top of page
Search

NË SHKODËR TEK FARIDA...

Nga Pajtim Çaushi


Shkodra një nostalgji

 

E veçantë në shumçka. Qytet inteligjent e me plot hoka. Me njerëz të zhurmshëm, të përkushtuar e paqësorë. Me gra të gatshme për humanizëm e buzëqeshje. Me qindra çifte shetitësish në njëtrajëtsi hapash.

Rrjedhë me dy kahe radhësh si në një autostradë moderne. Shumësi biçikletash lozanjare me vajza fluturake. Me djem gaztorë e yshtarë...

Po, buzëqeshje miqësore nga gjithkush...

Me simbole qytetarie e atdhesie...

Një kala legjendare me baladën Rozafa. Mbi krye muri qarkues si kurorë mbretëreshe. Një teatër elitë me shenjimin Migjeni. Një estradë me të paikurin Tano Banushi. Me një Mjedë në tejjetë. Me një Fishtë gati nobelist. Me një Camaj të shenjuar për hapsanë. Me të rënë në monumente. Me bust diktatori të huaj. Me bijë të pushkatuar. Me heronj të fshehur. Me katër Martirë Demokracie. Me klerikë të pushkatuar... Me shkrimtarë të ndaluar...

Si një Nanë e malluar... eh moj Nanë...!


Farida - një Nënë Terezë e re

 

Gratë frymojnë vlera, shenjohet grupimi i femrave të mbarëshqiptarisë. Emër me shumësi shtresash kuptimore. Nëse Zoti është në Empiruim, përgjatë qiejve të Parajsës flatërojnë hyjneshat.

Krijesa e fanepsje fantazie apo emërtesa reale?...

Mendjet e mpira i quajnë imagjinatë popujsh primitivë..

Për mendjet e hapura janë gjallesa të gjithëkohësisë.

Hyjneshat në shekuj bartin mbi vete emra të përveçëm: Dodonë, Dea, Demetër...

Emrues të përbashkët kanë emrin e përgjithshëm: femër. Femrat sidoqofshin: vajza, nuse, nëna, gjyshe frymojnë vlera shenjtërie. Portrete me rima të njëjta: dashuri, dritësi, mëmësi, mënçuri...

Mes tyre, si një Nënë Terezë e re qëndron e mira Faridë.  

Ramadani  nga i shoqi, Zmijani nga i ati. Dy mbiemra krenarie që qëndrojnë si krahët tek dallëndyshja lajmëtare.

E mençur, u qetë, e përkushtuar, e palodhur...

Poete, prozatore, organizatore, humaniste, iluministe...

Atdhetarja që përbashkon pjesët në një emërtesë që quhet Atdhe.

Shkodra, Prishtina, Tirana, Shkupi, Vlora, Korça, Prizreni, Saranda, Gjakova... SHQIPËRIA.


Festivali III i Poeteve tona

 

22 prill 2023. Takim i poeteve nga gjithë pjesët e shqiptarisë. Pra, jo pjesor, por mbarëkombëtar. Organizatore Farida Ramadani Zmijani. Përherë e palodhur, e përkushtuar, frymëzuese. Krah saj njëzet e pesë poete. Shumica të ardhura nga larg dhe shumë larg. Të papërtuara...  Poetet shqiptare në Shkodrën e kulturës e të atdhetarisë:

Nga Deçani, Prishtina, Saranda, Vlora, Përmeti, Tirana, Puka...

Nga Kosova, Franca, Zvicra, SHBA - ja...   

Emrat i kanë të ndryshëm, por të gjithë të bukur. Të bukur se veç të tjerash, janë poete. Dhe poetet rezatojnë hijeshi, harmoni, përkushtim, lumturi...

Ato quhen Melita, Ana, Athina, Shefqete, Natasha, Meri, Shqipe, Klevisa, Rozafa...

Dilnin në foltore radhaz dhe paraqesnin poezitë e tyre. Thjeshtë e bukur. Bukur se qenë vargje të çiltër.

Kuptohet, u dhanë çmime. Të parë Melita. Të dytë Shefqete. Të tretë Natasha. Special Meri dhe Klevisa.

Moderatore gazetarja Kozeta Bruçi, E saktë, korrekte, nxitëse, e kulturuar...


Përqasje në kundërshi


Duke ndjekur veprimtarinë e Festivalit III të poeteve të mbarëshqiptarisë, vetiu bëra disa përqasje me fusha e kohë të tjera. Prej tyre më dolën disa mospërputhje e kundërshti të pakuptimta. Ndonëse të gjitha absurde, megjithatë të ndodhura qenë. Dhe ja...

Atë që s'e bëjnë dot shtetarët e Kosovës e të Shqipërisë për të patur një zë në tribunat ndërkombëtare apo kombëtare, për të qënë bashkë dhe unik kudo, e bën Farida e sinqertë me njëzetë e pesë poetet e talentuara të Festivalit.

Atë që s'bëjnë dot politikanët lara - lara të Shqipërisë të cilët s'gjejnë dot mirëkuptim për asgjë, ndonëse flasin shqip, e bën Farida e pabujshme me njëzetë e pesë poetet e pakursyera të Festivalit.

Atë që s'e bëjnë dot historianët për historinë kombëtare të cilët nuk bien dot dakort as për një datë, e bën Farida me njëzet e pesë poetet e Festivalit.

Atë që s'e arrijnë dot gjuhëtarët me Institute e Akademi për të ta shikuar gjuhën amtare si një gjallesë në rritje që do përtëritje edhe me plot stoli të gegnishtes, e arrinë Farida me njëzetë e pesë poetet e Festivalit...

E ç'mund të bëjë më shumë se Farida dikush tjetër për qytetin, atdheun, kulturën përgjatë segmentit të jetës së vet...?

Kuptohet, asgjë...

Eh, sikur të kishim sa më shumë Farida në kulturë, politikë, shkencë e kudo...!

 

Tiranë, 26 prill 2023         



Comments


bottom of page