Doktoranti i Oksfordit, ka marrë nismën për të qenë pjesë e një partie politike në vend. Sipas ligjërimeve të tij të shpeshta, pretendon se do të jetë dhe do të përfaqësojë "shpresën" për një Shqipëri ndryshe.
Para se të ndërtojë ""Shqipërinë Ndryshe"" Doktoranti i Oksfordit duhet të rehabilitojë marrëdhënien që ka me të vërtetat e këtij vendi.
Të ngrihesh e të shkruash se studentët në këtë vend ulen në auditorë, veçse për t'iu bindur një autoriteti pasi nuk kanë asnjë formim dhe stafi akademik nuk ndjek asnjë program mësimor është marrëzi në vetë të parë, për dikë që pretendon se do të ndërtojë Shqipërinë Ndryshe.
Doktoranti i Oksfordit, duhet ta dijë mirë se historia e një vendi nuk fillon dhe nuk mbaron me askënd. Ne jemi vazhdues të historisë dhe jo nismëtarë të saj. Kjo do të thotë se në këtë vend, arsimi mund të ketë mijëra probleme, por ekzistenca e problemeve nuk është argument për të shumëzuar me zero, punën e tërë stafit akademik nëpër universitete, për sa kohë studentët e universiteteve shqiptare, mund të përballojnë një periudhë studimi në universitetet evropiane dhe të dalin të suksesshëm atje.
E pra, për sa kohë një student përballet me dinjitet në një auditor evropian me dijet e nxëna në një universitet shqiptar, do të thotë se stafi akademik në Shqipëri e ka kryer misionin e tij.
Ndaj Doktoranti i Oksfordit para se të veshë bluzën me Shqiponjë dhe të premtojë se do ndërtojë """ Shqipërinë Ndryshe""" bashkë me Rudina Hajdarin, të ketë mirësinë t'u pohojë punën atyre njerëzve që kanë punuar dhe vazhdojnë ende të punojnë me seriozitet të heshtur për këtë vend.
Post Scriptum- Doktoranti i Oksfordit të marrë nismën fillimisht, për të ndërtuar me seriozitet statuset e tij në rrjete sociale e mandej të vazhdojë me ndërtimin e atdheut.
Elona Caslli
Σχόλια