top of page
Search

Në kërkim të Koronavirusit? nga Tanush Çaushi

Vendosa ta kërkoja. Emër birre paska?

Si nëpër ëndrra na u shfaq Korona, papritur e pakujtuar. Nga mbive o vëlla?

Shumë dëgjuam për Koronavirusin e shumë po dëgjojmë. Dikush shkakun e gjen tek natyra, një tjetër tek mëkatet njerëzore.

Disa të tjerë e quajnë dënim prej krijuesit.

Nuk mungojnë dhe supersticiozet që besojnë se është vepër e Masonëve.

Të gjithë flasin për ilaçin e gjetur, por në fund kalojnë në botën tjetër mijëra viktima në një ditënatë tokësore.

Ekzaltohemi për eksperimente pafund që në fund nuk vlejnë sa jeta.

Biznesmenët ngushtojnë zemrën dhe futin shtatë pashë nën dhe kursimet e shumta dhe i kërkojnë lëmoshë qeverive për fitimet e munguara.

Padrejtësitë janë sheshit jo vetëm për njeriun, por edhe për mjedisin, florën e faunën.

Të gjithë jetojmë në këtë Tokë sikur të ishin ishull i vetmuar. I duam të mirat e saj, por nuk kujdesemi për të.

Çfarë po ndodh vallë? Toka po mbushet me varre masive?

Nuk e di pse më tingëllon e njohur kjo fjalë.

Kujtoj ndoshta mijera viktima ditore në vendet e pazhvilluara. Vdekjet masive të tyre nuk i shkruajnë mediat dhe portalet. Bota vdekjen e tyre nuk e përcjell me lot. Dhe mu kujtua ferma e kafshëve.

- Të gjitha kafshët janë të barabarta, por disa janë më të pabarabarta se të tjerat.

Toka qenka kthyer nën sundimin e Dinastisë së Derrave.

Shpresat i varim tek gjërat materiale dhe pushteti, por Zoti Korona na mëson se ato nuk vlejnë për gjë. Ti gjejmë një kuptim tërë kësaj?

Dikush që ecte si të ishte një gjigand mbi Tokë, sot është strukur në shtëpi i frikësuar si një mi.

Tingujt e një violine maltiane më erdhën papritur në prapaskenat e trurit dhe vetja ime e dytë filloi të më pëshpëriste në vesh:

- Popullsia është rritur shumë, sikur ti zhdukum disa? Dhe sebepin e gjejmë.

Të pasurit numërojnë paret dhe pasuritë. Ato vezullojnë në trurin e tyre dhe e mbushin plot me lavdi false. Ende nuk e kuptojnë se parja dhe pasuria nuk bën dobi.

Dëgjova se shumë kafshë dolën nga karantina ku njerëzit i kanë mbyllur prej shekujsh.

Është kohë të reflektojmë, të dashur lexues:

- Toka është vendstrehimi ynë i përbashkët. Nëse do fliste Rusvelti i famshlm do thoshte:

- Mos pyet çfarë mund të bëjë Toka për ty, por çfarë mund të bësh ti për Tokën.

Më duket se përgjigjen e gjeta.... Ndoshta...

Comments


bottom of page