“Në mes dy dashurive” Mimoza largoi nga balli flokët e zinj që i kishin rënë mbi të e ndjeu përtëritjen e mëngjesit.
Hapi dritaren nga ku flladi i freskët luhaste perden e bardhë prej najloni e ndjeu kënaqësinë e ditës së re.
Dielli që sapo kish shpërthyer rrezet e para, sikur e kishte zbardhur vende - vende në ngjyrën e lejlasë në rozë, atë pjesë të qiellit të dallgëzuar si një shirit i gjerë duke e lënë pas... Hodhi sytë në kopshtin e rrethuar dhe parmakët në konfiguracione të rregullta që përfundonin në majë të rrumbullakosur, shkëlqenin nga dritëthyerja e lagështia që akoma s’ishte tharë.
Vështroi mollën në mes të pemëve të tjera me lulet e çelura, disa akoma në gonxhe, dhe iu kujtua ajo natë martesore aq e këndshme me tavolinat poshtë pemëve që secila kishte shkëlqimin e veçante të dritave plot ngjyra.
Tryeza e rrumbullakosur me mbulesë të bardhë, karriget në formë kolltukësh të rehatshëm me mbështetësen pak të gjatë, dallonte pak nga tryezat e tjera si në të veçantën e çiftit.
Nga një gonxhe trëndafili në vazo të holla shumë fine prej qelqi të tejdukshëm me pak ujë sikur i kish freskuar të gjithë tryezat të mbushura tashmë me pjatat e rregulluara me ushqimet po aq të freskëta me dekorime të bukura.
Në kohën që kish dalë ajo të gjithë kishin shtangur nga nuri i saj i nusërisë. Ajo dëgjonte zëra të mahnitur: “sa e bukur....sa fine...”! U jepte të gjithë miqve nga një buzëqeshje që me dhëmbët e rregullta ato buzë të bukura me të kuqin që i shkonte aq shumë. dukeshin më të fryra. Argjenti me kostumin e zi, që i rrinte shik pas trupit elegant e të gjatë, me kravatën e kuqe e këmishën e bardhë, mbante në xhepin e xhaketës një gonxhe të kuqe trëndafili ngjitur pas shamisë, e dalë pak nga xhepi në formë trekëndëshi.
Mimozës iu kujtua vallëzimi i “Valsit të lumturisë” e rrethuar nga dasmorët çakërrqejf, ndërsa ishte lëshuar në ata tinguj të ëmbël në krahët e tij duke e vështruar thellë, kishte ndjerë lumturinë brenda qenies së tyre dhe emocionin e rrallë të çasteve që nuk harrohen. Pastaj torta... thirrjet e miqve, puthje... puthje e ëmbëlsinë e saj në buzët e ngjeshura sa për pak po harronin që ishin të dy qendra e vëmendjes!
Argjenti me atë lëkurën e bardhë, sytë të kadifenjtë e flokët pak si në bronz të thyer sikur kish marrë ndriçimin e yjeve të asaj nate të magjishme.
-Mbretëresha ime... hënëza ime...të dua përjetësisht... marrëzisht... e ajo duke qeshur i hoqi nga flokët një lulemolle të vockël në ngjyrën e bardhë pak në rozë e ia dha në dorë..... Argjenti ia vuri në vijëzimin mes gjoksit të bukur që fustani i ngjitur pas bustit të saj ia tregonte formën e hijshme e pak provokuese.
Pas disa muajsh, kur dëshira për një fëmijë ishte kthyer e papërmbajtur nga të dy, ata përjetonin dashurinë e madhe me plot ëndrra për të ardhmen. Argjenti ishte djalë i vetëm me pesë motra e prindër të moshuar. Mimoza ndjente dashurinë e admirimin e tyre e kjo ngrohtësi ishte mes tyre si përkëdhelja e një familje të madhe.
Tregim i marrë nga libri “Mrekullia E Një Nate”
Të gjitha të drejtat i përkasin autorit
Comments