top of page
Search

Në kohën e komunikimi pasiv dhe pushteti i errësirës


Nga: Rea Shundi

Pasiguria, përultësia dhe në fund dobësia në karakter janë vetëm rrjedhojë e ambientit që i zhvillon ato. Ky ambient duke i mbajtur njerëzit e veçuar e të painformuar, duke i ushqyer me thërrime dijesh që në fund vetëm sa i mëshojnë pikësynimit themeltar, do të fitojë “pushtetin e errësirës” mbi popullin. (Një informacion i copëzuar e i vagullt ngre më shumë dyshim dhe pasiguri sesa ndihmon në formimin e një konkluzioni pranë së vërtetës*.) Ky pikësynim zgjidhet prej udhëheqësve të munguar në cilësi, fjalët elokuente të se cilëve, kanë po atë përmbajtje boshe si dhe vetë ata.


Rea Shundi

Nuk duhet shumë kohë për të kuptuar qëllimet e dikujt. Qëllimet zbulohen nga ndjesitë që fjalët e veprimet i përcjellin. Kjo është mënyra më e përafërt për t’i shpëtuar dyzimit përballë një “tiranizuesi elokuent”. Kur fjalët janë të tepërta, e vetmja gjë që ka rëndësi në fund është se si na bëjnë ato të ndjehemi.


Për t’iu kundërvënë presionit te këtyre drejtuesve dhe sistemit të tyre për të qënë “konfromist i përulur”, individi duhet të punojë me aftësitë e tij të lindura. Arma e tij më e fortë nuk është njohja apo informacioni – ato manipulohen dhe ndryshojnë vazhdimisht – është procesi i të menduarit.

Dyndja nga jashtë me komunikime, të ashtuquajtura njohuri dhe me referate boshe, mund të bëjë këdo të mendojë për një çast se është i përfshirë në çështjen më me rëndësi.


Fjalë të tilla zënë vendin e punës më natyrale të mendjes, dyshimit dhe analizimit kritik për të arritur në përfundimin më pranë të vërtetës së tij. Folësit këtë kanë parasysh, duke na përçuar qëndrime me ngjyrime të forta dhe duke na përzgjedhur një mori informacionesh.


Është e pashmangshme megjithatë të ndikohemi nga ajo që lexojmë e dëgjojmë, po aq sa është e nevojshme.


Por konkluzionin dhe vendimin duhet ta ndërtojë vetë individi. Duhet gjetur ajo pikë ku interesat tona të gjejnë zë, përkrahje dhe unitet. Ai që mendon më gjatë, mundet dhe të kuptojë ku ka vend për kompromis.


Në thelb, informacioni është mjet. Ai s’duhet marrë për tu përdorur kurrsesi i papërpunuar. Daltën duhet ta gjejmë e mprehim vetë, duke menduar.


Kohët e fundit, jemi përballur me një problem të ngjashëm në rastin e rrjeteve sociale.

Drejtuesi i Facebook Mark Zukerberg, u vu përballë akuzave për shpërdorimin dhe shfrytëzimin e faqes, pas skandalit të shitjes së të dhënave personale të përdoruesve. Thuhet se ato u vunë në përdorim për të arritur fitoren e Presidentit Donald Trump gjatë zgjedhjeve të fundit. Gjatë marrjes në pyetjë ne seancën e hapur, gjyqtari iu drejtua atij me pyetjen: “Zoti Zukerberg, a ndjeheni rehat të ndani me ne emrin e Hotelin në të cilin keni kaluar këto netët e fundit?” Ai, i gjendur ngushtë përballë pyetjes taktike të gjyqtarit, duke u skuqur dhe pasi u përtyp mirë, tha: “Jo.”

Të gjitha të tjerat që vijuan nga seanca ishin rrjedhojë dhe gati inertësi, pasi të gjithë ishin tashmë të vetëdijshëm për situatën e shëmtuar. Duke mos mundur më të duronte pyetje të këtij lloji, Mark Zukerberg e ndërpreu gjyqtarin duke e prerë shkurt. “Kam bërë një gjë të tmerrshme dhe nuk e mendova se sa thellë do të shkonte. Unë jam përgjegjës për gjithçka dhe më mbetet mua t’I rregulloj. Ju kërkoj ndjesë.”

Kjo thuhet nëpër media


Pa kaluar në fundin e pritshëm, çdokush mund ta ndjejë se si rrjetet sociale në thelb, marrin nga koha dhe aftësia për të komunikuar në botën “reale”. Dhe të menduarit kritik s’duhet zëvendësuar me të menduarin për të thënë diçka. Mendimi kritik duhet të mbetet vetjak deri kur të arrihet një përfundim i dobishëm për njeriun. Nga ana tjetër, rrjetet sociale funksionojnë me parimin e adrenalinës. Të gjithë përdoruesit, ose “zëdhënësit”, janë pjesë e një rrethi të gjerë dhëniesh-marriesh ndjesore, ndryshe nga I foluri ballë-për-ballë. Kryefjala në këto rrjete është individi. Ai mund të thotë ç’të dojë e mund të ndërhyjë në punët e të tjerëve pa mbarim. Aty mungon barriera e rregullave morale, e përçuar nëpërmjet qëndrimit fizik. Gjërat ndodhin dhe fjalët thuhen pas shpinës. Meqë deri më sot nuk kemi një kushtetutë të mirëfilltë dhe penalizuese të botës virtuale, çdokush atje është i lirë, gati në gjendje barbarizmi.

E keqja më e madhe u bëhet nga ana tjetër fëmijëve dhe adoleshentëve ende në zhvillim të botëkuptimit të tyre. Ata nuk i kanë të qëndrueshme barrierat e së lejueshmes, së drejtës, së keqes, së dëmshmes dhe çdo ditë kërkojnë të testojnë, në rolin e vëzhguesve.

Duke qënë se telefoni u jep deri diku liritë e shumëkërkuara instiktive, ata me kalimin e kohës e kërkojnë dhe e vendosin si “parim të lirisë”. Dhe ndodh që më vonë në socializimet mes njerëzish fizikë, ata sillen e flasin po aq shpenguar.

Edhe kjo nuk është situatë e pashpresë, çfarëdolloj përmasash të ketë marrë. Ajo mund të reduktohet dhe përmirësohet me parimin e të menduarit kritik. Të gjithë mund të mendojnë.

Duke menduar më në fund si individ dhe jo si pjesë e turmës virtuale (apo dhe fizike, përballë një spektakli politik a tubimi) mund t’i qëndrojmë të vërtetë vetvetes, për të marrë më vonë dhe qëndrimet më të drejta.

Në fillim nuk është puna më e lehtë, por progresi fillon pikërisht aty: duke u ndalur për të menduar. Neve na është dhënë aftësia për të ndryshuar (përshtatur) si elementi më i rëndësishëm i mbijetesës.

Prandaj jam e bindur se ata që janë lindur me gjykimin më të fortë, do e gjejnë rrugën e tyre. Madje dhe konfromistët më të regjur mund të edukohen të njohin interesin e tyre të vërtetë, nën ndikimin e drejtuesve më të njëjtin parim.

Në fund të fundit, forcën e vërtetë dhe pushtetin më të qëndrueshëm nuk e kanë ata që manipulojnë masa njerëzish; as ata që interesat e tyre i përcjellin si interesat më të larta kombëtare. E kanë ata që mbasi i kanë dëgjuar të tëra, mendojnë.

Commentaires


bottom of page