top of page
Search

NOVELAT BASHKËKOHORE TË SPARTAK .TH. PAPATHANASIT

nga Pajtim Çaushi

Si një Sokrat i ditëve tona ngjason shkrimtari Spartak Th Papathanasi kur e njeh dhe bisedon me të. Një kurorë flokësh të bardha i bien mbi ballin e gjerë e të ndritur. Rudhat si rrëkeza të valëzuara mendimi të duken si qëndisma e skalitje mençurie.

Që në krye të bisedës me Spartakun të le mbresa pozitive gjuha shprehëse e një komunikimi të ngrohtë. Një zë i qetë e i shtruar që shoqërohet me buzëqeshje plot mirësi e respekt njerëzor.

Nuk nxiton të flasë. Dëgjon, buzëqesh e mandej shpreh mendimin qetësisht e me mençuri.

Edhe dikush që nuk duron dot të dëgjojë debatet, sa kupton se shprehet Spartaku, hesht dhe ndjek me shumë vëmendje mendimet e tij.


Maturanti që mësoi studentët

Spartak Papathanasi ishte matura e vitit 1968 në gjimnazin HASAN TAHSINI të Sarandës. I shkëlqyer në mësime e veças në matematikë. Jo rastësisht gjatë aksioneve apo veprimtarive që organizoheshin u shoqërua me Xhafer Goxhain, maturantin e gjimnazit BIDO SEJKO të Konispolit. Të dy matematikanë të lindur, por edhe të mënjanuar me mallkimin biblik të mollës së ndaluar. Lubia biografi e kohës së diktaturës do t'ua ndërpriste ëndrrën e vijimit të shkollës së lartë.


Paradoksi tragji - komik

Gusht 1968. Në xhamat e katit të parë të Komitetit Ekzekutiv u shfaqën listat e maturantëve që fituan të drejtën e studimit për të vazhduar shkollën e lartë. Më të mirit midis tyre jo vetëm në mësime, por edhe si karakter në shoqëri iu mohua kjo e drejtë. Biografia, dikur e bardhë, sot i ishte nxirë.

Të gjithë ata apo ato poshtë tij iu drejtuan Universitetit, Spartaku jo. Edhe Xhaferi jo. I pari mbeti në Sarandë. I dyti në Konispol.

I lënduar në shpirt, i prekur në sedër, por me një guxim e vullnet mitik ai thirri:

- Unë do të marr diplomën e shkollës së lartë!... Do ta mësoj gjuhën angleze më shpejt e më mirë nga ata që shkuan në auditore.

Dhe ashtu ndodhi. E përvetësoi me zell e pasion gjuhën e huaj më përpara se ata që vegjetonin në auditore. U vetdiplomua në mënyrë të shkëlqyer.

Gjatë pushimeve të verës ata që vazhdonin ditën Universitetin, i luteshin Spartakut t'u mësonte anglishten përmes kurseve intensive.

Zemërgjeri Spartak Th Papathanasi s'mund t'ua prishi shokëve të tij. Maturanti i pamposhtur ua mësoi studentëve universitarë anglishten. Ai mundi ta përvetësojë atë para tyre.

Për vite me radhë punoi si mekanik në Parkun e Sarandës. Veç duhet shënuar: mekanik mjeshtër!...

Që nga viti 1991 është emigrant në Athinë. Megjithatë, asnjë vit nuk harron që t'i bëjë pushimet mes miqve në Sarandën e tij të cilën e adhuron.


Krijuesi bashkëkohor

Në gjuhën shqipe shkrimtari Spartak Th Papathanasi ka botuar pesë vëllime me krijime letrare. Ato janë:

E FSHEHTA (2017)

IDILI I RASTËSISË (2018)

E BRAKTISURA (2019)

KUR LAMTUMIRA VJEN PARA KOHE (2020)

VETMIA NUK SJELL LUMTURINË (2021)

Të gjitha novela. E thënë më saktë pesë novela me lëndë dhe thurrje artistike bashkëkohëse.

E shikuar në këtë këndvështrim Spartak Th Papathanasi, me gjetjet e thurrjet e komunikimit artistik, bëhet edhe lëvrues i novelës moderne shqipe të këtij fillimshekulli.


Portret i novelave të Spartakut

Edhe veprat letrare, ashtu si njerëzit, kanë portretin e tyre që dallohen nga të tjerat. E thënë ndryshe, autori krijon stilin e të shkruarit përmes portretit origjinal të gjithë krijesave të veta artistike.

Kuptohet, secila prej novelave të Spartakut vendos këndvështrimin vetiak në lidhje me optikën për ngjarjet e personazhet, por në mënyrë të pashmangshme u ngjajnë simotrave në mënyrën shkrimore të mjeteve të komunikimit.

Kjo i bën novelat të krijojnë portretin e stilit të veçantë të autorit. Pra, e thënë ndryshe, bijat saktësojnë atin e tyre shkrues i cili u dha frymë dhe gjallëri.

E kqyrur më nga afër, mendoj se disa nga tiparet e portretit të novelave të shkrimtarit Spartak Th Papathanasit janë si më poshtë:

Së pari, e gjithë proza e tij ka si tipar dallues pasurinë e madhe të detajeve jetësore. Ai që e njeh aq mirë jetën, s'mund të belbëzojë për të. Rrëfimi i ngjarjes nuk është i thatë apo moralizues. Ai bëhet i gjallë e hyn brenda nesh natyrshëm me bërthama tregimtare të marra nga realiteti konkret.

Kjo lloj tregimtarie nuk ka artificat e saje sa të sforcuara pasi gjendet kudo në jetën e përditshme.

Së dyti, Spartaku ngre në nivelin e së bukurës artistike të thjeshtën e të zakonshmen. Ai nuk vrapon pas kulmeve të stisura të cilët qëndrojnë si copa arnash të bezdisur kur sajohen pa shtysa reale e përdoren artificialisht nga autori. Për novelat e Spartakut të bukura estetike ekziston jo thjeshtë tek forma e paraqitjes, por më tepër tek thelbi i qënies që shfaqet tek marrdhëniet me të tjerët.

Shikoni Teo Sarinin dhe Laureta Ramon tek novela "Vetmia nuk sjell lumturinë"... Të zakonshëm, por të bukur, të thjeshtë, por mbresëlënës...

Së treti, shpesh autori si teknikë rrëfimi përdor retrospektivën, kthimin pas në kohë e ndodhi brenda të njëjtës hapësire. Është një përdorim i suksesshëm pasi ndërthuret bukur edhe me teknikën lineare dhe atë të pararendjes.

Them se kjo mënyrë të shkruari vihet në funksion të besueshmërisë së rrëfimit sepse shërben si argument artistik për t'u bërë më i afërt e më i kapshëm për lexuesiti. Duhet theksuar se ndërthurja e teknikave të ndryshme në një vepër tregimtare i vë fre edhe monotonisë së rrëfimit e bëhet interesant e tërheqës për të tjerët.

Së katërti, Spartaku tek novelat e tij në shumë raste kombinon llojet e rrëfimtarëve mbi bazën e skemës përemrore:

UNë - TI - AI - AJO...


Kjo formë tregimtarie nëse do të bëhej rëndom si në vepra të tjera, nuk do të sillte ndonjë risi dhe do të qëndronte thjesht vetëm brenda cakut të realizmit.

Por Spartaku nuk qëndron brenda këtij caku. Risia e tij në këtë skemë rrëfimi qëndron në faktin e ndryshimit e modernizimit të saj. Kështu, TI në komunikim direkt dhe AI, AJO në komunikim të imagjinuar nuk janë prezent, por supozohen si të tillë. Ata janë hije me zë që na flasin tejet sinqerisht në raport me paraqitjen lëndësore.

Kjo i jep dorë autorit të përdor teknikën e "përroit të ndërgjegjes", aq e parapëlqyer për letërsinë moderne bashkëkohëse në botë.

Në këto raste subjekti rrëfimtar zhvishet para lexuesit me gjithçka që fsheh nënvetëdija e tij dhe lexuesi njeh fytyrën e vërtetë të peronazhit.

Këto dhe aspekte të tjera risuese e bëjnë autorin një emër të përveçëm të novelës sonë bashkëkohëse. Kjo më bën që në mbyllje të këtyre radhëve të ritheksoj se krijimet e Spartakut janë një gur i çmuar në ngrehinën e novelistikës moderne shqiptare.

Ato sjellin shumë prurje të reja se janë ndërtuar me teknika të kohës duke qëndruar brenda kostumit realist me fabula e subjekte nga jeta e përditshme. Kështu bëhen të afërta e të kuptueshme për secilën kategori lexuesi.

Novelat e tij na japin kënaqësi estetike pozitive pasi përcjellin humanizëm e respekt për qënien njerëzore, larg dallimeve e preferencave etnike, krahinore apo racore.

Ajo vepër që lartëson njeriun dhe qëndron mbi nervozizmin, fyerjen dhe urejtjen i qëndron kohës dhe bëhet pjesë e vetëdijes dhe emocioneve të lexuesve.

Këto tipare i ka novelistika e shkrimtarit Spartak Th Papathanasi ndaj i shkon për shtat dhe bukur secilit njeriu dashamirës të letërsisë që e merr në dorë për ta lexuar...

Comments


bottom of page