top of page
Search

Në piramidën poetike të krijuesit Niko (në faqet e vëllimit poetik Heraldikët e borës)

Nga Pajtim Çaushi


Nëse ndjek shtegun poetik të më se pesëdhjetë viteve në botimet e poetit Niko Kacalidha, do të pranosh edhe ti titullin e shkrimit.

E shprehur kjo me një simetri estetike mbresëlënëse tek përmbledhja poetike "Heraldikët e borës" bind çdo lexues dashamirës të vargut se krijimtaria e poetit i ngjanë shkallares piramidale ngjitëse drejt zenithit poetik.

E thënë kështu jo vetëm për atë si individualitet krijuesi, por edhe për letërsisë bashkëkohëse shqipe.



Mësuesi i letërsisë

Filloi punë si i tillë në gjimnazin emërndritur Hasan Tahsini të Sarandës. Qindra nxënësit që patën fatin të merrnin mësime letërsie nga Niko Kacalidha e kujtojnë mirë portretin e mësuesit të tyre nga Leshnica.

I qetë, i buzëqeshur, i thjeshtë. Një i ri flokëzi e fjalëmbël. I dashur me gjinmazistët, i saktë në njohuri, këmbëngulës në kërkesa, nxitës për talentet e reja. Në sjellje i matur, i pjekur, dashamirës dhe i mirëkuptuar me kolegët.

Autoportretin e shpreh thjeshtë e bukur tek poezia Credo në formën e një sentence poetike:

Unë jam paqësor si deti dhe i egër si deti.

Edhe i madhërishëm sikur të isha si deti,

unë përsëri emrin tim do të mbaja. (1972)

Emri i tij u bë simpatik për nxënësit jo vetëm për njohuritë e lëndës së bukur që u përcillte, por edhe për faktin fatlumë se mësuesi i tyre ishte edhe poet që botonte në shtypin e kohës poezi të bukura. Ata krenoheshin me faktin se Niko ishte një nga talentet e spikatur të poezisë shqipe të viteve '70.

Kuptohet, krenaria e nxënësve për mësimdhënësin është si dielli ngrohës për çdo mësues.


Të jesh komshi me shqiponjën...


Në poezinë Dymbëdhjetë distikët konteporanë të luanit tek vëllimi poetit Fjalë të thëna në pranverë simbolika e poezisë së Nikos merr një nëntekst meditativ të mbështjellë me mitin e gravurës së portës së luanit në Butrint. Edhe poeti, si gjithë popullsia e vendit, jetonte vitet alter egos së detryruar përgjatë udhës së Golgothës së regjimit të kohës ndaj është i matur në shprehjen e mendimit përmes alegorisë së kujdesshme:




Të gjithë luanët e moshës sime në xhungël vdiqën.

Mua më gdhendën në gurë, këtu rri, bëj distik.




Shumë poetë nuk e harruan djepin e nanurisjes, kolovajzën ku u përkundën, pamjet ku u rritën, drurët ku u argëtuan. Vendlindja ka qënë sentimenti ngjitës për poezi elitare të Naimit e Poradecit, Agollit e Shkrelit. Nuk mund të bënte dallim nga kjo edhe poeti Niko Kacalidha. Busulla e tij shenjonte shpesh vendlindjen e bukur si vashëz eterike, aq bujare dhe aq fisnike.

Në poezinë Kopshtet e Leshnicës poeti ka përzgjedhur detaje poetike të thjeshte e mbresëlënëse dhe i përcell në mënyrë metaforike aq bukur sa të ngjiz dashuri e admirim për atë vend të bukur me aq shumë veçanti:

kopshtet në prehër të njeri tjetrit...

hidhesh nga pema në pemë e ndez dritat e yjeve...

nuk di ku je: në kurorën e lulëzuar të mollës apo në skelat e Kashtës së Kumtrit...


Dhe përfundimi aq i bukur të cilin unë e kuptoj si shtrirje të metaforës e simbolit nga fshati i vet minoritar me kombësi greke tek simboli i shqiptarëve dhe tek fqinjëria herake mes dy kombeve të lashtë, grek e shqiptar.

Në labirinthet e palimpsestit

Nga koha në kohë mendimi poetik i poetit zhytet më në thellësi të kuptimit të fjalës. Vargu merr tjetër peshë, mendimi vesh herë vellon e vetëdijes dhe herë pelerinën e pakdukshme për këdo të nënvetëdijes, figura alternon dhe harmonizon nuancat e ngjyrave të elegancës e finesës.

Toni meditues e theksimi filozofik mbizotëron mbi të zakonshme dhe shtresën sipërfaqësore të shprehjes poetike. Niko nuk ndalet në cektina e kodrina, ai shpërfaqet në lartësi e maja të synuara të rrafshit ballkanik apo europian. Zëri i mëparshëm melodioz, tani bëhet bas i rëndë me kumbime të kombinuara liriko - elegjiake e dramatike deri në tragjike.

Një lexues që është mësuar të jetë për lexime garues faqesh si Maratonomaku, tani duhet të lexojë e të rilexojë vargun e poezinë, të rrëzohet e të ringjitet si Sizifi antik. Ndryshe do të jetë vetëm një eunuk i paditur dhe poezia do t'i duket si ekuacion i pazgjidhshëm.

Koncepti bodlerian i palimpsestit në poezin e Niko Kacalidhës është thelluar e ka marrë formën e skulpturës përmes gdhëndjes së kujdesshme.

E megjithatë ajo, nëse kapet dhe kuptohet, është e bukur dhe elitare.

Nëse e lexon me kujdes, shijon figurën, fjalën, vargun dhe gjithë poezinë...

Damarët e lumenjve gjithmonë të kaltër kanë

dashur të shfaqen mes barit e mitit.

Po ç't'u bënin përrenjëve, ç't'u bënin përrenjve!

(Këngë ballkanase)

Ja dhe era që fryn në katër horizonte, flakrave

të shpirtit. Tani tymi le të dalë, të digjen qiejt.

Kjo qënka marrëveshja. Të dynden ujërat për të

shplarë hirin e përvëlimit.

(Empediokli)

Lakuriqësinë e trupit inspekton dielli duke ravijëzuar lëkurën e saj me halë pishe duke hequr linja të imta ledhatare në ranishten e lagur, në kumin e njomë të imitimit...

Në palimpsestin e trupit tënd lëvrijnë pëllëmbët e mia, në mistiken lodërtare të gishtave e bëlbëzimeve të gjuhës...

(Palimpsesti i trupit)

Përfundim

Në mbyllje të këtyre radhëve them se krijimtaria e poetit Niko Kacalidha është një dukuri estetike e bukur e krijuar në dy gjuhë: shqip dhe greqisht.

Si e tillë, ka trajtën e një peme dydegëshe me ngjyra të bukura pranvere e rudha mendimi të pjekur me thellësi virgjine.


Comments


bottom of page