit në vend, Nora Malaj, aktualisht pedagoge në Universitetin Mesdhetar e sheh shfrytëzimin e teknologjisë në mësimdhënie një mundësi mjaft të mirë për situatën aktuale ku ndodhet vendi, por Malaj shkon më tej dhe bën disa propozime që mësimi të shkojë kudo, jo vetëm tek ata që kanë akses në internet.
“Puna e parë që duhet të bëjë qeveria është të shtrijë internetin kudo në Shqipëri në çdo familje nxënësish dhe studentësh. Këtë ia propozoj Ministrisë së Arsimit ta ketë si prioritet.
Në këtë situatë, Ministria e Arsimit ka 3 detyra:
Të japë shansin që viti të quhet i plotë;
të japë shansin që fëmijët të marrin vetëm bazat duke reduktuar programin mësimor;
e treta që të përdoren të gjitha mekanizmat që mësimi të shkojë dhe tek ai që ka internet dhe tek ai që s’ka.
Pra qeveria duhet të vërë në dispozicion të mësimit një kanal të dedikuar në TVSH për të gjitha ciklet e mësimit. Kjo kërkon vetëm pak dëshirë dhe investim”, shprehet pedagogia për Portën Vendore.
Ajo thekson se kjo situatë i kapi të papërgatitur institucionet arsimore.
“Teknologjia është shumë e mirë dhe është shumë interesante për t’u aplikuar vetëm se jemi kapur në një lloj befasie për ta menaxhuar dhe aplikuar. Personalisht e shikoj që situata i kapi të papërgatitur institucionet e arsimit. Dhënia e mësimit përmes televizionit për mua do ishte një alternativë shumë më e mirë akoma. Madje unë mendoj se dhënia e mësimit përmes Skype do ishte akoma më e mirë, pasi edhe i sheh studentët”, tregon Malaj. Ajo thotë se ka nisur të shpërndajë online leksionet për studentët dhe kjo gjë është mirëpritur nga ata që e shohin mësimin online si një mundësi bashkëveprimi mes tyre në një kohë të tillë izolimi.
“Unë kam filluar që javën që shkoi me mësimin online. Përmes sekretarive të fakulteteve u mblodhën të dhënat e studentëve dhe komunikojmë nëpërmjet email ose ëhatsapp ose përmes skype. Unë i dërgoj leksionet që kanë edhe librin me pikat kryesore. Ndërsa për sa i përket studentëve, ata janë shumë të gatshëm të mësojnë online. Pasi ka një frikë kolektive dhe kjo është një mënyrë që i bën ata të ndihen bashkë dhe i bën të motivuar për jetën. Se i duket jeta si bardh e zi, si pakuptim. Prandaj mendoj se është shumë i rëndësishëm roli i profesionistëve të arsimit në këtë situatë”, thotë Malaj.
Ish zëvendësministrja thotë se viti shkollor mund të shpëtohet vetëm nëse merren në kohë masat e duhura dhe vetëm nëse të gjithë nxënësit e dy niveleve të para, pra arsimit të detyrueshëm dhe arsimit parauniversitar do arrijnë të marrin bazat e programit mësimor.
“Viti shkollor nuk mund të humbasë nëse merren masat e duhura sa më parë. Personalisht unë mendoj se ne dalim nga karantina nga fundi i majit, duke nisur nga trendi në botë. Por nëse fëmijët marrin bazat mësimore besoj se mund ta shpëtojmë vitin, por duhet që mësimi të shkojë kudo”, thekson ish zëvendësministrja Nora Malaj.
Burimi: PortaVendore.al
Comments