Shpeshherë më ndodh të pyes veten: Ku kanë përfunduar mirësjellja dhe edukata në ditët e sotme?! E di se ç’mund t’ju vijë ndër mend në këto momente. Ndoshta ju kujtohet një nëpunës i pasjellshëm, një trokitje dere e munguar apo një i panjohur që u soll çuditshëm, pse nuk i hapët rrugën.
Le të flasim hapur. Shumica e njerëzve që na rrethojnë mezi thonë ose nuk thonë fare “të lutem”, “më vjen keq”, “faleminderit”, teksa janë pikërisht detajet, ato që bëjnë diferencën. Mirësjellja dhe respekti lejojnë që një shoqëri të zhvillohet normalisht.
Duket si një gjë e parëndësishme, por një buzëqeshje apo një falenderim i thjeshtë mund të ndryshojnë humorin apo ditën e dikujt. Të gjithë janë të zënë e të preokupuar duke u përpjekur të kryejnë një mori punësh njëkohësisht.
Ndoshta të tregohen të sjellshëm me dikë, mund të jetë mendimi i tyre i fundit, por (ka gjithmonë një por), s’dua ta besoj se homo sapiensi është vërtet kaq i pandërgjegjshëm sa të mos i interesojë aspak komforti shpirtëror ose ndjeshmëria e të ngjashmit të vet.
Përse të rinjtë e kanë kaq të vështirë t’i ofrojnë vendin e tyre në autobus, një të moshuari ose një gruaje shtatzënë?! A jemi mjaftueshëm të ndërgjegjshëm se shoqëria jonë përdor cilësimin pezhorativ “qorr” për këdo që mban syze, qoftë ky fëmijë apo i rritur? Për të mos përmendur shprehjet ofensive kundrejt personave me aftësi të kufizuara apo moskonsideratën e patolerueshme ndaj figurës së mësuesit, edukatorit, heroit kombëtar, personaliteteve fetare, letrare etj. Dhe kjo është për të ardhur keq ! Ndonëse ”për të ardhur keq” e kam përdorur si eufemizëm.
Gjithsesi respekti, dashamirësia dhe mirësjellja në shoqërinë tone lënë për të dëshiruar.
E vetmja zgjidhje për këtë mbetet etika e reciprocitetit ose “rregulla e artë”, të cilën mund ta përkufizosh në shumë mënyra.
Unë po jap sugjerimet e mia:” Mos i bëj tjetrit atë që s’do të të bëjnë ty” dhe “Mos i impono askujt të suportojë, atë që ti vetë s’do ta duroje dot”.
Gjithashtu dhe ju të dashur miq, mund t’u referoheni qindra rregullave të tjera të arta, po kaq të vlefshme e të çmuara sa të sipërpërmendurat.Të sillesh mirë nuk do të thotë domosdoshmërisht të pëlqesh apo të pëlqehesh nga të tjerët, nuk je aspak i detyruar për këtë. Manierat e mira janë një standard për t’u ndjekur, sepse lehtësojnë ndërveprimin mes njerëzve dhe sjellin bashkëjetesë më të paqtë. Njëkohësisht, secili prej nesh mund të japë kontributin e tij modest duke u përpjekur të jetë pak më i sjellshëm.
E ndryshimi nis gjithmonë nga vetja!
Comments